Papa ipeshkvijve spanjollë në Madrid: thirrje për unitet, dialog dhe ripërtëritje të Kishës

Në takim me ipeshkvijve spanjollë në Madrid, Leoni bëri thirrje për të vazhduar udhën sinodale, për t'u hapur ndaj dialogut me të gjithë dhe për të krijuar hapësira që dëshmojnë përvojën e fesë. Ai vuri theksin te rëndësia e bashkimit, duke kërkuar shërimin e përçarjeve dhe shoqërimin e Popullit të Zotit. Gjithashtu, Papa kërkoi me ngulm kujdes, dëgjim dhe mbrojtje për personat e lënduar, veçanërisht nga anëtarë të klerit, ndërsa u la si shembull figurën e Shën Gjonit të Avilës

R.SH. / Vatikan

Është një gëzim i madh për mua të gjendem para jush në këtë ditë të tretë të udhëtimit tim apostolik në Spanjë. Pasi përshëndeta përfaqësuesit politikë që më mikpritën në Parlament, dëshiroj që tani t'i shfrytëzojmë këto çaste së bashku për të përtërirë bashkësinë tonë, ashtu siç Jezusi i këshillonte apostujt e vet (krh. Mk 6,31). Me këto,Papa e filloi takimin me ipeshkvijtë e Spanjës në selinë e Konferencës Ipeshkvore të Kishës katolike spanjolle, në Madrid, në kuadër të ditës së tretë të vizitës së tij apostolike në Spanjë.

Në fjalimin e tij, Ati i Shenjtë Leoni XIV theksoi rëndësinë e rrugës sinodale si një proces i dëgjimit të ndërsjellë dhe i dallimit të vullnetit të Zotit në jetën e Kishës. Papa e krahasoi misionin e Kishës me një udhëtim drejt Zotit, duke i ftuar ipeshkvijtë të lënë pas strukturat që nuk i shërbejnë më ungjillëzimit dhe të ruajnë thesaret shpirtërore e kulturore që ndihmojnë në përhapjen e fesë e në dialog me njerëzit në një kontekst pluralizmi shoqëror.

Leoni XIV vlerësoi trashëgiminë e pasur të krishterë të Spanjës dhe nënvizoi nevojën që ajo të shndërrohet në një mjet dialogu me shoqërinë bashkëkohore. Ati i Shenjtë kërkoi nga ipeshkvijtë përdorimin e gjuhëve dhe metodave të reja për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, veçanërisht në një kontekst të shënuar nga pluralizmi kulturor dhe migracioni.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Papës drejtuar ipeshkvijve spanjollë iu kushtua thirrjeve meshtarake e rregulltare dhe formimit të seminaristëve. Ati i Shenjtë Leoni XIV theksoi se ruajtja e strukturave nuk duhet të jetë më e rëndësishme se cilësia e formimit të kandidatëve për meshtari dhe bëri thirrje për një bashkëpunim më të madh ndërmjet dioqezave.

Papa më pas u ndal edhe te nevoja për të shëruar plagët e shkaktuara nga abuzimet dhe padrejtësitë brenda Kishës, duke kërkuar dëgjim, të vërtetën, drejtësi dhe kujdes konkret për viktimat. Ati i Shenjtë Prevost theksoi se Kisha duhet të mbetet një vend pritjeje, shprese dhe shërimi për të gjithë e duke folur për misionin e ipeshkvijve, i ftoi ata të jenë shenjë e dukshme e bashkimit, të nxisin dialogun dhe të ruajnë unitetin në një kohë të karakterizuar nga polarizime dhe përçarje shoqërore.

Së fundi, Papa ia besoi shërbesën e ipeshkvijve dhe misionin e mbarë Kishës Virgjërës Mari dhe kujtoi figurën e Shën Gjonit të Ávilës, mbrojtësit qiellor të klerit spanjoll, duke i nxitur ipeshkvijtë dhe meshtarët të jenë të rrënjosur në lutje, të afërt me popullin dhe të përkushtuar ndaj misionit të Kishës. Lutja, feja dhe bashkëpunimi me Krishtin të jenë themeli i jetës kishtare.

Takimi i Papës me ipeshkvijtë spanjollë përfundoi me një lutje drejtuar Zotit që Kisha të përvetësojë “zemrën e Krishtit”, për të ecur me besim, për të shërbyer me dashuri dhe për të shpallur Ungjillin me gëzim në botën e sotme.

08 qershor 2026, 10:39