Leoni XIV: Zoti vepron në vogëlsi, durim dhe përvujtëri
Vatican News
Të përvetësojmë “një stil ungjillor”, pa iu kundërvënë me nxitim "gjykimeve arrogante", pa u imponuar “me pushtet dhe me forcë” dhe pa humbur “besimin në veprimin e Zotit”. Kjo është thirrja që Leoni XIV bëri sot gjatë ljutjes së Engjëllit të Zotit, e diel, 19 korrik, nga Piazza della Libertà e Castel Gandolfo-s, ku po kalon një periudhë verore pushimi dhe lutjeje.
Me besimtarët e shumtë, banorë dhe turistë që u mblodhën, pa marrë parasysh vapën, përpara Pallatit Apostolik të qytetit mbi liqenin Albano, ku mbërriti më 5 korrikun e kaluar, Papa udhëhoqi lutjen mariane të Engjëllit të Zotit, duke e shpjeguar me një koment të Ungjillit të kësaj së diele të 16-të gjatë vitit kishtar, konkretisht fragmentin nga Mateu (13,24-43), që përmbledh disa shëmbëlltyra, me të cilat Jezusi e përshkruan Mbretërinë e Qiellit.
Bota e shndërruar nga brenda
Janë tri figurat me të cilat Mesia, pas shembëlltyrës së mbjellësit, u flet turmave: gruri i mirë dhe egjra, fara e sinapit dhe tharmi në miell. Kujtojnë, shpjegonLeoni XIV, jo vetëm mbërritjen e Mbretërisë së Zotit në histori, por "veprimin e saj në jetën e njerëzve, mënyrën se si ajo rritet, zgjerohet dhe e shndërron botën nga brenda". Në këtë mënyrë, Jezusi "paralajmëron" nga tundimi i mendimit për Hyjin si "figurë e fuqishme, që imponohet me forcë, që pushton hapësirën për të dominuar, që arrin triumfalisht".
Përkundrazi, Zoti e favorizon vogëlsinë, shenjë e dashurisë së tij të matur, e cila na lë të lirë ta mirëpresim ose ta refuzojmë, kërkon të hapë rrugën e saj edhe midis barërave të këqija, vepron fshehurazi dhe në mënyrë të padukshme si fara më e vogël nga të gjitha dhe mbrun në heshtje brenda brumit, pa bërë zhurmë”.
Zoti është edhe aty, ku nuk shihet
Ajo që del nga këto shëmbëlltyra ungjillore është, sipas Papës, diçka "e rëndësishme" diçka që lidhet me mënyrën se si Zoti "punon në jetën tonë, e edhe në histori", veçanërisht në lidhje me pritjet tona. Në të vërtetë, ndodh që pritja është për diçka "të kumbueshme", një Zot që, duke ndërhyrë nga lart, "i shkul menjëherë barërat e këqija"; një Zot "i fortë dhe i fuqishëm" të cilit ia përshtatim edhe mënyrën tonë "për të qenë të krishterë dhe Kishë".
Ndërsa, kujton Papa, "Mbretëria e Zotit përhapet edhe ndërmjet barërave të këqija" dhe kërkon një vështrim "të aftë ta kapë të mirën që mbin edhe në errësirën e së keqes, pa e gjykuar gjithçka menjëherë". Ashtu si "më e vogla e farës", kërkon durim për të ditur si t'i "shoqërosh" proceset, për ta njohur atë "në vogëlsinë e jetës së përditshme dhe në thjeshtësinë e jetës së zakonshme". Dhe rritet "në mënyrë të padukshme si tharmi në miell", duke na çliruar nga çkurajimi dhe duke na ftuar "të kemi besim" edhe kur duket "se Zoti mungon".
Në të vërtetë, Zoti na shoqëron gjithmonë dhe dashuria e Tij është gjithmonë në veprim për ne.
Të vegjël dhe në shërbim të të tjerëve
Leoni XIV bën thirrje që ky "stil i Zotit" të bëhet "mënyra në të cilën, si individë, ashtu edhe si Kishë, të banojmë në realitetin që na rrethon". Papa më pas kujtoi fjalët e Kardinalit Joseph Ratzinger, kur në një fjalim të mbajtur në vitin 2000 në Konferencën e katekistëve dhe mësuesve të fesë, na nxiti t'i nënshtrohemi "logjikës së farës", e cila "nuk është ajo e suksesit dhe e madhështisë", por përkundrazi, na bën thirrje të bëhemi "të vegjël dhe t’i shërbejmë jetës së njerëzve".
Në këtë mënyrë, ne vetë do të bëhemi si farë e vogël e Ungjillit që mbin e si tharm dashurie, e shndërron brumin e botës.