Leoni XIV: “Bukuria na ndihmon ta ngremë shikimin drejt qiellit”
Vatican News
Në Castel Gandolfo, gjatë qëndrimit të tij veror, Papa Leoni XIV mori pjesë në një koncert të organizuar, më 18 korrik në mbrëmje, nga Dioqeza e Albanos si shenjë afërsie dhe dashurie ndaj Atit të Shenjtë. Në fund të mbrëmjes, Ati i Shenjtë Leoni XIV ndau një reflektim të thellë mbi fuqinë e bukurisë, muzikës dhe artit, duke nënvizuar se ato janë një dritë shprese në një botë të trazuar.
“Jetojmë në një botë ku mungon bukuria. Ka shumë probleme, luftëra, konflikte, urrejtje, dhunë, papunësi dhe shumë vështirësi të tjera. Prandaj, mundësia për t’u mbledhur në një rast si ky është një dhuratë e madhe. Ajo na kujton se jeta është më shumë se gjithçka që na rëndon. Kur burrat dhe gratë bashkohen me vullnet të mirë, ata janë të aftë të krijojnë bukuri, një bukuri që flet nga zemra në zemër dhe na ndihmon të shohim më larg, duke ngritur shikimin drejt qiellit”, tha Papa.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ati i Shenjtë Leoni XIV kujtoi edhe udhëtimin e tij në Spanjë, të zhvilluar pak më shumë se një muaj më parë, ku tema qendrore ishte pikërisht ngritja e shikimit drejt qiellit.
“Muzika, arti dhe bukuria janë mjete që na ndihmojnë të ecim drejt Zotit dhe të zbulojmë atë që është më e mira në qenien njerëzore”, theksoi Papa, duke reflektuar mbi rolin e artit si një forcë që e ngre njeriun përtej vështirësive të së tashmes dhe e udhëheq drejt shpresës.
Koncerti u zhvillua në oborrin e Pallatit Apostolik në Castel Gandolfo. Violinisti Marco Rogliano interpretoi Polakën me variacione nga Koncerti i Tretë për violinë i Niccolò Paganinit, ndërsa pianistja Rossana Tomassi Golkar interpretoi Fantazinë e lirë dhe variacionet mbi “Norma” të Vincenzo Bellinit, të kompozuara nga Luis Bacalov, e shoqëruar nga orkestra I Musici di Parma, nën dirigjimin e maestro Pier Carlo Orizio.
Mbrëmja u hap nga ipeshkvi i Albanos, imzot Vincenzo Viva, i cili shprehu mirënjohjen e Kishës vendore për rikthimin e Papës në Castel Gandolfo. Ai shpjegoi se koncerti ishte “mënyra jonë për të thënë faleminderit dhe për të ndarë së bashku dhuratën e muzikës simfonike”.
Duke iu referuar operës Norma të Bellinit, ipeshkvi imzot Viva kujtoi veçanërisht gratë dhe nënat që, në shumë skenarë lufte anembanë botës, mbajnë barrën më të rëndë të konflikteve së bashku me fëmijët dhe familjet e tyre. Pikërisht tek ato, tha ai, pasqyrohet shpresa për një të ardhme të pajtuar, në përputhje me thirrjen e vazhdueshme të Papa Leonit XIV për paqe që nga fillimi i pontifikatit të tij.
Programi i koncertit krijoi një dialog mes dy figurave të mëdha të muzikës italiane të shekullit XIX, Niccolò Paganini dhe Vincenzo Bellini. Dy vepra të bashkuara nga bukuria e melodisë dhe nga aftësia për të ndërthurur virtuozitetin instrumental me gjuhën e operës.
Interpretimi i Normës, vetëm me piano dhe orkestër, rikrijoi udhëtimin shpirtëror të protagonistes – nga dhimbja drejt faljes dhe flijimit – duke e shndërruar një histori personale në një mesazh universal mbi forcën e dashurisë dhe paqes. Një mesazh që, siç u theksua edhe në programin e koncertit, mund të jehojë edhe “në ajrin e trazuar nga erërat e luftës”.
Në fund të koncertit, një qiell i mbushur me yje, i projektuar mbi ekranin pas orkestrës, u bë simboli i kësaj shprese universale. Papa Leoni XIV përshëndeti artistët dhe të pranishmit, duke ndaluar për përshëndetjen tradicionale përpara se të largohej nga oborri i Pallatit Apostolik.
