Papa: jeta në bashkësi është dëshmia më e bukur e pranisë së Krishtit
Vatican News
Në një kohë kur individualizmi dhe mbyllja në vetvete rrezikojnë të zbehin jetën e përbashkët, Papa Leoni XIV fton rregulltarët të rizbulojnë bukurinë e bashkësisë si vend ku Zoti shfaqet përmes ndarjes, shërbimit dhe dashurisë vëllazërore.
Ky është mesazhi që Ati i Shenjtë Leoni XIV përcjell në letrën e tij me rastin e 70-vjetorit të Conference of Major Superiors of Men Konferenca e Eprorëve të Mëdhenj të Burrave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e publikuar më 22 korrik. Në të, Papa u bën thirrje instituteve të jetës së kushtuar dhe regulltarëve të japin një dëshmi të bashkuar, të gëzueshme dhe autentike, duke e konsideruar jetën në bashkësi jo vetëm si një mënyrë organizimi, por si një rrugë shenjtërimi dhe një burim të vazhdueshëm frymëzimi.
Letra e Papës i drejtohet rregulltarin pallotin Atë Frank Donio, drejtor ekzekutiv i organizatës që përfaqëson eprorët e instituteve rregulltare mashkullore në SHBA, në kuadër të asamblesë kombëtare që po zhvillohet në Phoenix, Arizona, me temën "Një në Krishtin: jeta në bashkësi sot".
Papa vlerëson angazhimin e Konferencës për krijimin e hapësirave të dialogut dhe për mbështetjen e udhëheqjes së bashkësive rregulltare, duke theksuar se ky shërbim ka ndihmuar në forcimin e dëshmisë publike të të kushtuarve Zotit, të cilët ia kanë përkushtuar jetën e tyre Ungjillit.
Duke rikujtuar fjalët që u drejtoi pjesëmarrësve në kapitujt e përgjithshëm dhe asambletë e kongregatave rregulltare vitin e kaluar, Papa Leoni XIV nënvizon se jeta në bashkësi është një "vend shenjtërimi dhe burim frymëzimi, dëshmie dhe force për apostullimin". Ati i Shenjtë paralajmëron gjithashtu edhe për rrezikun e egoizmave që mund të dëmtojnë jetën vëllazërore, në frymën e mësimeve të Shën Gjon Palit II në nxitjen apostolike ‘Vita consecrata’.
Në qendër të mesazhit të Papës është një ftesë e thjeshtë, por thellësisht ungjillore: të bashkëndash gjithçka. Jo vetëm të mirat materiale, por edhe përvojat shpirtërore, idealet apostolike dhe shërbimin e dashurisë ndaj të tjerëve. Pikërisht në këtë bashkëndarje, shkruan Leoni XIV, bëhet e dukshme prania e fshehtë e Krishtit të Ngjallur në mesin e bashkësisë rregulltare.
Në përfundim, Ati i Shenjtë Prevost uron që reflektimi, dialogu dhe lutja e përbashkët gjatë kësaj asambleje të forcojnë edhe më shumë bashkimin ndërmjet instituteve rregulltare dhe ndërmjet vetë anëtarëve të tyre, në mënyrë që dëshmia e jetës së kushtuar të jetë gjithnjë e më e bashkuar, e gëzueshme dhe autentike.
