Shtëpia Botuese e Vatikanit publikon një libër të ri të Papës Leoni XIV, titulluar "E çarmatosur dhe çarmatosëse. Paqja është dhuratë". Shtëpia Botuese e Vatikanit publikon një libër të ri të Papës Leoni XIV, titulluar "E çarmatosur dhe çarmatosëse. Paqja është dhuratë".

Leoni XIV: jo armët bërthamore, por çarmatimi sjell paqe

Shtëpia Botuese e Vatikanit publikon një libër të ri të Papës Leoni XIV, titulluar "E çarmatosur dhe çarmatosëse. Paqja është dhuratë". Vëllimi, i redaktuar nga Alessandro Banfi, është antologjia e parë, ku përfshihen ndërhyrje të ndryshme të Atit të Shenjtë mbi temën e paqes, që nga zgjedhja e tij më 8 maj 2025. Hyrja, e shkruar prej tij, është teksti i mëposhtëm, i pabotuar deri tani

Leoni XIV

"Paqja qoftë me ju!": kjo ishte përshëndetja e parë, që Jezusi i Ngjallur u drejtoi apostujve të vet (Gjn 20,19). Kjo është edhe dhurata e parë, që Krishti i ringjallur u ofroi miqve të vet dhe gjithë botës: paqja. Por, ajo dhuratë nuk ishte “me çmim të lirë”: trupi i lavdishëm i Mësuesit të Nazaretit mbajti plagët e Mundimeve. Ai duroi urrejtjen, dhunën dhe kryqëzimin e botës. Jezu Krishti vuajti padrejtësitë, i çarmatosur dhe çarmatosës dhe, u ringjall. Mesazhi i Ungjillit ishte dhe vazhdon të jetë pjesë e historisë. Sot, ashtu si dy mijë vjet më parë.

Paqja është një dëshirë e madhe, që shqetëson shumë zemra, megjithatë shpesh kërcënohet, shkelet dhe përqeshet. Sot, jo pak, por 103 shtete, në një farë mënyre, janë përfshirë në luftë në gjithë globin (1). Armët gjëmojnë dhe vrasin në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Sudan, Mianmar, Jemen, Kongo dhe në shumë vende të tjera.

Paraardhësi im i dashur, Papa Françesku, shpiku shprehjen "Luftë III Botërore pjesë-pjesë" për të përshkruar një situatë konflikti të përhapur, të paparë që nga fundi i Luftës II Botërore. Duke përshkuar ndërhyrjet e mia mbi këtë temë, të mbledhura tani në këtë antologji, dua të theksoj disa aspekte, që i kam më për zemër.

Para së gjithash, paqja është përgjegjësi. Nëse instinkti ynë i parë kur përballemi me ndonjë problem që hasim, me ndonjë tension që përjetojmë, me ndonjë fyerje që e vuajmë është të gjykojmë të tjerët, t'i akuzojmë dhe madje t'i dënojmë, është e pashmangshme që të na rrethojnë fillimisht indiferenca dhe pastaj urrejtja. Ka një mënyrë për ta parë realitetin, e cila shkatërron e nuk ndërton. Ndërsa paqja fillon nga vetvetja. Ajo fillon me ne.

Shën Augustini thoshte: "Këto janë kohë të vështira, janë kohë ankthi, kohë fatkeqësie. Jetoni mirë dhe, me jetën e mirë, ndryshojini kohërat: ndryshojini kohërat dhe nuk do të keni pse të ankoheni" (2). Nuk mund t'u kërkojmë të pushtetshmëve të botës paqe, nëse nuk fillojmë ta jetojmë vetë, duke nisur nga marrëdhëniet tona të përditshme: në familje, në shtëpi, në qytete, në vendet ku punojmë. Paqja arrihet me gjeste të vogla të përditshme: një buzëqeshje e dhuruar, një fyerje e falur, një fjalë e mirë.

Gjithashtu, paqja arrihet me të vërtetën. Edhe ata që bëjnë luftë pretendojnë se veprojnë "në emër" të paqes. Askush nuk ka guximin të deklarojë se dëshiron luftë, për hir të luftës: edhe të pushtetshmit e Tokës e dinë se çdo njeri aspiron drejtësinë dhe dëshiron të jetojë në paqe. Sidomos pas pasojave të tmerrshme të ngjarjeve të Hiroshimës dhe Nagasakit, përdorimi i luftës është gjithnjë e më shumë një "aventurë pa kthim", siç pati theksuar Shën Gjon Pali II (3).

E kam kujtuar disa herë thirrjen e zjarrtë, që Shën Pali VI i drejtoi Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ajo që i bashkon njerëzit, vuri në dukje paraardhësi im i nderuar, është një pakt i vulosur “me një betim, që duhet ta ndryshojë historinë e ardhshme të botës: jo më luftë, jo më luftë! Paqja, paqja duhet ta udhëheqë fatin e popujve dhe të gjithë njerëzimit!” (4).

Sidomos në epokën atomike, pohimi i së vërtetës duhet të gjejë rrugën e vet: nuk janë armët atomike ato që sjellin paqen, por çarmatimi. Kjo e vërtetë, e cila dukej krejt e qartë dekadave të fundit, gjatë të cilave kemi qenë dëshmitarë të një lloj çarmatimi bërthamor, është errësuar nga gara e sotme e armatimeve, që frikëson dhe tmerron. Siç shkruan këngëtari dhe poeti Bob Dylan, duke iu drejtuar në mënyrë figurative bombës atomike, në një nga kompozimet e tij poetike: «Të urrej, sepse të krijoi njeriu dhe njeriu të zotëron e njeriu të përdor» (5).

Kisha, sot, bën me përvujtëri një pyetje për të gjithë: a duhet njeriu të vazhdojë të banojë në Tokë? Kombinimi i dominimit kibernetik me riarmatimin global na shtyn ta shqyrtojmë seriozisht këtë pyetje.

Paqja kërkon dëshmitarë. Kjo antologji na e bën të qartë këtë përmes forcës së shumë fytyrave. Figurat për të cilat flitet këtu, përfshirë të Lumin Floribert Bwana Chui, Shërbëtorët e Zotit Giorgio La Pira dhe Dorothy Day, janë emblematike për shumë burra dhe gra që, personalisht, kanë favorizuar paqen, duke kapërcyer tundimin e korrupsionit, duke ndihmuar të varfrit dhe duke promovuar diplomacinë.

Krahas burrave dhe grave të njohur, paqja mishërohet nga "protagonistë të panjohur", që kanë ndjekur ndërgjegjen. Historia shpesh i është afruar katastrofës bërthamore. Kronikat tregojnë për vendimin e një njeriu të vetëm, oficerit sovjetik Stanislav Petrov, që ndihmoi për shmangien e një lufte të mundshme bërthamore globale: ishte 26 shtatori 1983. Radari i bunkerit pranë Moskës, ku Petrov ishte roje, zbuloi lëshimin e disa raketave balistike ndërkontinentale nga Shtetet e Bashkuara, që drejtoheshin kah Bashkimi Sovjetik. Por, ishte një gabim në sistemin e kontrollit satelitor sovjetik. Petrov, duke sfiduar urdhrat, vendosi të mos e raportonte sulmin e supozuar: një vendim i marrë me ndërgjegjen e atij, që e dinte se ai akt i thjeshtë mund të kishte shkaktuar miliona vdekje.

Një botë në të cilën makinat, sado të sofistikuara dhe më të shpejta se ne, vendosin të bombardojnë njerëz të pambrojtur, do të ishte vërtet e tmerrshme. Ndërgjegjja e një njeriu të vetëm mund të vlejë sa e gjithë bota.

Së fundi, paqja ka nevojë për shpresë. Kisha do të vazhdojë të predikojë dashurinë për të gjithë burrat e gratë. Nëse ka diçka që bota po e kërkon sot, besoj se është një mesazh shprese për të ardhmen. Le ta shohim të nesërmen me shpresë, pasi kemi gjetur të vetmin burim për të në mesazhin e Jezu Krishtit. Sepse thelbi i mësimit të Krishtit është ky: bamirësia, dashuria, dhënia e jetës për të tjerët e mposht vdekjen, izolimin dhe dhunën: "Unë erdha që ata të kenë jetë dhe ta kenë me begati" (Gjn 10,10).

Atyre, që ka rrezik të bien në tundimin e dëshpërimit përballë shumë luftërave që po zhvillohen në botë, u drejtoj ftesën që Papa Piu XI i bëri të gjithë Kishës: "Ta falënderojmë Zotin, që na bën të jetojmë në kohë të vështira. Tani, askujt nuk i lejohet të jetë mediokër". Zoti na udhëheqtë në shtigjet e mospërdorimit të dhunës. Besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë mos pushofshin kurrë së vepruari si artizanë të paqes. Secili prej nesh e bëftë paqen kauzë të jetës së tij, ose të saj.

Nga Vatikani, 19 qershor 2026

 

(1) Shih Indeksin Global të Paqes 2026, Sydney 2026.

(2) Shën Agustini i Hiponës, Diskurse, 311, 8.8.

(3) Shën Gjon Pali II, Lutja për paqe, 2 shkurt 1991.

(4) Shën Pali VI, Fjalimi drejtuar Kombeve të Bashkuara, 4 tetor 1965.

(5) Bob Dylan, Largohu bombë (Go away you bomb), 1963.

21 korrik 2026, 08:15