Pamje e Xhakartës me Katedralen dhe Xhaminë Pamje e Xhakartës me Katedralen dhe Xhaminë

Papa Kishës në Azi: jini ndërtues të bashkimit, jo arkitektë të Babelit

Në Letrën drejtuar kardinalit Gracias, të dërguarit të tij të posaçëm në Asamblenë e XII Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë (FABC), e cila do të mbahet në Xhakartë, Indonezi, nga 20 deri më 26 korrik 2026, Leoni XIV fton besimtarët dhe ipeshkvijtë, ashtu si në enciklikën Magnifica Humanitas, ta vendosin Zotin “në horizontin e veprimit tonë dhe qenien njerëzore në qendër të zgjedhjeve tona”, pa pasur frikë “të ndotin duart në kantierin e kohës sonë”.

Vatican News

Papa Leoni XIV fton Kishën në Azi, barinjtë dhe besimtarët, të jenë ndërtues të bashkimit e të shpresës, duke e vënë Zotin në horizontin e çdo veprimi dhe njeriun në qendër të çdo zgjedhjeje. Ky është mesazhi që Ati i Shenjtë Prevost përcjell në Letrën drejtuar kardinalit Oswald Gracias, akryeipeshkëv emerit i Bombait, të cilin e ka caktuar si të dërguarin e tij të posaçëm në Asamblenë e XII Plenare të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë (FABC). Asambleja do të mbahet në Xhakartë të Indonezisë, nga 20 deri më 26 korrik 2026.

Duke iu referuar enciklikës Magnifica Humanitas, Papa ripohon ftesën për ta vendosur Zotin “në horizontin e veprimit tonë dhe qenien njerëzore në qendër të zgjedhjeve tona”, pa pasur frikë “t’i ndotim duart në kantierin e kohës sonë”. Me këto fjalë, Ati i Shenjtë nxit Kishën të mos qëndrojë larg sfidave të kohës, por të angazhohet me guxim në shërbim të njeriut dhe të Ungjillit.

“Jini ndërtues të bashkimit, jo arkitektë të Babelit; shërbëtorë të Mbretërisë që po vjen, jo zotër të kullave të destinuara të shemben”, shkruan Ati i Shenjtë Leoni XIV, duke shprehur shpresën se Kisha në Azi nuk do të reshtë kurrë së lulëzuari në fe dhe në humanizëm.

Papa ndalet veçanërisht tek ata që shpesh mbeten në skajet e shoqërisë. Duke cituar Psalmin 85, ai kujton se “gurët e hedhur poshtë” – të varfrit, të sëmurët, migrantët dhe më të vegjlit – janë të thirrur të bëhen guri i themelit të një shoqërie të ripërtërirë. Vetëm mbi këtë themel, nënvizon Leoni XIV, mund të ndërtohet një shtëpi e përbashkët e fortë dhe mikpritëse, ku dashuria e e vërteta takohen, ndërsa drejtësia dhe paqja përqafohen.

Me zemrën e bariut dhe të atit, Papa Leoni XIV u bën thirrje të gjithëve të ndalin ndërtimin e “një Babeli të ri” dhe të bashkojnë forcat për të ndërtuar të mirën e përbashkët, në mënyrë që njerëzimi të mos e humbasë bukurinë e vet dhe bota të mund të njohë sërish, në zemrën e njeriut, vendin ku Zoti dëshiron të banojë.

Në përfundim të letrës, të nënshkruar më 24 qershor, Ati i Shenjtë Leoni XIV kujton se kërkesa për emërimin e një të dërguari papnor ishte paraqitur nga kardinali Filipe Neri António Sebastião do Rosário Ferrão, kryeipeshkëv metropolit i Goas dhe Damão. Së fundi, Papa ia beson misionin e kardinalit Gracias mbrojtjes amnore të së Lumes Virgjër Mari dhe ndërmjetësimit të Shën Jozefit.

11 korrik 2026, 12:24