Kërko

Papa Leoni XIV në Abacinë e Shën Benediktit në Montecaassino Papa Leoni XIV në Abacinë e Shën Benediktit në Montecaassino

Nga varri i Shën Benediktit në Montecassino, Papa larton një lutje për paqen

Vizitë private, sot paradite, më 20 korrik, në komunitetin murgar dhe në Abacinë e Shën Benediktit Abat në Montecassino. Lutja e Leoni XIV mbi varrin e Shën Benediktit, më pas dreka me murgjit benediktin dhe kthimi në Castel Gandolfo.
Vatican News

Në një kohë kur shumë vende të botës vazhdojnë të përjetojnë dhunë, luftëra dhe pasiguri, Papa Leoni XIV zgjodhi t'i drejtohej Zotit me lutje nga një prej vendeve më domethënëse të krishterimit evropian. Sot paradite, më 20 korrik, Ati i Shenjtë zhvilloi një vizitë private në Abacinë e Montecassinos, ku u ndal në lutje pranë varrit të Shën Benediktit, bashkëpajtorit të Evropës.

Sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa ia besoi ndërmjetësimit të Shën Benediktit "lutjen për paqe në ato rajone të botës të shënuara nga gjaku dhe konflikti". Ishte një gjest i thjeshtë, por me një domethënie të thellë shpirtërore, që e vendos sërish paqen në qendër të misionit të Kishës.

Abacia e Montecassinos, e ngritur nga vetë Shën Benedikti në shekullin VI, është djepi i jetës benediktine dhe një nga simbolet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të Evropës. Në këtë vend, ku heshtja dhe lutja bashkohet me kujtesën e historisë, Papa Leoni XIV kaloi disa çaste në meditim përpara se të bashkohej me komunitetin murgar për drekë.

Vizita përkon edhe me jehonën e fjalëve që Shën Benedikti vendosi në Prologun e Rregullës së tij, duke cituar Psalmin 33 (34): "Kërko paqen dhe ndiqe atë". Një ftesë që sot tingëllon më e nevojshme se kurrë për njerëzimin.

La preghiera sulla tomba di San Benedetto

Lutja pranë varrit të Shën Benediktit  (@Vatican Media)

Abacia e Shën Benediktit në Montecassino mbart edhe plagët e historisë. E shkatërruar gjatë bombardimeve të Luftës II Botërore dhe më pas e rindërtuar, Abacia është kthyer në një simbol të vuajtjes, të ringritjes dhe të pajtimit. Pikërisht këtu, vetëm pak ditë më parë, u zhvillua ceremonia e dhënies së çmimit "Pacis Nuntius 2026" për kardinalin Pierbattista Pizzaballa, Patriarkun Latin të Jerusalemit, si vlerësim për dëshminë e tij në shërbim të paqes.

Pas takimit me bashkësinë benediktine, Papa Leoni XIV u kthye në rezidencën verore të Castel Gandolfos, ku po kalon ditët e pushimit. Megjithatë, edhe gjatë kësaj periudhe qetësie, Ati i Shenjtë vazhdon të dëshmojë se lutja për paqen mbetet një nga shqetësimet dhe përparësitë më të mëdha të papnisë së tij.

Vizita private që Papa Leoni XIV zhvilloi sot në Abacinë e Montecassinos hyn në vazhdën e lidhjes së thellë që papët e shekullit XX dhe të mijëvjeçarit të ri kanë pasur me manastirin e themeluar nga Shën Benedikti, zemra e traditës murgare perëndimore dhe simbol i paqes, pajtimit dhe rilindjes së Evropës.

20 korrik 2026, 16:37