Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: industria e konsumit ndonjëherë e helmon zemrën, po Zoti "e zgjeron jetën"

Gjatë kremtimit të Engjëllit të Tënzot nga Sheshi i Lirisë, në Castel Gandolfo, Papa Leoni XIV paralajmëroi rreziqet e një tregu që "ndryshon shijen", nuk na ngop dhe na nxit të befasohemi nga takimi me Jezusin, "thesarin e fshehur, perlën me vlerë të madhe, rrjetën që mbledh të shpërndarët". Bashkësia e Kishës realizohet nga njerëz me origjina, kultura, aftësi dhe nivele përgjegjësie të ndryshme, por Zotit i pëlqejnë më shumë të përjashtuarit.

Vatican News

Helmi i "industrisë së konsumit" e "ndryshon shijen" duke ngjallur nevoja gjithnjë e më urgjente, që të ngopesh me përgjigje të thata, të dëmshme dhe kufizuese. Mbretëria e Zotit është diçka tjetër: është ​​frymëmarrjeje, hapësirë e gjerësi ​​jetese për të gjithë. Sepse ndryshimi është gjithmonë një "më shumë", kurrë një "më pak". Këto janë njohuritë që Papa Leoni XIV i ofroi këtë të diel, 26 korrik, në Engjëllin e Tënzot para besimtarëve të mbledhur në Piazza della Libertà të Castel Gandolfos, ku do të jetë deri nesër për pushimet verore.

Takimi me Zotin, një pikë kthese që nuk kufizon

Fjalimi i Papës nis nga mësimi ungjillor i Jezusit i cili, përmes njërës nga shëmbëlltyrat e tij, e krahason Mbretërinë e Zotit me një margaritar dhe një thesar, për të kuptuar "të papriturën e atyre që e gjejnë atë, të cilën as nuk mund të shpresonin", deri në atë pikë sa ta shikojnë heqjen dorë nga pasuritë e tyre si fitim. Një thirrje, pra, ajo që vjen nga Zoti, i cili që nga faqet e para të Ungjijve përshkruhet si "i papërmbajtshëm", vëren Papa, që kujton më pas edhe karakteristikat e mëtejshme: "i lirë", por edhe "urgjent" e gati të japë përgjigje të menjëhershme e të nxitur nga dëshira.

Ky është aspekti i parë i rëndësishëm i mënyrës, që na kujton sesi Zoti është afër e se mund të gjendet: takimi me Mbretërinë e Tij është pikë kthese që nuk e kufizon, por e zgjeron jetën. Nëse diçka duhet të ndryshojë tani, është për më shumë mundësi, jo për më pak.

"Bukuria në shtigje të ndryshme"

Jezusi thekson edhe një aspekt të dytë: ai që gjen thesarin e fshehur në arë është ndoshta fermer; ndërsa, perlës i njihet vlera e madhe nga një tregtar, a ndoshta një udhëtar. Leoni XIV thekson më pas se si këto pasohen nga dy shëmbëlltyra të tjera, në të cilat protagonistët janë disa peshkatarë dhe një shkrues ekspert në gjëra të vjetra dhe të reja. Ndër të tjera, vazhdon ai, Mbretëria mund të shihet në një grua që brumos miellin, në një tjetër që rregullon shtëpinë e saj, në një mbret që planifikon luftë, në një burrë që projekton një kullë, në administratorët që menaxhojnë pagesat ose investimet, në barinjtë dhe fermerët. Shkurt, një "bukuri e paçmuar, në shtigje të ndryshme" që i thërret të gjithë, sepse është universalisht e kuptueshme, në një ripërtëritje të thellë.

Edhe sot, Kisha është bashkësi njerëzish të ndryshëm për origjinë, për kulturë, për kompetenca dhe nivel përgjegjësie, por të gjithë të thirrur ta njohin veten si "një" në Jezu Krishtin: Ai është thesari i fshehur, perla e çmuar, rrjeta që mbledh të shpërndarët. Që në fillim, Jezusi thirri dhe mblodhi rreth vetes njerëz që, përndryshe, nuk do të ishin takuar kurrë. Në këtë mënyrë, tregoi se Zoti nuk ka anësi dhe se zgjedhja e tij është parapëlqimi, veçanërisht për ata që janë të vegjël dhe të përjashtuar nga radhët e shoqërisë.

Dallimi i perlës së vërtetë

Dhurata që duhet t'i kërkojmë Zotit, pra, është e njëjta që e deshi mbreti i ri Solomon: ta dallojmë perlën me vlerë të madhe, ta njohim thesarin për të cilin ia vlen të shitësh gjithçka.

Ndërsa industria e konsumit ndryshon shijen tonë, duke ngjallur vazhdimisht nevoja të reja dhe më pas duke na shitur përgjigje që nuk arrijnë të na kënaqin e nganjëherë e na e helmojnë zemrën, ne duhet të mësojmë të kuptojmë atë që ka vërtet rëndësi, thesarin e marrëdhënies sonë me Zotin, që na çon drejt gëzimit dhe na ndihmon t’i jetojmë në kulm marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin.

26 korrik 2026, 13:20

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >