Në tryezë me më të fundit: në takimin me tjetrin zbulohet fytyra e Ungjillit
Vatican News
"Një shtëpi për të jetuar së bashku, ku bukuria e krijimit na kujton se jemi pjesë e një familjeje të vetme njerëzore, të thirrur për të mbrojtur Tokën e, mbi të gjitha, për t'u kujdesur për njëri-tjetrin". Me këto fjalë, Kardinali skalabrinian Fabio Baggio, Proprefekt i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të Plotë Njerëzor, me përgjegjësi të veçantë për Qendrën Laudato Si' në Castel Gandolfo për Trajnim të Avancuar, e priti Leonin XIV sot, e shtunë, 11 korrik, në qendrën Borgo, që ka emrin e enciklikës të 2015-tës të Papës Françesku, kushtuar kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët.
Rasti ishte nisma "Në drekë me Papën", e cila - pas asaj të mëparshmes në gusht 2025 kushtuar të varfërve të Dioqezës së Albanos - mblodhi rreth vetes 200 persona, në kushte të vështira shoqërore, nga Dioqeza e Romës, për një drekë të ndarë me Papën në kopshtet e Vilave Papnore të Castel Gandolfos.
Shtëpia e të gjithëve
Duke i mirëpritur "me gëzim të thellë dhe mirënjohje të sinqertë", kardinali Baggio i përshkroi Papës "fytyrën më autentike" të një vendi, thirrja e të cilit, e frymëzuar nga Ungjilli, duhet të jetë "shtëpi ku të gjithë mund të ndjehen të mirëpritur, të njohur e të dashur në dinjitetin e tyre", që përbën një "shenjë të vogël shprese", në një kohë e cila i lë lehtësisht "një mori njerëzish ndër skuta: të varfrit, migrantët, të moshuarit, ata që janë të brishtë ose konsiderohen 'të padobishëm'".
Secili është dhuratë!
Qëllimi, vijoi kard. Baggio, është të kujtojmë me jetë, madje edhe para fjalëve, "se askush nuk është i tepërt në sytë e Zotit" dhe se "çdo njeri është dhuratë për të gjithë bashkësinë". E kur mblidhemi në "stilin" e Jezusit, i cili e bëri tryezën "vend i privilegjuar takimi, pajtimi dhe vëllazërie", zbulimi vjen: "Dallimet nuk na ndajnë, por na pasurojnë", e bashkimi rritet vërtet "kur askush nuk lihet jashtë".
Bij të një Ati të vetëm
Përveçse është "arsye gëzimi dhe inkurajimi", prania e Leonit XIV konfirmon rrugën e një Kishe të etur për t'u "afruar", "të aftë për t'u ndeshur me plagët e kohës sonë", "që e njeh fytyrën e Krishtit në çdo person", shtoi kardinali Baggio. Është vërtet shtëpi "kur secili njeri gjen vendin e vet rreth së njëjtës tryezë", në takime, duke dëgjuar, duke ndarë bukën dhe duke "e njohur veten si bir i të njëjtit Atë".
Të varfrit, thesari i Kishës
Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë, Kryeipeshkvi Augustinian imzot Luis Marín de San Martín, theksoi gjithashtu nevojën për të ndërtuar komunitete gjithnjë e më të hapura, ku të gjithë mund të gjejnë një vend dhe të ndihen pjesë e një familjeje. Kur Kisha i vë në krye të vendit njerëzit më të ligshtë, "thesarin e vërtetë dhe zemrën pulsante të Saj", jo vetëm që e bën Ungjillin të dukshëm, por "dëshmon se askush nuk është në skutat e zemrës së Zotit. Ndryshe nga kriteret e botës, në Zotin gjithçka është bukuri".
Kështu u shpreh Lëmoshtari i Papës, imzot de San Martín i cili u përqendrua në lidhjen ndërmjet mbrojtjes së krijimit dhe njeriut, duke theksuar se "ekologjia e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa vëmendje të sinqertë ndaj më të voglit", e as nuk mund të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët, pa u kujdesur më parë për ata "që banojnë në të dhe kanë më shumë gjasa të përjashtohen".
Në dritën e pranisë së Zotit tek më të varfrit, "jo në një kuptim metaforik, por sakramental", pëlqimi për më të brishtët dhe më nevojtarët "nuk është zgjedhje ndërmjet shumicës", por “dimension thelbësor": të dëgjosh britmën e të vuajturve, ta lejosh veten të sfidohesh nga dhimbja dhe shpresa e tyre, të afrohesh pranë plagëve të tyre, "do të thotë të qëndrosh besnik ndaj Ungjillit dhe të marrësh pjesë në vetë veprën e Krishtit".
