Leoni XIV: dashuria, pajtimi dhe mikpritja ndërtojnë botën e re
Vatican News
“Kam ardhur pa fjalim, por me uri”
Nën hijen e freskët të pemëve të mëdha që rrethojnë Borgo Laudato si’, në kopshtet papnore të Castel Gandolfos, ku natyra duket se ruan një hapësirë qetësie e paqeje, Papa Leoni XIV drekoi sot, më 11 korrik, me rreth dyqind persona të pambrojtur, të ndihmuar nga Dioqeza e Romës, ndër të cilët edhe 35 fëmijë.
Nëse nxehtësia e verës të fton të mos lësh asnjë kafshatë të mbetet mbi tryezë, në përshëndetjen e tij të shkurtër, para bekimit të ushqimit dhe fillimit të një dite të jetuar “në vëllazëri”, Ati i Shenjtë Leoni XIV foli për një uri tjetër, më të thellë:
“Uri për dashuri të vërtetë, uri për një Kishë që di me të vërtetë t’i hapë dyert, të mirëpresë e të pranojë të gjithë; ku ka dashuri për secilin dhe ku askush nuk është armik, ku të gjithë dimë të jetojmë pajtimin, faljen dhe paqen”.
Të jemi ura drejt një shoqërie më të mirë
Pas përshëndetjeve të kardinalit Fabio Baggio, nënsekretar i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor dhe drejtor i përgjithshëm i Qendrës së Formimit të Lartë Laudato si’, të kardinalit Baldo Reina, vikar i përgjithshëm i Dioqezës së Romës, si dhe të imzot Luis Marín de San Martín, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë (Lëmoshtarinë), Papa mori fjalën duke u ndalur te titulli i tij si Pontifex “Ndërtues urash”. Termi pontifex rrjedh nga latinishtja pons (urë) dhe facere (të bësh) dhe do të thotë fjalë për fjalë "ndërtues urash". Sot ky term është sinonim i Papës, i parë si udhëheqës shpirtëror që shërben si "urë" lidhëse mes besimtarëve dhe Zotit.
Një figurë, tha Ati i Shenjtë Prevost, që sot nuk i përket vetëm Papës, por edhe të gjithë atyre që, ndonëse të prekur nga nevoja, ulen në të njëjtën tryezë me të.
“Edhe ne sot dëshirojmë të ndërtojmë një urë me të gjithë ju, me familjet tuaja dhe me shoqërinë në të cilën duam të jetojmë”.
Një shoqëri që ushtron drejtësinë, duke zhdukur shkaqet e varfërisë, padrejtësisë dhe gjithçka që vazhdon të ushqejë pandershmërinë në botë. Në thelb, theksoi Ati i Shenjtë, kjo është “Kisha që duam të jemi”.
Të ndërtojmë një botë tjetër
Papa Leoni falënderoi më pas organizatorët e kësaj nisme, duke vënë në dukje rëndësinë e të qenit së bashku dhe të jetuarit të “shpirtit të takimit” rreth një tryeze ku Jezusi është gjithmonë i pranishëm.
“Po ndërtojmë me të vërtetë një botë tjetër, një botë shprese, një botë që është dritë në mes të kësaj bote; sepse kaq shpesh ky realitet, kjo botë, është e plagosur nga dhuna, urrejtja dhe diskriminimi”.
Në përfundim të fjalës së tij, Papa i nxiti të gjithë të bashkëpunojnë për të qenë një Kishë që sjell drejtësi, paqe dhe dashuri. Pasi bekoi ushqimin e përbashkët, Leoni XIV u ndal për të përshëndetur të pranishmit, përpara se të ulej në tryezë së bashku me njerëzit në nevojë, të cilët kishin ardhur në Castel Gandolfo pranë Borgo Laudato si’ për të kaluar një pasdite vëllazërie me Atin e Shenjtë.
