Kërko

2026.06.15 papa incontra anziani

E diel, 26 korrik, Dita VI Botërore e Gjyshërve dhe e të Moshuarve

Mesazhi i Atit të Shenjtë Leoni XIV: një mundësi për të rizbuluar se Kisha është e thirrur të jetë nënë për të gjithë dhe se në çdo moshë është gjithmonë e mundur të kuptojmë se jemi bij dhe bija të Zotit

Vatican News

Edhe këtë vit kremtohet Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve, tashmë, në përvjetorin e saj të gjashtë. Nisma, e themeluar nga Papa Françesku dhe e vijuar nga Papa Leoni XIV, kremtohet në të gjitha kishat të dielën, më 26 korrik, me temën: "Unë ty kurrë nuk të harroj (Isaia 49,15)".

Në Mesazhin e tij drejtuar botës, Papa Leoni XIV na kujton se Zoti e njeh fytyrën e çdo njeriu dhe se dashuria e Tij nuk shuhet kurrë, as në pleqërinë më të brishtë.

Në tekstin e tij, Ati i Shenjtë thekson se “kremtimi i Ditës Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve është një mundësi për të rizbuluar se Kisha është e thirrur të jetë nënë për të gjithë dhe se në çdo moshë është gjithmonë e mundur të kuptojmë se jemi bij dhe bija të Zotit”, sepse ashtu siç thotë Isaia profet, Zoti nuk na harron kurrë. Duke cituar enciklikën e tij “Magnifica Humanitas”, Papa kujton se “në një epokë, që priret të përshpejtojë dhe të fragmentojë gjithçka, trupi i njeriut vazhdon të kërkojë përkujdesje dhe njohje nga duar të afta për butësi, nga mendje të vëmendshme dhe nga gojë që thonë fjalë të mira. Kultura dixhitale i shumëfishon lidhjet dhe jep mundësi të reja për takim; megjithatë, zemra njerëzore ruan nevojën e pazëvendësueshme për afërsi” (Letra Enciklike, 239).

Leoni XIV kujton sa rëndësi ka që të moshuarit të shihen pa paragjykime, larg një ekonomie të bazuar në fitimin, që i “dobëson lidhjet familjare”, pa harruar se “shumë të moshuar lihen vetëm nga fëmijët e tyre, të cilët detyrohen të migrojnë, ose, në disa raste, të shkojnë në luftë”.

Sipas Papës, edhe në pleqëri, nuk duhet të mungojnë shpresa dhe dëshira për të qëndruar në kontakt me Hyjin Atë: “Për shumë njerëz, zbulimi i butësisë së Hyjit ndodh gjatë gjithë jetës, nganjëherë, pikërisht në fazën e fundit të saj... Në këtë udhëtim të ri, mund të pranojmë se Hyji, siç thotë Shën Augustini, ‘është nënë, sepse ngroh, sepse ushqen, sepse jep qumështin e gjirit të vet, sepse mbron’ (Koment mbi Psalmin 26, II, 18)”.

Duke kujtuar fjalët e paraardhësit të tij, Papës Françesku, i cili i quajti të moshuarit një “popull të ri” dhe, duke marrë parasysh numrin në rritje të njerëzve mbi 70 vjeç gjatë viteve të fundit, Papa Leoni XIV i nxit me vendosmëri të moshuarit të “mendojnë se cila mund të jetë thirrja jonë kur brishtësia, kjo shoqëruese e njeriut që nga lindja, duket sikur mbizotëron. E ndiej se mund t’ju ​​them: mos kini frikë nga brishtësia! Pikërisht kjo dobësi fsheh brenda vetes një potencial të ri, që i shndrit edhe fazat e tjera të jetës”.

26 korrik 2026, 09:23