Ungjilli i Afërsisë
Imzot de San Martín theksoi gjithashtu se të përjashtuarit nuk janë vetëm "marrës të misionit të Kishës", por edhe protagonistë të vërtetë: "Ata e ungjillëzojnë Kishën, e pastrojnë, e thërrasin përsëri themelore dhe i kujtojnë se gjithçka është dhuratë". Si e falënderoi Papën, prelati augustinian imzot de San Martín përfundoi me vërejtjen se vëllazëria ndërtohet duke ecur krah për krah me njëri-tjetrin dhe se "Ungjilli gjallërohet, kur bëhet afërsi konkrete, kur ecim, siç bëmë sot, krah për krah me njëri-tjetrin, si familje e Zotit".
Në ndihmë të atyre që vuajnë
Kardinali Baldassare Reina, Vikar i Përgjithshëm për Dioqezën e Romës, e përsëriti këtë ndjenjë, duke kujtuar angazhimin e përditshëm të burrave dhe grave në Qytet, pa frikë se "shpenzojnë energjitë e tyre për të takuar njerëz, veçanërisht më të prekshmit, aty ku jetojnë", në përgjigje të ftesës së Ungjillit "të mos rrimë në vend, të mos presim që të tjerët të vijnë tek ne, por të kemi guximin të dalim, të ecim në rrugët e qytetit, të banojmë në periferitë e ekzistencës dhe t'u shtrijmë dorën në ndihmë atyre që janë vetëm, atyre që vuajnë, atyre që kanë humbur shpresën".
Përvujtëria e shërbimit
Këta janë njerëz që e jetojnë Ungjillin "me mend", duke u larë këmbët vëllezërve dhe motrave të tyre me "gjeste të thjeshta kujdesi, mirëseardhjeje, shoqërimi dhe ndarjeje" çdo ditë, shpesh larg vëmendjes, në famulli, në Caritas, në bashkësi fetare dhe mensa supe, në hostele dhe qendra këshillimi, në shtëpi familjare, në spitale, në shoqata dhe në të gjitha vendet ku kujdesen ata, që kanë nevojë. Një bashkësi “që shërben, që përkulet mbi plagët e njerëzimit, që nuk kërkon privilegje, por afërsi”. E që me çdo përkëdhelje lejon që thirrja e Jezusit në Darkën e Mbrame të jehojë – “Ju dhashë një shembull, që edhe ju të bëni siç bëra unë” (Gjn 13:15) – sa herë që dikush hap një derë, shtrin një dorë, viziton një të sëmurë, mirëpret një familje, ngushëllon një të vetmuar”. Mendimet tona shkojnë te asfalti përvëlues i verës gjithnjë e më i nxehtë, te shtëpitë e zbrazëta të atyre që kanë mundësi të largohen nga qyteti, te dëshpërimi i atyre që në vend të kësaj, përballen me melankolinë: dhe është aty, në përkëdheljen e përditshme, që Ungjilli, përfundoi Kardinali Vikar, “vazhdon të marrë mish në rrugët e Romës, duke e ripërtërirë në thirrjen e tij për të qenë Kishë që kryeson në bamirësi e mikpritje”.
Homelia e lëmoshtarit të Papës
Para drekës me Papën, të pranishmit morën pjesë në Meshë me liturgjinë e Kujdestarisë së Krijimit, formula specifike e së cilës u përdor për herë të parë nga Leoni XIV më 9 korrik 2025, në Borgo Laudato Si'. Riti i këtij mëngjesi u kryesua nga Kardinali Baggio dhe u bashkëkremtua nga Kryeipeshkvi imzot Marín de San Martín. Gjatë homelisë, ai foli për kujdesin ndaj krijimit dhe bamirësisë, "përmasa të pandashme të jetës së krishterë" sepse të dyja i kanë rrënjët në dashuri.
Krijimi, vuri në dukje ai, nuk është "koleksion i thjeshtë gjërash që duhen përdorur", por "dhuratë e çmuar" për t'u "mbrojtur", për të mbrojtur atë që do. Një nënë mbron fëmijën e saj, një atë mbron familjen e tij, një mik mbron besimin që ka marrë. Kështu, të krishterët janë të thirrur të mbrojnë krijimin, duke ditur se i përket Zotit dhe se është dhuratë nga Zoti".
Dhe ja lidhja me bamirësinë: “Çdo gjest respekti ndaj krijimit bëhet edhe gjest konkret dashurie ndaj të afërmit, veçanërisht ndaj më të varfërve, të cilët janë gjithmonë të parët që vuajnë pasojat e ndotjes, luftërave dhe ndryshimeve klimatike. Ata janë më të brishtët, që bëhen për ne thirrje dhe lutje për autenticitet”. Prej këndej, ftesa për ta “praktikuar bamirësinë çdo ditë”, me qëllim që ta kapërcejmë “ndotjen e zemrës”, e cila të çon “në forma të tjera të ndotjes materiale dhe ambientale”.
“Bota, përfundoi kryeipeshkvi imzot Marín de San Martín, ka nevojë për të krishterë që dinë ta mbrojnë krijimin si dhuratë nga Zoti dhe t’i ndajnë të mirat e tij me zemër bujare”.
