Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV  (ANSA) Editorial

Fjala e Papës është gjithmonë ajo e Bariut

Edhe kur flet për paqen e për luftën, për mirëpritjen e emigrantëve, apo për mënyrën si të mbetesh njeri në epokën e inteligjencës artificiale, Pasardhësi i Pjetrit, Papa është dhe mbetet prijës shpirtëror.

Vatican News

Andrea Tornielli

Edhe kur flet për paqen e për luftën, për mirëpritjen e emigrantëve, apo për mënyrën si të mbetesh njeri në epokën e inteligjencës artificiale, Pasardhësi i Pjetrit është dhe mbetet prijës shpirtëror. Fakti që Ipeshkvi i Romës, në bazë të Pakteve Laterane të vitit 1929, që zgjidhën "Çështjen Romake", është gjithashtu sovran i shtetit më të vogël në botë - më pak se gjysmë kilometri katror në zemër të kryeqytetit italian - nuk do të thotë se ai vepron ose shprehet si politikan, kur prek çështje që kanë të bëjnë me punët e njerëzimit tonë.

E shpjegonte mirë Pali VI, duke folur më 4 tetor 1965 në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: "Ky takim, ju të gjithë e kuptoni – pati thënë Papa Montini - shënon një çast të thjeshtë, e të madh. Të thjeshtë, sepse keni përpara jush një njeri si ju; ai është vëllai juaj, e ndërmjet jush, përfaqësues të shteteve sovrane, njëri nga më të vegjlit, i veshur edhe ai, nëse kështu ju pëlqen të mendoni, me një shkronjë të vogël, me një sovranitet thuajse simbolik tokësor, aq sa të jetë i lirë të ushtrojë misionin e tij shpirtëror dhe t'i sigurojë të gjithë ata që merren me të, se është i pavarur nga çdo sovranitet botëror".

Papa, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtoi menjëherë, duke folur për veten: "Ai nuk ka kurrfarë pushteti tokësor, as ndonjë ambicie për të konkurruar me ju; në të vërtetë, ne nuk kemi asgjë për të kërkuar, asnjë pyetje për të bërë; nëse ka ndonjë gjë, kemi një dëshirë për të shprehur dhe një leje për të kërkuar,  mund t'ju shërbejmë në çka na u dha të bëjmë, pa pikë interesi, me përvujtëri e dashuri".

Është e vërtetë se, për të garantuar lirinë absolute të Mëkëmbësit të Krishtit, pothuajse njëqind vjet më parë u përcaktua se do të kishte një copë të vogël toke ku Ipeshkvi i Romës dhe Bariu i Kishës universale do të ishte gjithashtu sovran e, për këtë arsye, edhe kreu i shtetit. Por kjo ishte - dhe është - një konventë për të njohur pikërisht këtë nevojë për pavarësi nga çdo shtet tjetër, jo pohimin e një misioni të dyfishtë. Çdo lartim a teprim i rolit të Papës si kreu i shtetit, çdo theksim mbi rëndësinë e këtij roli, është pra mashtrues, sepse minon misionin e tij të vetëm, të vërtetë, si Bari universal. Bari, që u flet katolikëve, të krishterëve, besimtarëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, me një qëllim të vetëm për të shpallur Ungjillin, mesazhin e tij të dashurisë, të vëllazërisë e të paqes "të paarmatosur dhe çarmatosëse".

Kjo u nënvizua mirë nga Kardinali i atëhershëm Giovanni Battista Montini, Kryeipeshkvi Kardinal i Milanos, duke folur në Kodrën e Kapitolit më 10 tetor 1962, në prag të përurimit të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. Në atë fjalim, Papa i ardhshëm, duke folur për fundin e pushtetit tokësor të Kishës me rënien e Shteteve Papnore në vitin 1870, tha: "Pikërisht atëherë papati rifilloi me një energji të paparë, rolin e tij si mësues i jetës dhe dëshmitar i Ungjillit, në mënyrë që të lartohej në nivele të tilla në qeverisjen shpirtërore të Kishës dhe në ndikimin e saj moral në botë, jo më si më parë".

Kur kërkon që jeta njerëzore të respektohet dhe të mbrohet gjithmonë në çdo fazë të ekzistencës së saj, kur flet për paqen duke pasur parasysh të mirën e të gjithë popujve dhe bën thirrje për t’i dhënë fund garës së çmendur të armatimeve, duke tejkaluar madje konceptin e një “lufte të drejtë”, kur fton për dialog dhe negociata, duke kujtuar Magjisterin e Doktrinës Shoqërore të Kishës, kur kërkon t’i konsiderojmë emigrantët si njerëz që duhen mirëpritur, pa e harruar kurrë dinjitetin e tyre njerëzor, kur na kujton se të varfrit janë në qendër të Ungjillit dhe se duhet të ndërtojmë shoqëri më të drejta dhe të barabarta, kur mbron të drejtën e lirisë fetare, kur thekson rëndësinë e mbrojtjes së Krijimit dhe të transmetimit të tij tek fëmijët dhe nipërit tanë, Pasardhësi i Pjetrit nuk flet si kryetar Shteti. Eshtë  thjesht duke shpallur Ungjillin.

13 korrik 2026, 11:25