Leoni XIV: vera, kohë për ta jetuar Ungjillin e paqes e të mëshirës
Vatican News
"Pushimet" janë "hapësirë pezullimesh nga punët dhe shqetësimet, gjatë të cilave mund të shijojmë përvoja të mirëfillta miqësie e ndarjeje", për të "provuar parapërgatitjen e asaj vëllazërie e atij bashkimi, që mundemi e që do ta jetojmë edhe në Mbretërinë e Zotit". Ky është urimi që shpreh Leoni XIV në përgjigjen e letrës drejtuar prej Maurizios nga Roma, e botuar në numrat e korrikut e të gushtit të revistës "Piazza San Pietro".
Lexuesi, mirënjohës ndaj Papës "për impenjimin e tij të vazhdueshëm e të palodhur që të na udhëheqë ne besimtarëve me fjalë paqeje, shprese dhe drite në këtë kohë të paqëndrueshmërisë së konsiderueshme midis popujve", mes "konflikteve në përkeqësim", shtron pyetje për "kuptimin e fesë në jetën e përditshme" dhe si të "ushqehet përshpirtëria më e vetëdijshme dhe autentike" që mund të "përkthehet në gjeste konkrete" ndaj "të tjerëve".
Maurizio nga Roma i kërkon Papës këshilla "se si ta jetojmë këtë stinë vere në mënyrë që të bëhet edhe shtegtim shpirtëror, e jo vetëm pushim nga rutina e përditshme". "Për t'u rritur në fenë tonë", përgjigjet Leoni, "duhet përdorur edhe stina e verës që të jetohet Ungjilli i paqes dhe i mëshirës".
Mos i harroni më të ligshtët
Duke reflektuar mbi këtë kohë pushimesh, Papa Leoni XIV i drejton mendimet e tij së pari tek "të varfrit" si dhe "tek të gjithë ata që nuk mund ta shijojnë as një periudhë të shkurtër pushimi, të shtypur nga pesha e vështirësive të çdo lloji": "të sëmurët, ata që kanë humbur besimin në jetë", të mbingarkuar "nga dhimbja e humbjes së të dashurve, viktimat e luftës, urrejtjes, terrorizmit dhe dhunës", e edhe "ata që persekutohen për fenë dhe drejtësinë e tyre, të burgosurit, ata që mbeten pa punë, pa shtëpi, migrantët e padëshiruar". Më pas Papa i uron "të krishterët", që periudha e verës të jetë "mundësi për përvoja të frytshme shoqërore dhe fetare, për të thelluar misionin e tyre në Kishë dhe në shoqëri".
"Le të mos u mungojë të sëmurëve afërsia e familjeve dhe vullnetarëve të tyre gjatë këtyre muajve të verës", vazhdon Papa Leoni XIV në përgjigjen e tij, duke shpresuar se shumë persona do të vendosin "ta kalojnë një pjesë të pushimeve të tyre në një angazhim vëllazëror solidariteti".
Duke u përgjigjur në letrën e Maurizios nga Roma, Papa i fton familjet të mos i braktisin të moshuarit, ndërsa "vullnetarët", të zotohen "t’u sjellin njerëzim dhe shpresë atyre që vuajnë". "Do të shihni frytet e hirit", e "shumë dashuri", "gëzim" e "lumturi" do ta mbushin "jetën tuaj", shtoi Ati i Shenjtë, duke shpjeguar se është "privilegj" të mbështesim "të varfrit" dhe ta dëshmojmë "varfërinë ungjillore. Ky është shërbimi që i bëjmë vetë Krishtit".
Rekomandime për pushimet
Leoni XIV rekomandon, "gjatë pushimeve", shmangien e "tepërt e shpërdorimin, materializmin e konsumizmin" dhe të edukuarit "me maturi" dhe nxit qëndrueshmërinë "me stil jetese të krishterë". "Dashuria dhe hiri i Zotit na arrijnë çdo ditë, gjithmonë" - siguron Papa - duke inkurajuar ndihmën e ndërsjellë "në çdo bashkësi", në mënyrë që "kjo trashëgimi objektive e njerëzimit dhe e paqes, shpresa e vetme për t'i dhënë të ardhme një bote të kërcënuar nga lufta", të mos humbasë! Kjo trashëgimi mund të shpëtohet vetëm nga "fuqia hyjnore e dashurisë së Jezusit".
