Spanjë: Papa të rinjve: përballë indiferencës dhe dhunës, jini njerëzorë

Dje, gjatë vigjiljes në Plaza de Lima në Madrid, së bashku me rreth 600 mijë besimtarë në ditën e parë të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, Papa iu përgjigj pyetjeve të bëra nga të rinjtë dhe të rejat, duke kujtuar vitet e tij si misionar në Peru dhe dëshminë e një besimi “të shënjuar nga shumë vështirësi, por plot shpresë”: jini plotësisht "njerëzorë", “fytyra të besueshme” dhe jo “dukje” për bashkëmoshatarët tuaj, dhe zbuloni shijen e vërtetë të jetës pa pritur pasuri, kënaqësi apo pushtet

R.SH. / Vatikan

“Përballë zbrazëtisë së indiferencës dhe diletantizmit, përballë dhunës së luftës dhe gënjeshtrës, jini ju vetë shkëndija e një njerëzimi të ri. Misioni që po ju besoj është pikërisht ky: të jeni njerëzorë. Po, jini njerëzorë! Burra dhe gra prej mishi e gjaku. Jo dukje, por fytyra të besueshme. Njerëz që kërkojnë drejtësinë sepse kanë uri për të, ashtu si për bukën e përditshme. Njerëz që dëshirojnë një jetë të ndershme dhe të drejtë, sepse u bëjnë me dëshirë të tjerëve atë që do të donin që të tjerët t'u bënin atyre”.

Këtë pohoi Papa Leoni XIV duke iu përgjigjur pyetjeve të të rinjve gjatë vigjiljes së lutjes të mbajtur mbrëmë në Plaza de Lima, në Madrid. “Ju ftoj, të gjithë së bashku, të jeni kripa e tokës dhe drita e botës”, tha Papa, “ju mund ta ndryshoni rrjedhën e historisë, bëjeni këtë me dashuri”.

07 qershor 2026, 08:54