Kërko

Vizatimi i bërë nga pacientët e Bambino Gesù i dorëzuar Papës nga gazetarët e Vatican Media në fluturimin papnor Vizatimi i bërë nga pacientët e Bambino Gesù i dorëzuar Papës nga gazetarët e Vatican Media në fluturimin papnor

Përshëndetja e pacientëve të Spitalit Bambino Gesù shoqëron Leonin XIV

Ndërsa avioni i Leonit XIV përshkon qiellin evropian në rrugën për në Spanjë, një vizatim i bërë nga pacientët e vegjël të Spitalit të Fëmijëve Bambino Gesù udhëton me të nga Kodra Janiculum.

R.SH. / Vatikan

Nuk duket në programin zyrtar të udhëtimit apostolik. Nuk është përfshirë në fjalimet që Papa do të mbajë gjatë ditëve në vijim, as në takimet gjatë vizitës së tij në Gadishullin Iberik. Megjithatë, e gjen vendin e vet në bord, ndërmjet dokumenteve të përgatitura për vizitën e Papës në Spanjë dhe pritjet e komuniteteve. Disa tipare me pendë, një diell i verdhë, një aeroplan i bardhë, një flamur spanjoll... Është vepra e fëmijëve, që e përfytyruan Papën duke shtegtuar ndërmjet reve.

Dhurata që iu dorëzua Papës në fluturimin për në Spanjë

Fleta e letrës i arriti Leonit XIV gjatë fluturimit. Iu dorëzua nga gazetarët e Vatican Media që marrin pjesë në shtegtimin apostolik. Papa e merr në duar, e shqyrton me vëmendje dhe vë buzën në gaz. Për një çast, shikimi ndalet te hollësirat: çelësat e Pjetrit vizatuar në bishtin e aeroplanit, kryqi i artë rreth qafës së Papës, ndërsa shikon nga dritarja, dielli i madh që ndriçon gjithë skenën. Pastaj, falenderimi.

Nga dhoma e lojërave e Bambino Gesù, te aeroplani papnor

Pas këtyre ngjyrave fshihet një histori, që nis shumë kohë para ngritjes. Fillon në dhomën e lojërave të Spitalit të Fëmijëve Bambino Gesù. Një tavolinë, një kuti lapsash me ngjyra, fletë letre të shpërndara. Rreth tyre, fëmijë nga vende të ndryshme, por të bashkuar nga e njëjta përvojë: ajo e reparteve, vizitave, terapive, pritjeve në dukje të pafundme dhe fitoreve të  vogla, të festuara në heshtje. Atje lindi dhurata për Papën.

Xhulia dhe zemra e vogël pranë firmës

Xhulia nëntëvjeçare është ajo që e drejton punën. Shton një zemër të vogël pranë firmës së saj. Një detaj pothuajse i padukshëm, që pasqyrohet në mënyrë të përsosur në frymëzimin e vizatimit. Sepse ajo fletë letre nuk ishte menduar si mesazh zyrtar. Ngjet më shumë si fëmijët e sjellshëm, që përgatiten për kë  duan. Aeroplani papnor fluturon në atë qiell blu, që ata e kishin imagjinuar. Leoni XIV dallohet nga kryqi rreth qafës dhe dora e ngritur në shenjë përshëndetjeje. Është e natyrshme të pyesësh veten se kujt i drejtohet ky gjest. Popullit spanjoll, që po përgatitet ta mirëpresë? Apor ndoshta-ndoshta edhe atyre artistëve të vegjël, që e presin në kodrën Janiculum.

Një diell i verdhë, një aeroplan dhe buzëqeshja e Leonit XIV

Nuk është hera e parë që ndodh. Gjatë udhëtimit të tij apostolik në Afrikë prillin e kaluar, pacientët e Spitalit Bambino Gesù donin ta shoqëronin Papën me vizatimin e tyre. Një mënyrë e thjeshtë, për të qenë i pranishëm, duke qëndruar larg rrugëve të udhëtimit. Në fund të fundit, fëmijët kuptojnë një gjeografi të ndryshme nga të rriturit. Nuk i masin distancat me kilometra, as nuk ndjekin itinerare diplomatike. Ndërtojnë ura me një fletë letre. Një diell i vizatuar keq, sepse dora është ende e pasigurt, një nënshkrim shoqëruar nga një zemër. Kështu! E ndërsa avioni vazhdon rrugën e tij për në Spanjë, edhe ai vizatim vazhdon udhëtimin e tij.

Fëmijët, që shoqërojnë Papën

Duke u nisur nga një sallë lojërash spitali, urimi mbërriti sot në duart e Papës. Dhe udhëtimi i tij do të vazhdojë për një kohë, i ruajtur ndërmjet faqeve të një dosjeje ose ndërmjet kujtimeve të këtyre ditëve. Duke marrë me vete zërat e kujdesshëm të fëmijëve, që e njohin brishtësinë, por nuk kanë hequr dorë nga imagjinata e tyre. Është mënyra e tyre për të thënë: "Udha mbarë!". E është ndoshta një nga më të bukurat.

06 qershor 2026, 12:13