Kërko

"¡Te esperamos!". Madridi, qyteti i festës së përjetshme, pret Papa Leonin

Një makinë logjistike mbresëlënëse është vënë në lëvizje për mbërritjen e Leonit XIV në kryeqytetin e Spanjës, pesëmbëdhjetë vjet pas vizitës së Benediktit XVI për Ditën Botërore të Rinisë. Mbi 500,000 vetë janë regjistruar tashmë për ngjarjet e ndryshme papnore. Një shpërthim energjie në një qytet me një gjallëri të pakundshoqe, pas të cilit fshihen probleme urbane dhe shoqërore. Banorët bëjnë shaka se mbërritja e Papës i ka dhënë një shtytje masave që kërkoheshin prej vitesh.

R.SH. / Vatikan

Që Madridi ishte i aftë të organizonte dhe t'i ofronte një pritje madhështore një Pape dihej që nga viti 2011, kur Benedikti XVI kremtoi Ditën Botërore të Rinisë këtu, të fundit të papnisë së tij. Dhe tani, pesëmbëdhjetë vjet më vonë, Papa Leoni XIV – do të jetë në Spanjë nga 6 deri më 12 korrik për udhëtimin e tij të katërt apostolik, duke u ndalur gjithashtu në Barcelonë dhe në Ishujt Kanarie. Makina e përgatitjeve ka disa muaj që është vënë në punë. Shifrat e ilustrojnë këtë: gjysmë milioni njerëz të regjistruar për kremtime të ndryshme papnore; 25,000 shishe uji që do të shpërndahen përgjatë rrugëve dhe shesheve. Pastaj do të ketë muzeume të hapura deri vonë natën, famulli me dyert e tyre të çelura për të mirëpritur vizitorët, mbi dy mijë meshtarë të gatshëm për rrëfime ose biseda, dhe hapësira për pelegrinët për të pushuar.

Një gjallëri e papërmbajtshme

Një shpërthim energjie në një qytet që tashmë shquhet për gjallëri dhe mahnit me ritmin e tij. Deri natën vonë, Madridi është i mbushur me turistë që dalin nga dyqanet, banorë që ngjiten e zbresin në më shumë se 300 km rrugë nëntokësore, dhe të rinj e të reja që shëtisin, pinë duhan para bareve ose kërcejnë në rrugë. Këto rrugë janë shtëpitë e grupeve të muzikantve që luajnë Vivaldin dhe Shostakoviçin. Ndjehet aroma e sanduiçëve me kalamar që  përhapet në ajër, duke u përzier me aromën e luleve. Ndërsa nëpër lulishte sheh aranzhimet simbolike të bardha dhe të verdha, ngjyrat e Qytetit të Vatikanit, të krijuara nga dekoruesit e Ponteareas, Galicia për vizitën papnore. "Aranzhimet tona me lule janë shumë më tepër sesa një shprehje artistike: ato janë një manifestim i besimit që trashëgohet brez pas brezi", thekson Miguel Ángel García i Shoqatës së Dekoruesve të Luleve «Corpus Christi» të Ponteareas.

"Mrekullia"

Qilimat me karafil, kalibrakoa, margarita dhe luledielli janë vetëm një pjesë e vogël e një shfaqjeje më të madhe, vetë një simbol i entuziazmit të prekshëm nga ana e të gjithëve. "Duam Papën! Po e presim këtu", dëgjohet nëpër rrugë. E po ashtu, do të ketë edhe përfaqësues të partive politike që kanë njoftuar mungesën e tyre në takimet institucionale të Papës në emër të laicitetit të shtetit. Do të ketë polarizim, çështje politike dhe kishtare, laicizëm, do të flitet për çështjen e gjuhës katalane dhe më shumë, por e gjithë kjo shkatërrohet nga gëzimi i ethshëm i një udhëtimi të shumëpritur.

Dhe pastaj, siç bëjnë shaka disa banorë, veçanërisht ata në zonat më periferike si lagjja Lucero, Papa  ende pa mbërritur ka kryer "një mrekulli". Domethënë, pasi brenda  vetëm pak ditësh po zbatohen masat që banorët e Madridit kanë kërkuar prej vitesh si: përmirësimi i transportit, dyfishimi i ambulancave, mirëmbajtja e hapësirave të gjelbra. Pas fasadës perfekte të një kryeqyteti evropian gjithmonë festiv, ka edhe vështirësi si ato sociale ku hyn edhe pabarazia ekonomike midis veriut dhe jugut e lindjes; integrimi, "gjentrifikimi", një fjalë që do të thotë se lagjet historike po humbasin banorë për shkak të turizmit; qiratë e larta; smogu; dhe mbingarkesa e pareshtur në autostrada dhe rrugë gjatë orës së kulmit të trafikut.

