Kërko

Pavia: Papa Leoni shtegtar në gjurmët e Shën Augustinit. Mjaft me bullizmin dhe luftërat nëpër botë.

Pesë orë shumë të ngarkuara, me takime të ngjeshura. Kjo qe vizita e parë baritore e Papa Leonit XIV në Pavia dhe Sant'Angelo Lodigiano, në Italinë Veriore. Një udhëtim në gjurmët e Shën Augustinit në qytetin me të cilin Papa është i lidhur prej kohësh, që kur ishte epror i augustinianëve.

Vatican News

Leoni është papa i tretë që viziton Pavian, pas Gjon Palit II në vitin 1984 dhe Benediktit XVI në vitin 2007, të cilin e mirëpriti asokohe pikërisht Atë Robert Prevost, në cilësinë e tij si Epror i Përgjithshëm i Augustinianëve, në kishën ku ruhen reliket e Shën Augustinit.

"Nëse duam që bota të jetojë në paqe, duhet të fillojmë nga vetja. Kjo do të thotë jo më fjalë urrejtjeje, fyerje, ngacmime dhe të gjitha ato gjëra që nxisin luftë në mesin e njerëzve, bashkësive dhe vendeve", tha Papa në sheshin e katedrales në Pavia. "Ne duhet të mësojmë të jemi ndërtues të paqes dhe mbështetës të pajtimit." "Nuk mund të besosh pa menduar, as nuk është e mundur të hedhësh dritë mbi pyetjet më të mëdha të arsyes pa pasur fe të gjallë", nënvizoi Papa Leoni gjatë ndalesës së fundit në Pavia sot, ku kishin ardhur 15,000 besimtarë për ta përshëndetur. "Me këtë hapje të çiltër, arsyeja njerëzore pyet dhe planifikon; nuk kufizohet vetëm te logjika e fitimit ose e sundimit, por zbulon mënyra të reja për t'u kujdesur për veten dhe botën".

Në fjalimin e tij në famullinë e Shën Andout Abat dhe Shën Francesca Cabrini-t, ku u ndal në adhurim të Shenjtnueshmit Sakrament dhe për nderim të zemrës së Shën Francesca Cabrini-t që ruhet aty,  Papa Leoni preku temën e migrantëve, "një dukuri që prap po e sfidon Kishën".

"Çfarë gjëje është më e përshtatshme sesa prirja misionare në shërbim të emigrantëve? Le ta pyesim veten: nëse Nëna Francesca Cabrini do të ishte gjallë sot, çfarë do t'i thoshte shpirti i saj misionar? Ose më saktë, çfarë do t'i thoshte zemra e Krishtit zemrës së saj si një grua e kushtuar atij dhe në shërbim të mbretërisë së tij? Dhe çfarë do t'i kërkonte asaj një Papë si Françesku, bir emigrantësh italianë? Ai e bëri shërbimin ndaj emigrantëve pikë kryesore të papnisë së tij."

Më tej, Papa Leoni tha: "nga ana ime, unë kam trashëguar dhe kam çuar përpara mësimet e Papa Françeskut me nxitjen apostolike «Dilexi te» mbi dashurinë për të varfrit, dhe aty ku flitet për bamirësinë në formën e 'shoqërimit të emigrantëve', figura e Shën Francesca Cabrini-t shfaqet pikërisht përkrah Shën Gjon Pagëzor Scalabrinit."

Grishja për të rinjtë është të krijojnë miqësi të vërteta dhe personale, jo vetëm nëpërmjet ekranesh telefonash.

20 qershor 2026, 22:16