Shenjtërorja e Nënës së Zotit të Skapularit të Shenjtë në Berdychiv, Ukrainë Shenjtërorja e Nënës së Zotit të Skapularit të Shenjtë në Berdychiv, Ukrainë

Leoni XIV: të lutemi për paqen dhe për ata që vuajnë nga lufta në Ukrainë

Në Letrën e Misionit Papnor drejtuar Sekretarit të Vatikanit Marrëdhënieve me Shtetet, Imzot Gallagher për kremtimet e 35-vjetorit të ripërtëritjes së strukturave të Kishës së Ritit Latin në atë vend evropian, që është Ukraina, Papa kujton "persekutimin mizor" që vuajti bashkësia kishtare lokale në shekullin e 20-të dhe si dhe ripërtëriu kërkesën e paqes për botën e për familjet.

Vatican News

Papa Leoni XIV u bën thirrje besimtarëve të luten për paqen dhe për të gjithë ata që vuajnë nga pasojat e luftës në Ukrainë. Kjo është zemra e mesazhit që Ati i Shenjtë përcjell në Letrën drejtuar kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, të cilin e ka caktuar si të dërguarin e tij të posaçëm në kremtimet e 35-vjetorit të ripërtëritjes së strukturave të Kishës së ritit latin në Ukrainë.

Kremtimet do të zhvillohen më 19 korrik 2026 në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Skapularit të Shenjtë, në Berdychiv, ndërsa emërimi i të dërguarit papnor u bë i ditur më 20 qershor përmes botimit në L’Osservatore Romano.

Letra e mëparshme e Gregorit IX

Në letër, Leoni XIV përsëriti fjalët e letrës që i pati shkruar Papa Gregori IX në vitin 1234, klerit dhe besimtarëve të ritit latin, që banojnë në territorin e Ukrainës së sotme, në të cilën deklaroi se Kisha i kushtohet me dashamirësi të veçantë "besimtarëve të saj të devotshëm dhe të përvuajtur", e që të mos mundohen nga shqetësimet e njerëzve të këqij, ajo i mbron me mbrojtjen e kujdestarisë së saj amtare".

Ata, vazhdonte letra e Papës, "të ndezur nga zelli i fesë dhe i devocionit, ofruan një fortesë mbrojtëse për zgjerimin e adhurimit të Emrit hyjnor dhe, për këtë arsye, shpesh pësuan ngacmime, dëmtime dhe plaçkitje nga duart e persekutorëve të fesë së krishterë, të cilët vazhdimisht ngritën kurthe për ta".

"Persekutimi mizor" në shekullin XX

Në shekujt pasues, shkruan Papa, kleri dhe besimtarët katolikë që jetonin në atë vend, ofruan një "dëshmi të fuqishme feje" gjatë të gjitha ngjarjeve të ndryshme të historisë, veçanërisht në shekullin e 20-të, kur, në fund të Luftës II Botërore, "Ukraina iu nënshtrua regjimit të frymëzuar nga ideologjia sovjetike". Gjatë asaj periudhe, "Kisha Katolike në atë rajon iu nënshtrua persekutimit mizor, të organizuar dhe të zbatuar nga autoritetet civile, qëllimi i të cilit ishte zhdukja e saj e plotë ndërmjet popujve".

Rindërtimi

Më pas, bashkësia kishtare e Vendit evropian "ringjalli jetën e zhvillimin", duke festuar tridhjetë e pesë vjetorin e rindërtimit të institucioneve të saj, njëkohësisht me njëzet e pesë vjetorin e vizitës apostolike të Shën Gjon Palit II.

Të kërkosh paqen

Me emërimin si i dërguar i posaçëm, Papa Leoni XIV i dha Kryeipeshkvit Gallagher autoritetin për të kryesuar ritet liturgjike të planifikuara në Berdychiv, duke i përgëzuar të gjithë besimtarët ukrainas, të gjallë dhe të vdekur, të cilët vuajnë ose kanë vuajtur "thellësisht për shkak të brutalitetit të luftës". Për më tepër, Papa kërkoi që pjesëmarrësit të nxiten të "luten për paqen, për botën dhe për familjet, si dhe të ruajnë besnikërinë ndaj urdhërimeve të Zotit".

11 korrik 2026, 12:42