Hije dhe drita

Kaq shumë hije në një metropol, tipari përcaktues i të cilit është drita. Një dritë që magjeps me atë qartësi të jashtëzakonshme të përjetësuar nga piktorë të ndryshëm, e cila në perëndim të diellit përflak ndërtesat e Plaza Mayor dhe Gran Vía, duke hedhur hije të ndryshme mbi lagje si Lavapiés, me multikulturalizmin e saj të gjallë; Chueca, me elegancën e saj krenare; La Latina, me traditën e saj popullore.

Pas orës 8 të mbrëmjes, kjo dritë natyrale zëvendësohet nga drita artificiale e mbi 300 ekraneve LED në sheshe, që paraqesin fytyrën e një Pape të qeshur dhe logon "Ngrini Sytë”. Imazhet dhe parullat riprodhohen pothuajse kudo: madje edhe në biskota dhe kapele, dhe sigurisht në flamuj, banderola dhe pankarta të varura në fasadat e bashkive, dyert e kishave ose ballkonet e shtëpive private. Këto janë të paktën 3,000, sipas organizatorëve, të cilët raportojnë gjithashtu për projekte masive të instalimeve teknologjike të ekraneve gjigande, altoparlantëve dhe kullave për përhapjen e zërit. E gjithë kjo bëhet që qindra mijëra besimtarë të kenë mundësi të ndjekin ngjarjet edhe nga larg.

Para së gjithash, liturgjia solemne në Plaza de Cibeles, qendra e ngjarjeve të qytetit, ku dje përfundoi «Kryqëzimi» spektakolar romanik. Ky do të jetë në qendër të altarit 55 metra të Meshës së «Korpit të Krishtit», të planifikuar për të dielën, më 7 qershor. Pas saj do të vijojë procesioni përgjatë Calle de Alcalá drejt Gran Vía, ku do të marrin pjesë përveç Papës, kardinalë, ipeshkvinj, meshtarë dhe besimtarë dhe fëmijë që kanë marrë Kungimin e Parë këtë vit.

Mesha, vigjilje, ngjarje muzikore dhe artistike

"Deri më tani, të paktën 10,000 njerëz në ditë kanë kërkuar të marrin pjesë në Meshë dhe Vigjilje", shpjegoi për mediat e Vatikanit Inés San Martin, gazetare argjentinase. Pa përmendur ngjarjen në Movistar Arena, vendi kryesor shumëfunksional i Madridit në lagjen Salamanca, vend i koncerteve, i garave sportive dhe i shfaqjeve të drejtëpërdrejta, ku Papa do të takohet me bashkësinë dioqezane. Në skenë, gjatë takimit që titullohet "Thurja e rrjeteve me botën e kulturës, artit, biznesit dhe sportit", do të jetë aktori i njohur Antonio Banderas dhe trupa e tij teatrale, të cilët do të interpretojnë fragmente nga shfaqja e tyre "Godspell".

Gjithashtu të pranishëm do të jenë artistë nga grupi «Hakuna», një lëvizje, ose më saktë, një fenomen rinor katolik, lindur në Spanjë që po revolucionarizon mënyrën se si të rinjtë jetojnë besimin e tyre, duke ndërthurur përshpirtërinë e fortë me elemente po aq të forta të muzikës pop. "Të rinj nga e gjithë vendi do të vijnë", shpjegon San Martín, ndërsa Real Casa de Correos, selia e qeverisë rajonale në Puerta del Sol, shndërruar në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit, është e zënë me përgatitjet përfundimtare për mbërritjen e afërsisht 2,200 gazetarëve të akredituar.

Pas vigjiljes rinore, Madridi do të përjetojë një lloj «Nate të Bardhë dhe të Verdhë», me muze dhe famulli të hapura. Është një nga nismat më origjinale të të gjithë udhëtimit papnor, sepse të rinjtë do të kalojnë natën midis artit, lutjes dhe takimeve.

E kaluara dhe e tashmja

Shumë nga këta të rinj do të shpërngulen gjithashtu në stadiumin Bernabéu, "shtëpia" e Real Madridit, ku do të zhvillohet takimi i Papës me komunitetin dioqezan. Në atë ngjarje, para Leonit XIV, aty do të hyjnë dy nga fuguret më të dashura të popullit të Madridit: Ati ynë Jezusi i Medinacelit dhe Zonja jonë e Almudenës. Këto do të hyjnë nga anët e kundërta të stadiumit, me procesione të ngjashme me ato të Javës së Shenjtë andaluziane. Në sfond, do të luajë një orkestër me mbi njëmijë vetë, përfshirë korin e DYD 2011. Kështu do të ndërthuret në një fill të vetëm të kuq muzikor e kaluara dhe e tashmja.

05 qershor 2026, 13:04