Kërko

Imzot Inácio Saúre, Kryeipeshkëv i Nampulas dhe President i CEM-it, me Papën Leoni  XIV Imzot Inácio Saúre, Kryeipeshkëv i Nampulas dhe President i CEM-it, me Papën Leoni XIV

Mozambik: Papa Leoni XIV pranë Kishës së plagosur

“Imzot Osório u vra sepse e donte jetën. Ai është një martir i fesë dhe një Kishë martirësh është një Kishë e fortë dhe e palëkundur”. Një muaj pas vrasjes së ipeshkvit të Quelimanes, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore tregon për takimin me Papa Leonin XIV. “Ati i Shenjtë e ndjek nga afër këtë ngjarje dhe na fton ta shndërrojmë këtë tragjedi në një udhë shprese”.

Vatican News

Një muaj pas vrasjes tragjike të imzot Osório Afonso, ipeshkvit të Quelimanes, Kisha Katolike në Mozambik vazhdon të jetojë mes dhimbjes, lutjes dhe kërkimit të së vërtetës. Në këtë klimë të rëndë, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës katolike të Mozambikut (CEM), imzot Inácio Saure, së bashku me nënkryetarin imzot João Carlos dhe kryeipeshkvin e nderit të Beirës, imzot Claudio Dalla Zuanna, u pritën nga Papa Leoni XIV dhe nga përfaqësues të dikastereve të Selisë së Shenjtë.

Takimi, sipas ipeshkvijve mozambikanë, ishte shumë më tepër se një vizitë zyrtare. Ata ndien afërsinë e Atit të Shenjtë jo vetëm përmes fjalëve të tij publike, por edhe gjatë bisedës personale. "E kuptuam se Papa e njeh mirë realitetin që po jetojmë në Mozambik dhe se e ndjek nga afër këtë ngjarje të dhimbshme. Ati i Shenjtë Leoni XIV na ftoi ta shndërrojmë këtë tragjedi në një rrugë shprese", thanë ipeshkvijtë pas takimit.

Që nga mëngjesi i 6 qershorit, kur u përhap lajmi për vrasjen e ipeshkvit imzot Afonso në rezidencën e tij, Kisha katolike në Mozambik ka jetuar ditë zie dhe shqetësimi të madh. Për të garantuar vazhdimësinë e jetës baritore në dioqezën e Quelimanes, Konferenca Ipeshkvnore ka ngarkuar imzot Estevão Ângelo Fernando, ipeshkëv i Alto Molócuès, që të ndjekë nga afër situatën.

Megjithatë, edhe pas një muaji, rrethanat e krimit mbeten të paqarta. Imzot Inácio Saure shprehu keqardhjen për mungesën e një versioni zyrtar të ngjarjes. Deri tani dihet vetëm se imzot Osório u vra me armë zjarri të kalibrit të rëndë, një armë lufte. Pas atentatit u arrestuan kancelari i dioqezës, bashkëpunëtor i afërt i ipeshkvit, si edhe një meshtar tjetër, atë Celso. Ndërkohë autoritetet sekuestruan telefonat celularë të imzot Osórios dhe të imzot Estevão Ângelo Fernando, i cili është emëruar administrator apostolik i Quelimanes.

Sipas ipeshkvijve, hetimi ndodhet tërësisht në duart e Shërbimit Kombëtar të Hetimit Kriminal (SERNIC), ndërsa Kisha nuk ka marrë ende asnjë informacion zyrtar mbi zhvillimet e çështjes. Për këtë arsye mbeten pa përgjigje pyetjet më të rëndësishme: kush e vrau imzot Osórion, kush e urdhëroi atentatin dhe cilat ishin motivet e vërteta të këtij krimi?

Ipeshkvijtë shprehën gjithashtu shqetësimin e tyre për spekulimet që po qarkullojnë në media dhe në rrjetet sociale, ku ngjarja paraqitet si rezultat i mosmarrëveshjeve të brendshme kishtare. Sipas tyre, përhapja e hipotezave të pabazuara rrezikon të pengojë zbulimin e së vërtetës dhe të ndikojë negativisht në hetime.

Kryeipeshkvi i Maputos, imzot João Carlos, kujtoi se vrasja e një bariu shpirtëror në shtëpinë e tij ka tronditur jo vetëm komunitetin katolik, por mbarë popullin mozambikan. Në një vend ku dhuna është bërë pjesë e përditshmërisë, njerëzit vazhdojnë të kërkojnë përgjigje dhe, mbi të gjitha, një fjalë shprese nga Kisha.

Ngjarja, sipas ipeshkvijve, ka nxjerrë në pah edhe disa sfida të brendshme me të cilat duhet të përballet Kisha. Ato lidhen me nevojën për një koherencë më të madhe ndërmjet Ungjillit të shpallur dhe jetës konkrete të disa meshtarëve e personave të shuguruar, si edhe me fenomenin e individëve me ndikim ekonomik që financojnë kandidatët për meshtari, duke krijuar më pas forma të papërshtatshme ndikimi mbi shërbimin e tyre.

Duke kujtuar historinë e viteve të fundit në Mozambik, ipeshkvijtë vunë në dukje se shumë hetime mbi vrasjet e figurave politike, zyrtarëve të shtetit apo gazetarëve nuk kanë arritur kurrë të zbardhin plotësisht të vërtetën. Për ta, drejtësia është kusht i domosdoshëm për pajtimin e shoqërisë dhe për rikthimin e besimit tek institucionet.

Megjithatë, mes gjithë kësaj dhimbjeje, shpresa mbetet e gjallë. Vizita në Romë u dha ipeshkvijve bindjen se e gjithë Kisha universale dëshiron të ecë pranë Mozambikut në këtë periudhë të vështirë. Ata u kthyen me besimin se vetëm mbi themelin e së vërtetës mund të ndërtohen drejtësia, pajtimi dhe paqja.

Në tragjedinë e vdekjes së imzot Osórios, ipeshkvijtë e Mozambikut shohin edhe një thirrje për ripërtëritje. Ata besojnë se kjo plagë mund të shndërrohet në një mundësi për ta kuptuar më mirë mënyrën se si vepron e keqja dhe për të forcuar jetën e Kishës. Prandaj synojnë ta ndajnë përvojën e tyre me të gjithë ipeshkvijtë e vendit dhe të vazhdojnë së bashku rrugën e kërkimit të së vërtetës, pajtimit dhe shërimit shpirtëror.

Trashëgimia e imzot Osórios mbetet ajo e një bariu që ia kushtoi jetën shpalljes së Ungjillit dhe shërbimit ndaj popullit të tij. Për këtë arsye, në përfundim të vizitës së ipeshkvijve mozambikanë në Vatikan, imzot Inácio Saure e përmblodhi domethënien e kësaj ngjarjeje me fjalë të forta:

"Imzot Osório u vra sepse e donte jetën. Ai është një martir i fesë dhe një Kishë martirësh është një Kishë e fortë dhe e palëkundur. Kështu po e jeton këtë ngjarje Kisha në Mozambik: me një dhimbje të pamasë, por edhe me një shpresë të madhe. Sepse, në fund të fundit, martirizimi është ai që e forcon Kishën; sjell vuajtje, por e bën atë edhe më të fortë".



10 korrik 2026, 11:17