Papa: çdo mjet teknologjik të jetë në shërbim të së vërtetës e të së mirës
Vatican News
Titullohet "Sfidat e inteligjencës artificiale" Seminari VII ndërkombëtar mbi komunikimin e Kishës, që u zhvillua më 27-28 korrik në Universitetin Katolik Papnor në Santiago të Kilit. Në takim morën pjesë komunikues, punonjës baritorë, akademikë dhe përfaqësues kishtarë nga Amerika Latine dhe Karaibet, për të dalluar sfidat etike, kulturore dhe fetare të inteligjencës artificiale, në dritën e enciklikës Magnifica humanitas të Leonit XIV. E ishte pikërisht mesazhi i Papës - me firmën e Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin - që e përuroi seminarin.
Të përballohen sfidat e IA-së me urti e përgjegjësi
Në tekstin drejtuar René Osvaldo Rebolledo Salinas, President i Konferencës Ipeshkvnore Kiliane, Papa i inkurajoi pjesëmarrësit të nxisin "një formë komunikimi që, përballë mundësive të reja të ofruara nga zhvillimi teknologjik, e ruan dinjitetin e njeriut dhe e përdor çdo mjet në shërbim të së vërtetës dhe të mirësisë". Leoni XIV i kërkon Shpirtit Shenjt t’i ndriçojë reflektimet dhe të ndihmojë në përballimin e sfidave të inteligjencës artificiale "me mençuri e përgjegjësi, në mënyrë që komunikimi kishtar të kontribuojë në takimin ndërmjet njerëzve dhe në shpalljen e Ungjillit".
Ndikimi i mediave shoqërore
Duke hapur punimet, kardinali Fernando Natalio Chomalí Garib, Kryeipeshkëv i Santiago de Chile, reflektoi mbi ndikimin e mediave sociale, duke theksuar se këto janë hapësira "vërtetësisht njerëzore", sepse pasqyrojnë emocione, lidhje dhe konflikte. "Çdo gjë që na ndodh ne, ndodh edhe atje", kujtoi, duke propozuar katër kritere themelore për komunikim: e vërteta, mirësia, bukuria dhe dobia. Sipas kardinalit, enciklika Magnifica Humanitas (mbi mbrojtjen e personit njerëzor në epokën e inteligjencës artificiale) nuk duhet të interpretohet vetëm nga një perspektivë teknologjike: "Sot ka shumë diskutime rreth inteligjencës artificiale, por kjo enciklikë flet sidomos për dinjitetin njerëzor, për të vërtetën".
Të forcohet jeta komunitare
Për Chomali Garib, komunikimi sipas këtyre parimeve do ta forconte jetën komunitare, duke e shndërruar në një shoqëri jashtëzakonisht individualiste: "Si përfundim promovojmë dialogun, promovojmë vëllazërinë; në fund të fundit, ne do të ndërtojmë Jerusalemin, jo Babelin", deklaroi ai. Këto koncepte u përsëritën në homelinë e bashkëkremtimit eukaristik, të cilën e kryesoi më pas, e në të cilën, duke e përcaktuar Magnifica Humanitas si enciklikë "Kristologjike", bëri thirrje për komunikim të vëmendshëm dhe të mprehtë duke theksuar edhe që inteligjenca artificiale të vihet në shërbim të dinjitetit njerëzor.
Shqetësimet e Kishës
Ndërmjet diskutimeve, kujtojmë edhe ato të rektorit të Universitetit Katolik Papnor të Kilit, Juan Carlos de la Llera, e të Kryeipeshkvit Rebolledo Salinas, të cilët vunë në dukje se takimi përfaqëson shprehjen konkrete të sinodalitetit dhe të udhëtimit të përbashkët të Kishës, duke shtuar se botimi i Magnifica Humanitas i dha thellësi të re shqetësimeve baritore të Kishës.
"Dinjiteti i paprekshëm i personit njerëzor duhet të përbëjë parimin, kriterin dhe qëllimin si të zhvillimit teknologjik, ashtu edhe të progresit shkencor", theksoi ai.
