Madrid në pritje të Papës Leon XIV
R.SH. / Vatikan
Madrid është i gjallë si kurrë më parë. Qyteti i përjetshëm i festave po përgatitet për ardhjen e Papës Leonit XIV, pesëmbëdhjetë vjet pas vizitës së Benediktit XVI. Më shumë se 500.000 njerëz janë regjistruar për ngjarjet e kremtimet papnore, dhe çdo lagje duket e mobilizuar. Shishet e ujit shpërndahen tek të pranishmit, muzeumet qëndrojnë të hapura deri vonë, dhe mbi 2.000 meshtarë janë gati për Sakramentin e Rrëfimit dhe biseda personale.
Këshut, në qendër të Madridit, rrugët pulsojnë me jetë. Çdo shesh, çdo cep, çdo hyrje në metro duket si një skenë teatrore e përgatitur për pritjen e Papës Leonit XIV. Aroma e bocadillos de calamares përzihet me freskinë e mëngjesit, ndërsa tingujt e violinave dhe violonçeleve mbushin ajrin, duke i dhënë qytetit një tingull të thellë dhe të përjetshëm.
Qyteti është mobilizuar në çdo detaj: tapetet e mëdha me ngjyrat e Vatikanit, të bardhë dhe të verdhë, shtrihen në sheshe dhe rrugë, të punuara me përkushtim nga alfombristët e Ponteareas, që me gishta krijojnë jo thjesht art, por besim që kalon brez pas brezi. Shumë banorë, sidomos ata të lagjeve periferike, buzëqeshin dhe thonë me humor se Papa Leoni XIV ka bërë një mrekulli edhe pa ardhur: transporti është përmirësuar, shërbimet mjekësore janë dyfishuar dhe hapësirat publike janë pastruar dhe mirëmbajtur.
Rruga kryesore, Gran Vía, nuk ndalon asnjë çast. Turistët dalin nga dyqanet me kujtime, të rinjtë shëtisin duke biseduar e duke vallëzuar, ndërsa banorët kalojnë nëpër metro me ritëm frenetike. Muzika, aroma dhe ngjyrat përzihen me ritmet e përditshme të qytetit, duke krijuar një atmosferë që të mbërthen dhe nuk të lëshon.
Në Plaza de Cibeles, aty ku do të ngrihet altari 55-metra për Meshën e festës së Korpit të Krishtit - Corpus Domini, gëzimi dhe pritja janë të prekshme. Fëmijët që do të marrin Sakramentin e Kungimit të Parë shtrëngojnë duart e prindërve, ndërsa kardinalët dhe ipeshkvijtë përgatiten për ceremoninë solemne. Drita e natyrshme përshkon ndërtesat e Plaza Mayor dhe Gran Vía, duke ndezur një atmosferë magjike që ndërthuret me tingujt e muzikës dhe brohoritjet e besimtarëve.
Në Movistar Arena, kultura dhe feja bashkohen. Antonio Banderas me kompaninë e tij teatrale interpreton pjesë nga Godspell, ndërsa grupi Hakuna sjell ritmet e rinisë dhe muzikës pop të kombinuara me shpirtëroren. Të rinjtë nga e gjithë Spanja do të kalojnë natën në muzeume dhe kisha të hapura, duke krijuar një “Natë të Bardhë dhe të Verdhe” ku arti, lutja dhe takimet njerëzore përzihen në një atmosferë të papërsëritshme.
Në stadiumin Santiago Bernabéu, imazhet e dashura për madrilenët – Nuestro Padre Jesús de Medinaceli dhe Nuestra Señora de la Almudena – do të hyjnë në mënyrë solemne, shoqëruar nga orkestrë e kor të madh, duke lidhur të kaluarën me të tashmen. Flamujt, pankartat dhe ekranet LED me fytyrën e Papës dhe moton “Alzad la mirada” pushtojnë sheshet dhe rrugët, duke përhapur një dritë artificiale që pasqyron emocionet dhe entuziazmin e qytetarëve.
Madrid duket si qytet i festës së përjetshme. Çdo tingull, çdo aromë, çdo ngjyrë dhe çdo buzëqeshje përçon një mesazh të qartë: ky qytet pret Papën Leoni XIV me zemër të hapur, me besim dhe me një energji që kap çdo vizitor. Vizita e Papës nuk është thjesht një ngjarje fetare; është një përvojë e përbashkët, një rit i gëzimit, një përzierje e të kaluarës me të tashmen, e cila mbetet e gdhendur në kujtesën e qytetit dhe të njerëzve që e bëjnë Madridin të gjallë dhe të paharrueshëm.
