Papa: qytetet qofshin të hapura e mikpritëse, askush të mos ndihet i padukshëm
Vatican News
"Na bëj dëshmitarët e tu në qytet, misionarë guximtarë dhe krijues, që e shpallin me jetë Dashurinë tënde, të aftë të kapërcejnë nxitimin, zhurmën dhe anonimatin".
Në këtë muaj gusht kushtuar, më shumë se kohët e tjera të vitit, pushimeve, ndjeti i lutjes së Papës përqendrohet tek ata që qëndrojnë ndër qytete. Në këto kontekste, të cilat përgjithësisht në verë bëhen të shkreta, thirrja për ta dëshmuar Zotin vazhdon dhe frymëzon - veçanërisht kur ritmi kthehet në shpejtësi frenetike - një kërkim për kuptim të mëtejshëm "në mes të zhurmës dhe nxitimit".
Të gjesh Zotin, përtej zhurmës e vetmisë
Propozimi i Papës për t'u lutur për bashkësitë urbane, disa prej të cilave janë rritur me përmasa gjigante, duke arritur gati 40 milionë banorë (për shembull, Xhakarta, Daka, Tokio...), është edhe më i rëndësishëm, ndërsa sfidat sociale dhe ekonomike me të cilat përballen metropolet, bëhen gjithnjë e më të mprehta.
Ne e dimë që qytetet janë të thirrura të jenë vende lirie dhe mundësish, por ato mund të bëhen edhe hapësira anonimiteti dhe izolimi. Prandaj, sot ju kërkoj një perspektivë të re, të aftë të zbulojë në jetën urbane tokë pjellore për të shpallur Ungjillin.
Për një Kishë në dalje
Çorientimi, mungesa e mbështetjes emocionale në kohë të vështira dhe e hapësirave për takime të mirëfillta në lagje, janë disa nga fenomenet që kërkojnë alternativa për një jetë të bukur e të frytshme. Kështu, duke marrë një nga temat e përsëritura në mësimin e paraardhësit të tij Françeskut, Leoni XIV kthehet në temën e periferive.
[...] që komunitetet tona urbane të jenë shtëpi të hapura dhe mikpritëse, vende ku shpresa bashkëndahet, ku askush nuk ndihet i padukshëm dhe ku gëzimi i Ungjillit ndriçon jetën e fshehur të kaq shumë vëllezërve dhe motrave.
Dhurata e një feje krijuese e të thellë
Rrjeti Botëror i Lutjes i Papës, vepër papnore besuar Shoqërisë së Jezusit që përhap ndjetet e lutjes së Pasardhësit të Pjetrit përmes platformës së tij online, thekson se kjo formë e ungjillëzimit shërben për ta bërë Ungjillin të dukshëm, në të padukshmen: "në qytet, ku shumë njerëz kalojnë pa u vënë re - e shpesh edhe feja - duhet të hedhim farën e pranisë, të lidhjes dhe të dhembshurisë në atë që është e fshehur dhe e përditshme".
