Kërko

Papa Leoni XIV me Presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella Papa Leoni XIV me Presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella

Urimet e Papës për Mattarellën: "Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj Kishës"

Papa Leoni XIV i dërgoi një telegram Presidentit të Republikës Italiane me rastin e 85-vjetorit të lindjes, duke e siguruar se lutet për "detyrën e lartë" që kryen në shërbim të popullit dhe duke ia besuar ndërmjetësimit të shenjtorëve pajtorë të vendit, Françeskut të Asizit dhe Katerinës së Sienës

Vatican News

Mirënjohje për "vëmendjen e vazhdueshme" me të cilën shoqërohet "jeta kishtare dhe shoqërore" e Italisë dhe për besimin te shenjtorët e saj mbrojtës, Françesku i Asizit dhe Katerina e Sienës. Kështu Papa Leoni XIV i drejtohet Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në një telegram të dërguar dje, 23 korrik, me rastin e 85-vjetorit të ditëlindjes. Një urim, vazhdon teksti, që shoqërohet nga bekimi apostolik drejtuar familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe vetë "Italisë së dashur".

Vizita e Leonit XIV në Quirinale e mesazhi për paqe

Papa Leoni XIV e vizitoi më 14 tetor 2025 selinë e presidencës italiane Quirinale, ku mbajti një fjalim të përqëndruar në multilateralizmin dhe mbështetjen për familjet, në një Evropë ku shkalla e lindjeve, vuri në dukje Leoni, është "dukshëm në rënie".

Papa u përqendrua edhe në luftërat e vazhdueshme në mbarë botën, duke  ftuar për të parë fytyrat e shumë njerëzve "të mbingarkuara nga egërsia irracionale e atyre që planifikojnë pa mëshirë vdekjen dhe shkatërrimin" në luftërat e shumta e "që po e shkatërrojnë planetin tonë", dhe ta dëgjojmë britmën e tyre. "Jetojmë në kohë në të cilat, së bashku me shumë shenja shprese, ka edhe shumë vuajtje të rënda, që e lëndojnë njerëzimin në mbarë botën dhe kërkojnë përgjigje urgjente dhe largpamëse" – vuri në dukje Papa, në fjalimin e tij të 14 tetorit 2025, duke takuar presidentin Mattarella. - "Angazhimi i parë që dua të theksoj në këtë drejtim është ai për paqen. Luftëra të shumta e shkatërrojnë planetin", denoncoi Ati i Shenjtë, duke bërë një “thirrje të zjarrtë që të vazhdohet puna për të rivendosur paqen në çdo anë të botës dhe për të kultivuar e për të promovuar gjithnjë e më shumë parimet e drejtësisë, barazisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve, të cilat janë themeli i saj i domosdoshëm".

Presidenti Mattarella, nga ana e tij, pati theksuar angazhimin e Leonit XIV për "qendërzimin e personit njerëzor" dhe të dialogut. Një angazhim, që u ripohua dhe u lavdërua vazhdimisht nga Presidenti italian në mesazhe të tjera dërguar Papës, si ai një vit pas fillimit të shërbesës së tij Papnore e edhe me rastin e Pashkëve.

24 korrik 2026, 11:07