Leoni XIV: bota ka nevojë për paqe e fryte të mira
Vatican News
Kjo është lutja e parë e Engjëllit të Zotit që Papa Leoni kremton në Castel Gandolfo, ku u zhvendos për të kaluar një kohë të shkurtër verore pushimi dhe lutjeje. Pritja nga banorët, turistët dhe besimtarët, mbledhur në Piazza della Libertà, në Castel Gandolfo me pamje nga Pallati Apostolik, ishte madhështore dhe festive, pavarësisht diellit në zenitin e tij dhe kolonës së merkurit, që prekte 40 gradë Celsius. Gjatë katekizmit, Papa Leoni komentoi shëmbëlltyrën e famshme ungjillore të mbjellësit, që përshkruan bujarinë dhe besimin me të cilin Zoti përhap Fjalën e tij në zemrat tona, marr nga Ungjilli i kësaj së diele të 15-të gjatë vitit kishtar.
Mrekullitë e dashurisë
Ndonjëherë, si në historinë e Mateut ungjilltar, fara e Fjalës së Zotit has në tokë të fortë, të pandjeshme, shkëmbore ose të rritur ndër ferra; në raste të tjera, në tokë pjellore gati për mbjellje. E pikërisht në ato çaste, pohoi Papa, ndodhin "mrekullitë e dashurisë", të afta të ndryshojnë gjithçka tjetër. Prandaj, Zoti vazhdon dhe nuk ndalet kurrë së mbjelluri, "ngaqë e di se fuqia e dashurisë së tij është më e fortë se ligështia jonë".
Bujaria e Zotit ndaj nesh nuk është naive, por e mençur, e Ai e di si ta kuptojë brenda nesh mundësinë e një të mire, që ndonjëherë ne vetë nuk e kuptojmë. Për këtë arsye, Zoti, i cili e njeh mirë terrenin e zemrave tona më mirë sesa e njohim ne vetë, nuk pushon kurrë së besuari tek ne, në atë që jemi, e në atë që mund të bëhemi, ditë pas dite, nëse i dorëzohemi Atij me fe.
Frytet e Shpirtit
Duke cituar Shën Gjon Gojartin, Papa këmbënguli në nevojën për të vazhduar mbjelljen në zemrën njerëzore e për të përftuar ato fryte të Shpirtit, për të cilat bota ka kaq shumë nevojë.
Kështu, nga bujaria dhe besimi me të cilin mbillet fara dhe nga përulësia e gatishmëria me të cilën pranohet, frytet e Shpirtit Shenjt Zot rriten brenda nesh dhe përhapen. Këta, siç na mëson Shën Pali, janë: "dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirësia, besnikëria, butësia, vetëkontrolli" (Gal 5,22). Sa shumë ka nevojë bota jonë për këto fryte: që të jetë e mbushur dhe e shndërruar prej tyre!
Pushimi dhe lutja
Nuk mungoi, para lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, edhe ftesa e Leonit XIV në këtë kohë pushimesh, për të kombinuar pushimin dhe kënaqësinë e shëndetshme, me dëgjimin dhe leximin e Fjalës së Zotit, e me heshtjen e lutjen, në mënyrë që të kthehemi në detyrat e përditshme të ripërtërirë në trup dhe në shpirt dhe "gjithnjë e më të aftë për të bashkëpunuar në rritjen e Mbretërisë së Zotit", duke shpallur Ungjillin.
Edhe Papa Leoni pranoi, duke përshëndetur shtegtarët që i bënë një pritje të jashtëzakonshme në Castel Gandolfo, se është në atë "fshat të bukur" për të gjetur pushim e ngushëllim në këto ditë të nxehtësisë së fortë të verës.
Flamurit vigan varur në sheshin e Castel Gandolfos me shkrimin "Mirë se vini Papa Leoni" dhe brohoritjeve, Papa iu përgjigj me një lëvizje të pazakontë me papamobilin në përfundim të lutjes s[ Engjëllit të Zotit, në mënyrë që besimtarët të mund ta arrinin dhe ta përshëndesnin të gjithë, nga afër.