Presidentja e Kongresit të Deputetëve: me Papën për paqen e respektin e dinjitetit njerëzor

Francina Armengol foli, para Leonit XIV, duke u përqendruar në çështjet aktuale ndërkombëtare e duke folur për shqetësimin e krijuar nga ata që, ndërsa duken të fortë, "imponojnë masakrën e mijëra të ligshtëve, pa u ndëshkuar plotësisht". Kërkoi forcimin e institucioneve shumëpalëshe për të siguruar që të mbizotërojnë humanizmi dhe solidariteti.

R.SH. / Vatikan

"Drejtësia do t'ju sjellë paqe, por edhe vështirësi". Francina Armengol, Presidente e Kongresit Spanjoll të Deputetëve, mori hua fjalët e filozofit, mistikut dhe poetit majorkan Ramon Llull, të cilat nga shekulli i 13-të deri më sot kanë qenë parimi udhëheqës i një detyre urgjente: "sfida e stërmadhe kolektive e punës, e bashkuar, për të drejtat e njeriut". Në përshëndetjen e saj drejtuar Leonit XIV sot, 8 qershor, në Kongresin e Deputetëve në Madrid, Armengol foli për epokën aktuale të "ndryshimit të thellë" dhe të "trazirave drastike", ku disa nga më të fortët "imponojnë masakrën e mijëra të ligshtëve, pa u ndëshkuar plotësisht", ndërsa rendi ndërkombëtar i njohur "shkatërrohet çdo ditë", duke mos lënë zgjidhje tjetër veçse për t’i riformuluar masat për një botë më të drejtë.

Paqja kërkon punë krah për krah

Urgjente, sipas presidentes së deputetëve iberikë, të "qëndrojmë në anën e drejtë", me qëllimin e një paqeje politike të qëndrueshme, të ndershme e respektuese të ligjit ndërkombëtar humanitar: paqe që kërkon forcimin e institucioneve shumëpalëshe, jo për të "shumëzuar konfliktet", por për t'i zgjidhur, duke punuar "krah për krah". Kështu, nëse ligjet mbizotërojnë mbi forcën, humanizmi dhe solidariteti do të lejojnë arritjen e qëllimeve demokratike: luftën kundër varfërisë, pasigurisë dhe të gjitha formave të dhunës. Presidentja përmendi ndërmjet sfidave, edhe shpërndarjen e barabartë të mallrave, barazinë e grave me burrat, luftën kundër ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e shëndetit si një e drejtë universale dhe politikat gjithëpërfshirëse, që mbrojnë dinjitetin e të gjithëve, "duke përfshirë migrantët e edhe njerëzit më të varfër".

Në shërbim të njerëzimit

Armengol theksoi edhe detyrën "themelore" për t’i dhënë fund  pabarazive, me besimin se ndryshimi dhe shumëllojshmëria janë "shenja pasurie" dhe se e ardhmja mbillet në "përqafimin e frytshëm" të kulturave. Duke kujtuar enciklikën e fundit Magnifica Humanitas, Presidentja e Kongresit Spanjoll të Deputetëv ripohoi se "teknologjia duhet të jetë në shërbim të njerëzimit" e, më pas, bëri thirrje për forma bashkëpunimi dhe veprimesh të bazuara në parimet e solidaritetit, empatisë dhe përgjegjësisë, të cilat garantojnë barazinë, në mënyrë që "arsyeja e ekzistencës së këtij mjeti të fuqishëm të jetë ndjekja e dinjitetit të të gjithë njerëzve dhe e mira e të gjithë popujve, e jo pasurimi i disa njerëzve, as lufta e ashpër për pushtet, dëshmitarë të cilës jemi sot!”.

Më pas Armengol theksoi nevojën për të orientuar "ekonominë drejt dinjitetit dhe teknologjinë drejt barazisë, stabilitetit dhe përfshirjes". Së fundmi riafirmoi, në emër të Kongresit të Spanjës, angazhimin e saj për paqen, bashkëpunimin ndërkombëtar, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetin e paprekshëm të çdo personi, duke u bashkuar me rastin e takimit me Papën, në "një përgjegjësi të përbashkët, e cila hap rrugën e nevojshme drejt shpresës".

08 qershor 2026, 14:42