Papa do të takohet më 12 dhjetor me meshtarët italianë
Vatican News
Leoni XIV do të takohet më 12 dhjetor me klerin italian, që do të mblidhet pasditen e ditës së mëparshme për një çast reflektimi dhe një mbrëmësore lutjeje. Ky aktivitet i dyfishtë përkon me përvjetorin e parë të Letrës Apostolike të Papës "Besnikëri që lind të ardhmen", botuar në 60-vjetorin e Dekreteve Konciliare "Optatam Totius" dhe "Presbyterorum Ordinis".
Letra e presidentit të Cei-t ipeshkvijve
Presidenti i Konferencës ipeshkvnore italiane, Kardinali Matteo Zuppi, thekson se ngjarja është "mundësi e çmuar për bashkim, lutje dhe vëllazëri" e për të "ripërtërirë angazhimin tonë ndaj Krishtit dhe gatishmërinë tonë për t'i shërbyer atij në Kishë e në popullin që na u besua". "Papa na kujton se besnikëria nuk është palëvizshmëri, as përsëritje e lodhshme, por hir për t'u mirëpritur dhe udhëtim i përditshëm kthese ", nënvizon Kardinali, duke theksuar se dy Dekretet Konciliare, "Optatam Totius" dhe "Presbyterorum Ordinis", ndërsa ruajnë "të gjithë rëndësinë e tyre", ndihmojnë "për të ruajtur shërbesën priftërore në lidhjen e gjallë me Krishtin dhe Kishën, në bashkim me ipeshkvin, në vëllazërinë e presbiteratit dhe në shërbim të Popullit të Zotit". "Ne nuk jemi të thirrur vetëm të kujtojmë, por - nxiti - të përqafojmë një mandat për të tashmen dhe të ardhmen".
Të lutemi, të mbështesim njëri-tjetrin e të rigjejmë gëzimin e thirrjes
Në letrën e tij, Kardinali Zuppi kujton "bujarinë e priftërinjve tanë dhe besnikërinë e përulur me të cilën, çdo ditë, shpallin Fjalën, kremtojnë Eukaristinë, shoqërojnë njerëzit dhe mbrojnë bashkësinë", por edhe "vështirësitë e tyre, vetminë, dekurajimin dhe barrën e përgjegjësive në rritje".
"Ne nuk duam t'i fshehim këto vështirësi, por as nuk duam t'i lejojmë të kenë fjalën e fundit", shton ai, duke vënë në dukje se ekziston edhe "nevoja për t'u lutur së bashku", për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të "rizbuluar gëzimin e thirrjes sonë". E është i sigurt se "takimi me Papën" do të na ndihmojë të ndihemi "më të përforcuar në fenë tonë, më të inkurajuar në misionin tonë dhe më të bashkuar në kungim".
"Asnjë Barí - përfundon - nuk jeton as nuk shërben vetëm: kemi nevojë për njëri-tjetrin, për lutje të përbashkët, dëgjim dhe vëllazëri konkrete, që e mbështet besnikërinë tonë dhe lind të ardhmen".
