Kërko

Kryetari i bashkisë së Pavias: Paqja një zgjedhje politike, kulturore dhe morale

Duke e pritur Papën në Piazza Vittoria, kryetari i bashkisë përshëndeti Leonin XIV, duke prezantuar një qytet tërheqës për studentët dhe të huajt, të vëmendshëm ndaj brishtësisë dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. I frymëzuar nga enciklika e Papës, ai sqaroi: "Një qytet që mund dhe duhet ta bëjë dimensionin e tij evropian, shkencor dhe humanist një kontribut konkret në kulturën e paqes".

Vatican News

Në përshëndetjen e tij drejtuar Papës në Piazza Vittoria, kryetari i bashkisë Michele Lissia  nënvizoi këtë tipar të këtij qyteti por që në këtë rast të veçantë duhet të përkthehet në një angazhim të ripërtërirë kolektiv dhe institucional në një kohë kur është më e ngutshme se kurrë të ngrihemi në këmbë për përparimin njerëzor.

Nën vështrimin e Zojës së Piazza Grande, siç quhej dikur sheshi në qendër të qytetit, banorët u mblodhën pas pritjes festive të Papës në Piazza Duomo me bashkësinë latino-amerikane dhe pas lutjes para Shën Sirit, ipeshkvit të parë dhe shenjtit pajtor të qytetit e të dioqezës. Vijuan më tej  falenderimet e posaçme nga kryetari i bashkisë dhe, rishtas, nga ipeshkvi Sanguineti.

Jetët e njerëzve vijnë para pushtetit

Shkollat, institucionet e kujdesit shëndetësor, universitetet, lagjet dhe institucionet: këto janë disa nga vendet ku, sipas kryetarit të bashkisë Lissia, nevojitet kultura e paqes në jetën e përditshme. Kjo do të na mundësojë të edukojmë njerëzit me respekt, mos ta gjykojmë njeriun për dobësitë që ka, që dija të bëhet përgjegjësi, që të ndërtojmë bashkëjetesën duke marrë parasysh dallimet, të ruajmë kohezionin shoqëror dhe të parandalojmë vetminë. "Qyteti ynë e di vlerën e takimit", thotë kryebashkiaku, i cili thekson përmasën evropiane, shkencore dhe humaniste të kësaj qendre urbane falë pranisë së studentëve dhe të huajve nga e gjithë bota. Ky multikulturalizëm theksohet si një vlerë e shtuar në një epokë "të plagosur nga luftëra, shkatërrimi, gjenocidi, popuj të plagosur dhe të torturuar, fakte që ndoshta mendonim se ishin tejkaluar". Kështu, paqja përkufizohet "si dëshira për të vënë jetën njerëzore para pushtetit, para interesave ekonomike, para logjikës së armëve".

Njeriu vjen para teknologjisë

Në fjalimin e mbajtur nga kryetari i bashkisë, njerëzimi vendoset përsëri në qendër, duke iu referuar tekstit të enciklikës «Magnifica Humanitas» të Papa Leonit : "Përparimi, teknologjia, inteligjenca artificiale, përparimet në shkencë dhe zhvillimi i modeleve shoqërore dhe politike", pohon Lissia, kryetari i bashkisë së Pavias, "nuk mund ta anashkalojnë përkufizimin e rolit dhe të fatit të qenieve njerëzore brenda këtyre proceseve". Gjithmonë kini parasysh objektin e veprimeve tona, qëllimet tona të vërteta dhe të ardhmen, sepse "dinjiteti i personit, drejtësia, puna, e drejta për arsim, e vërteta, solidariteti, pranimi i diversitetit – i gjithë diversitetit – duhet të bëhen parimet me të cilat një bashkësi mat nivelin e vet të qytetërimit".

Nga ky këndvështrim, figura e gjallë e Shën Augustinit, shtoi kryetari i bashkisë, merr rëndësi edhe për jobesimtarët sepse ai është në gjendje të kuptojë shqetësimin e njeriut në kërkim të së vërtetës. Angazhimi i qytetarisë, sipas fjalëve të përfaqësuesit të saj, është frymëzuar nga dokumenti magjisterial i Papa Leonit, që synon "mbarështimin e teknologjisë brenda kornizave etike dhe kapërcimin e frikës me aftësinë për të dhënë ngushëllim moral dhe material për ata që kanë nevojë". Shkurt, përforcon ndërgjegjësimin se njerëzit janë të parët. Se dija duhet t'i shërbejë jetës.

Paqe dhe unitet, pikërisht dhuratat që priste ipeshkvi imzot Corrado Sanguineti

Po, Atë i Shenjtë, qyteti i Pavias ku jemi mbledhur sot ka një histori të madhe. Këtu ka lënë gjurmë prania e Kishës dhe ndikimi i Krishterimit në mendim, art, pikturë, në arkitekturën e kishave të shkëlqyera të saj dhe në veprat edukative dhe bamirëse, një qytet dikur i pasur me manastire, si brenda ashtu edhe jashtë mureve të tij. Një qytet që ka përjetuar, në epokën moderne dhe bashkëkohore, praninë e rrymave më laike dhe të iluminizmit dhe që, nëpërmjet zhvillimeve në kërkimin shkencor dhe mjekësor, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përparimet e shkencës dhe të mjekësisë. Aktualisht, qyteti po përjeton një fazë shprese, me sfida të vjetra dhe të reja: projekte të rëndësishme të planifikimit urban po afrohen, dhe fjalët tuaja, Atë i Shenjtë, mund të jenë një nxjitje e fuqishme për të krijuar një rrjet mes subjekteve publike dhe private, mes fondacioneve bankare dhe sipërmarrësve, mes shërbimeve administrative të bashkisë, provincës dhe krahinës.

Në këto zona, ka kohë që ekziston një bashkëpunim i mirë midis Kishës së Pavias, veçanërisht përmes Caritas-it dioqezan dhe organizatave Caritas famullitare, përmes punës vullnetare që përfshin të moshuarit, të rriturit dhe të rinjtë, përmes shërbimit social, dhe bashkisë, provincës dhe krahinës, si dhe organizatave të tjera të rëndësishme të angazhuara për të përmbushur nevojat e zonës dhe për të mbështetur nismat e promovuara nga aktorë shoqërorë përgjegjës dhe aktivë. Unë besoj se kjo aleancë e mirë midis bashkësive civile dhe kishtare mund të kontribuojë për rritjen e qytetit, dhe prania juaj sot midis nesh është ndihmë dhe na jep zemër për të vazhduar në këtë rrugë.

Në fund pastaj, dy shenjtorët që ruajnë rrugën e Kishës dhe qytetit të Pavias përfaqësojnë dy përmasa thelbësore që duhet të lëvrohen nga bashkësitë civile dhe kishtare.

I pari, Shën Siri, që sipas një gojëdhëne ishte djali që i dha pesë bukët dhe dy peshqit Jezusit për të ushqyer turmën, ngjall në mendje zemërbardhësinë, shqetësimin për të ligështit dhe të vobektët, duke nisur nga fëmija në barkun e nënës e deri te burri që përballet me çastet e fundit të jetës së tij tokësore. I dyti pajtor i Pavias, Shën Augustini, me mendimin e tij, në dialogun midis besimit dhe arsyes, shpreh vlerën e dashurisë intelektuale, të arsimit dhe të kulturës, si shprehje të një humanizmi të hapur kundrejt transhendencës dhe Zotit.

20 qershor 2026, 14:59