Kërko

Papa: si një përrua, që të çon te burimi i tij, muzika na çon te Zoti

Leoni XIV merr pjesë në takimin e lutjes dhe të vëllazërimit “Kënga e Paqes" në Borgo Laudato Si', në Kopshtet Papnore të Castel Gandolfo, së bashku me Andrea Bocelli-n dhe korin ABF Voices, të përbërë nga zëra fëmijësh nga Uganda, Toka e Shenjtë dhe Italia. "E gjithë bota nuk mjafton për të shuar etjen tuaj për kuptim dhe lumturi", u thotë ai atyre, duke i siguruar për lutjet e tij të vazhdueshme që harmonia të mbretërojë në vendet e prekura nga lufta

Vatican News

         Muzika mund të na çojë përtej pragut të misterit. Sepse, ashtu si dikush, që ecën pranë një përroi, arrin deri te burimi i tij, ashtu edhe bukuria e këngës mund të na çojë deri te Zoti, duke shuar etjen për kuptim dhe lumturi, që bota nuk mund ta shuajë. Ky është imazhi i propozuar nga Papa Leoni XIV në reflektimin e tij, gjatë takimit “Kënga e Paqes", mbajtur sonte, më 29 korrik, në Borgon Laudato si', në Kopshtet Papnore të Castel Gandolfo-s. Duke kujtuar "koret e engjëjve dhe të shenjtorëve" të Shkrimit Shenjt, Papa vëren se harmonia e tyre e vërtetë lind nga kundrimi i përbashkët i Zotit, tek i cili mund të çojë edhe muzika tokësore.

Nga Toka Shenjte, Uganda dhe Italia

Nisma, e promovuar nga Qendra Laudato si' për Studime të Avancuara dhe nga Fondacioni Andrea Bocelli, i përfaqësuar nga vetë tenori italian, është pjesë e kremtimeve për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Leximet gjatë veprimtarisë përfshinë disa nga kompozimet e tij, siç është Kënga e Krijesave, si dhe fragmente biblike dhe fjalët e Papëve të ndryshëm, nga Shën Pali VI deri te Shën Gjon Pali II, përfshirë Papën Françesku. Çast lutjeje, i përshkruar nga Leoni XIV si rast "gëzimi", i shoqëruar nga zëri i Bocelli-t dhe nga kori ABF Voices, i përbërë nga 164 fëmijë dhe të rinj nga Toka Shenjte, Uganda dhe Italia. Zëra të bashkuar nga i njëjti pasion, por edhe nga histori të shënuara shpesh nga lufta, varfëria dhe vuajtja. Leoni XIV vërejti se "kënga e tyre e bukur", së bashku me lutjen e fundit të lexuar në shumë gjuhë, dëshmon se muzika mund të bashkojë tone të ndryshme në një harmoni, në të cilën secili ofron një kontribut unik.

“Në këtë kuptim, kori bëhet simbol i harmonisë dhe bashkëpunimit”.

  (@Vatican Media)

Diçka më e madhe se individi

Duke kujtuar "koret" e përshkruara në Shkrimin Shenjt, Papa vëren se uniteti i tyre lind nga fakti se shohin në Zotin "plotësinë e lumturisë".

“Ndërsa këndonit, a e vutë re se si muzika na përfshiu të gjithëve në një përvojë të re, në diçka më të madhe se gjithçka, që secili prej nesh mund ta krijojë i vetëm? Kjo është përvoja e bukurisë. Ajo hap një horizont të ri dhe zgjon tek ne dëshirën për ta arritur”.

Si përroi drejt burimit

Të ecësh drejt tij do të thotë të zbulosh jo vetëm "diçka", por edhe "Dikë".

“Ashtu siç mund të ndjekim një përrua drejt burimit të tij, edhe bukuria e muzikës na fton të takojmë Atë, që është vetë Bukuria. Në këtë drejtim, vazhdoni të kultivoni dhuratat, që Zoti ju ka dhënë dhe lejoni që t'ju udhëheqin drejt Tij”.

“Ati i Shenjtë lutet për ju”

         Ati i Shenjtë u kujtoi të rinjve se janë bërë për gjëra të mëdha e se bota nuk mjafton për t’ua shuar etjen për kuptim e lumturi. Pastaj, i siguroi:

         “Ati i Shenjtë ju do fort e lutet për ju, për familjet e për vendet tuaja”.

         Së fundi, Papa Leoni XIV falënderoi e bekoi Fondacionin Andrea Bocelli, që impenjohet në favor të fëmijëve e të rinjve, që kanë pak mundësi ekonomike për studim.

  (@Vatican Media)

Si u zhvillua takimi

Takimi i lutjes u paraqit nga kardinali Fabio Baggio, i emëruar Pro-Prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Integruar Njerëzor, duke filluar nga 1 shtatori 2026, dhe Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Laudato Si' për Formimin e Lartë. Përveç kompozimeve të Shën Françeskut të Asizit, u ekzekutua një version muzikor i poemës së Gianni Rodarit "Hëna e Kievit", u lexua një fragment nga enciklika e Papës Françesku “Fratelli tutti”, fragmente nga fjalimi i Shën Palit VI në Kombet e Bashkuara më 4 tetor 1965 dhe një fragment nga fjalimi i Shën Gjon Palit II në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Pallatin e Paqes në Hagë më 13 maj 1985. Gjithçka e ndarë në katër pjesë, që përfunduan me ekzekutimin e Gaelic Blessing dhe me leximin e një fragmenti nga kapitulli 20 i Ungjillit sipas Gjonit.

Lutja e fëmijëve

Pas reflektimit të Papës, fëmijët e pranishëm thanë një lutje në disa gjuhë:

“O Atë, ne jemi fëmijë, kërkojmë vetëm të kemi mundësinë për të luajtur, prandaj, Ti krijove për ne një kopsht të mrekullueshëm ku të jetojmë të lumtur, të mbështjellë me dashurinë Tënde, në harmoni me të gjitha krijesat e Tua, të cilat Shën Françesku na mësoi t'i quajmë vëlla dhe motër. Nuk ditëm të kujdesemi për kopshtin dhe gëzimi se jetonim në të u shndërrua në frikë nga Ti dhe u fshehëm. Por dashuria Jote, ashtu si kur luajmë kukafshehthi, na gjeti: Jezusi, me flijimin e Tij në kryq, na solli paqe, rivendosi bashkimin me Ty, midis nesh dhe me të gjitha krijesat. Të lutemi na mëso si të kujdesemi për kopshtin që të jetojmë të lumtur”.

Veprimtaria përfundoi me ekzekutimin e Amazing Grace dhe me dorëzimin e disa dhuratave për Papën, të përgatitura nga fëmijët dhe të sjella nga vendet e tyre të origjinës.

29 korrik 2026, 20:58