Kërko

Pope Leo XIV leads Mass in Castel Gandolfo

Leoni XIV: në gusht, meshë në Assisi, Rimini dhe dy herë në Castel Gandolfo

U publikua kalendari i kremtimeve liturgjike të kryesuara nga Papa në muajin gusht. Më 6 gusht, me të rinjtë, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi; më 15 gusht, për festën e Zojës së Madhe, në kishën e Shën Tomës së Vilanovës, në Castel Gandolfo, ashtu si në vitin 2025; në datën 22, në Portin e Riminit, pas fjalimit të tij në Takimin për Miqësinë ndërmjet Popujve; më 29 gusht, përsëri në Castel Gandolfo, në kishën e Zojës së Liqenit

Vatican News

         Meshë me të rinjtë në Asizi të enjten, më 6 gusht; kremtimi i Zojës së Madhe në Castel Gandolfo të shtunën, më 15 gusht; kremtimi në Rimini më 22, pas vizitës në Takimin për Miqësinë ndërmjet Popujve; së fundi, një meshë e dytë në Castel Gandolfo të shtunën, më 29 gusht, në kishën e Zojës së Liqenit, në orën 18.00. Ky do të jetë kremtimi i fundit publik i Papës Leoni XIV për gushtin 2026, i ndjekur nga një procesion me varka në liqenin Albano për festën e Zojës së Liqenit. Kështu njoftoi sot, 30 korrik, Zyra për Kremtimet Liturgjike Papnore, duke publikuar kalendarin e Papës për gushtin.

Nga Asizi, në kishën e Zojës së Liqenit në Castel Gandolfo

Të enjten, më 6 gusht, në festën e Shndërrimit të Zotit, Papa do të bëjë një vizitë baritore në Asizi dhe në orën 10.30 do të kremtojë meshën për pjesëmarrësit e rinj në veprimtarinë "Shkoni! Takimi i të Rinjve Françeskanë" në Bazilikën Papnore të Shën Marisë së Engjëjve në Porziuncola. Të shtunën, më 15 gusht, në orën 10.00, Leoni XIV do të kryesojë kremtimin e Solemnitetit të Ngjitjes së Zojës në Qiell në Castel Gandolfo, në famullinë papnore të Shën Tomës së Vilanovës, ashtu siç bëri edhe vitin e kaluar. Të shtunën, më 22 gusht, Papa do të kryesojë kremtimin në Portin e Riminit në orën 6.30 pasdite, pas fjalimit të tij në Takimin për Miqësinë ndërmjet Popujve, mbajtur në panairin e Riminit. Së fundi, të shtunën, më 29 gusht, gjithnjë në Castel Gandolfo, do të kremtohet mesha në kishën e Zojës së Liqenit, shuguruar më 15 gusht 1977 nga Papa Pali VI, i cili porositi ndërtimin e saj dhe, e vizituar nga Papa Gjon Pali II më 2 shtator 1979.

30 korrik 2026, 12:32