Thirrja drejtuar trafikantëve të qenieve njerëzore dhe përgjegjësia jonë
R.Sh. / Vatikan
"Ndalu! Kthehu në fe!" Thirrja e Papa Leonit nga Plaza del Cristo në La Laguna, Tenerife, sjell ndërmend thirrjen e fuqishme që pati bërë Shën Gjon Palit II për kthimin në fe të mafiozëve në fund të Meshës në Luginën e Tempujve, në Agrigento, më 9 maj 1993. Asokohe, Papa Wojtyła po u drejtohej anëtarëve të Cosa Nostra-s. Pasardhësi i tij, Leoni XIV iu drejtua trafikantëve të qenieve njerëzore që mashtrojnë, skllavërojnë dhe ushtrojnë dhunë kundër migrantëve të cilët kërkojnë një të ardhme më të mirë.
Pasi dëgjoi disa nga historitë e migrantëve, Leoni XIV i lidhi fjalët më të fuqishme të thirrjes së tij me Shkrimin e Shenjtë: "Ndalo! Kthehu në fe!" fjalë ku ushton thirrja e Jezusit në Ungjillin e Markut. Po ashtu fjalët e Papës se "lotët dhe gjaku i këtyre vëllezërve i kërkojnë shpagim Zotit dhe vuajtjet e tyre arrijnë tek Ai", sjellin në kujtesë reagimin e Zotit kur Kaini vret Abelin, siç lexojmë në Zanafillë, dhe se Zoti i vë vesh dhimbjes së popullit të tij, sikurse lexojmë te Libri i Daljes.
Pasardhësi i Pjetrit, i cili në dy ditët e fundit të udhëtimit të tij në Spanjë, me ndalesa në Gran Canaria dhe Tenerife, kërkoi të përmbushte dëshirën e një udhëtimi të shprehur nga Papa Françesku, paralajmëroi: paratë e marra nga këta vëllezër të varfër nuk do të sjellin paqe, as nder, as të ardhme. Ai i qortoi trafikantët e qenieve njerëzore, duke cituar Shën Palin në Letrën e Dytë drejtuar Korintasve, se për çdo jetë të humbur, çdo familje të mashtruar, çdo trup të nënshtruar, çdo grua të kërcënuar, çdo punëtor të shfrytëzuar, "do të duhet të paraqiteni para drejtësisë hyjnore". Papa, më pas, i nxiti trafikantët të lirojnë ata që mbahen në skllavëri, duke kujtuar se mëshira e Zotit reshë edhe mbi mëkatarin më të ngurtësuar që shfrytëzon dobësinë e grave, të fëmijëve dhe të burrave, por kjo ndodh "përmes derës së ngushtë të së vërtetës, drejtësisë dhe kthimit në fe", siç lexojmë në Librin e profetit Ezekiel.
Edhe pse thirrja më e fortë dhe më profetike është për konvertimin e trafikantëve të qenieve njerëzore, nuk duhet të harrojmë fjalët e tjera që Leoni tha gjatë vizitës së tij dy-ditore në Ishujt Kanarie.
Në portin e Arguineguín, në Las Palmas de Gran Canaria, Papa u përkul para dinjitetit të migrantëve, duke kujtuar se ata nuk janë "numra apo kartela", por "njerëz me familje dhe shtëpi që kanë lënë pas, me ëndrra që askush nuk ka të drejtë t'i përçmojë". Ai gjithashtu deklaroi qartë se jeta e tyre "duhet të mbrohet".
Leoni XIV bëri thirrje për një shqyrtim të ndërgjegjes “për vendet nga vijnë emigranët, të cilat duhet të krijojnë kushte për paqe, drejtësi dhe zhvillim; për vendet nëpër të cilat përshkohen, të cilat duhet t’i mbrojnë dhe jo t’i braktisin të ligështit në duart e grupeve kriminale; për Evropën, e cila nuk mund të shpallë se beson te dinjiteti njerëzor dhe nga ana tjetër të mësohet me Mesdheun dhe Atlantikun si varreza pa gurë varresh; për bashkësinë ndërkombëtare, të thirrur për bashkëpunim efektiv dhe këmbëngulës.”
Ai iu drejtua gjithashtu Kishës, e cila “duhet ta pranojë sfidën” sepse “pritja e emigrantëve nuk mund të jetë diçka dytësore, as t’u lihet në dorë vetëm disa vullnetarëve”. Ne nuk mund të gjunjëzohemi para altarit për të adhuruar Krishtin në Eukaristi dhe pastaj të kalojmë përballë vuajtjeve të këtyre vëllezërve tanë, nënvizoi Papa.
Në portin e Arguineguín, Ipeshkvi i Romës, bëri thirrje për "rrugë të sigurta dhe ligjore, ndihmë dhe asistencë, bashkëpunim të vërtetë kundër trafikantëve, mbrojtje të viktimave, mikpritje dhe integrim si duhet, dhe politika që i lejojnë çdo personi të jetojë me dinjitet në tokën e vet".
Papa Leoni ftoi gjithashtu të gjithë – autoritetet civile, parlamentet, qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe madje edhe bashkësitë e krishtera – të bëjnë një pyetje, një pyetje që mund të përshkruhet si "strukturore": "Çfarë lloj bote kemi ndërtuar nëse kaq shumë vëllezër dhe motra duhet të rrezikojnë jetën në kërkim të së ardhmes?"
Vizita në Ishujt Kanarie shënon një çast historik në papninë e Leonit XIV. Ashtu siç kishte bërë Françesku në Lesbos, Leoni dëshiroi të kujtonte familjen e Nazaretit, Jezus foshnje, Marinë dhe Jozefin, të detyruar të iknin në Egjipt për të shpëtuar jetën e Birit të Hyut, kundër të cilit u derdh zemërimi i Herodit. Ajo familje, Familja e Shenjtë, “mbetet përgjithmonë shembull dhe strehë për çdo familje refugjate, për çdo emigrant dhe për çdo person të detyruar të largohet nga atdheu i vet nga frika, persekutimi ose nevoja”, kujtoi Papa, duke cituar Kushtetutën Apostolike të Piut XII “Exsul Familia”.
Të krishterët nuk mund të harrojnë se Zoti i tyre qe emigrant dhe refugjat. Për këtë arsye, të krishterët janë të thirrur të njohin fytyrën e Jezusit te fytyrat e motrave dhe vëllezërve që trokasin në dyert e vendeve tona në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
