Kërko

Një moment nga ngjarjet e mëparshme të shtegtimit Macerata-Loreto Një moment nga ngjarjet e mëparshme të shtegtimit Macerata-Loreto

Papa u drejtohet shtegtarëve të Macerata-Loretos: përballë varfërisë, jini misionar

Me propozim të Vëllazërisë Comunione e Liberazione, ecja vijoi natën ndërmjet së shtunës e së dielës, pas Meshës së kryesuar nga kardinali vikar Baldassare Reina. Papa i inkurajoi shtegtarët të "të rriten gjatë rrugës, duke ndjekur Jezusin".

R.SH. / Vatikan

Nisja e vërtetë ishte rreth orës 22:30 të mbrëmjes, të shtunën që kaloi, më 13 qershor, kur pjesëmarrësit u larguan nga stadiumi i Maceratës dhe u nisën, gjatë natës, drejt Loretos. Ecja gjatë rrugës prej 28 kilometrash u ndërpre nga çaste lutjesh, këngësh leximesh dhe dëshmish, duke kaluar nëpër qytete të vogla dhe fshate të thjeshta si Sambucheto, San Firmano (ku besimtarët do të merrnin pishtarët), Becerica, Chiarino dhe Costabianca (me lutjen e Engjëllit dhe shkëmbimin e shenjës së paqes), duke arritur më në fund në Kishën Papnore të Shtëpisë Shenjte rreth orës 6:00 të mëngjesit të djeshëm, të dielën, më 14 qershor.

Shtegtimi i 48-të Macerata-Loreto në këmbë, i propozuar nga Fraternità di Comunione e Liberazione (Vëllazëria Bashkim e Çlirim) filloi, të paktën simbolikisht, më 3 qershor, kur Pishtari i Paqes (i cili e shoqëron ngjarjen që nga viti 1997) u bekua nga Papa Leoni XIV gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Të mërkurën e kaluar, 10 qershor, duke u nisur nga Katedralja e Orvietos, pishtari mbërriti në stadiumin e Maceratës në mbrëmje, pak para bashkëkremtimit Eukaristik të kryesuar në orën 20:30 nga Kardinali Baldassare Reina, Vikar i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Dioqezën e Romës.

Mesazhi i Papës: "Përballë varfërisë, jini misionarë"

Gjatë Meshës së kryesuar nga Kardinali Reina, u lexua mesazhi i Papës, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar Ipeshkvit të Maceratës, Imzot Nazareno Marconi: "Papa Leoni XIV ka kënaqësinë t'u dërgojë përshëndetjet e tij me urime të mira atyre që marrin pjesë në shtegtimin në këmbë nga Macerata - në Shtëpinë e Shenjtë të Loretos, duke i nxitur të rriten në ndjekjen e Jezusit dhe të jenë misionarë të Ungjillit, veçanërisht përballë varfërisë materiale dhe shpirtërore të kohës sonë. Me këto urime, Ati i Shenjtë thërret ndërmjetësimin amëtar të Virgjërës Mari mbi të gjithë të pranishmit dhe jep bekimin e tij apostolik".

Pyetja "Si më njeh?" është tema e ngjarjes

Tema e zgjedhur për edicionin e 48-të përfshin pyetjen që dishepulli Natanael i bën Jezusit tek Gjoni 1,48: "E nga më njeh?". Pyetja e Natanaelit, tha Ipeshkvi i Maceratës, Imzot Nazzareno Marconi, në paraqitjen e shtegtimit, "është pyetja e atij që dëshiron të shikon të vërtetën e zemrës së tij. E është zbulimi se Krishti na paraprin gjithmonë: i njeh pritjet tona, pyetjet tona, dëshirën tonë për mirësi dhe kuptim".

Në krye të procesionit, si gjithmonë, është Imzot Giancarlo Vecerrica, Ipeshkëv Nderi i Fabriano-Matelica, krijues i nismës, i cili i prin personalisht udhëtimit që nga viti 1978. Një shenjë dalluese historike e shtegtimit është fokusi i tij në temën e paqes. Nuk është rastësi që nëntitulli i ngjarjes është më shumë sesa dëshirë: Si lind shpresa e lulëzon paqja. Ndër dëshmitë e dëgjuara ishin ato të Ipeshkvit Katolik Grek Ukrainas Maksim Ryabukha, Ekzark i Donetskut, dhe gazetares së re Simone Tropea, të cilët folën për konfliktet e përjetuara fillimisht në Ukrainë e, më pas, edhe në Tokën e Shenjtë.

Do të marrin pjesë mijëra njerëz, në këmbë dhe përmes transmetimit të drejtpërdrejtë.

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në shtegtimin në këmbë, duke ardhur nga e gjithë Italia dhe jashtë saj. Me ta u bashkuan edhe ata që, në pamundësi, ia besuan qëllimet e tyre të lutjes internetit ose biletave të mbledhura nga famullitë. Të gjitha do t'i dhurohen Zojës pas mbërritjes në Loreto, ndërsa më pas do të digjen në mangall tradicional të vendosur para shtatores së saj. E gjithë ngjarja mund të ndiqet nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen zyrtare të internetit dhe në kanalet e mediave sociale. Këtë vit, organizimi përfshin përsëri mbi 1,100 vullnetarë të angazhuar në shërbime të ndryshme.

Mesazhi i Bashkimit e Çlirimit

Vëllazëria kishtare Comunione e Liberazione ka dhënë gjithnjë mbështetje të veçantë nismës. Don Luigi Giussani mori pjesë në Shtegtim në vitet 1987 dhe 1993, ashtu si edhe pasardhësi i tij, Atë Julián Carrón, në vitin 2008. "Në një botë të shënuar nga përçarjet dhe lufta", shkruan në mesazhin e tij presidenti i Vëllazërisë  Comunione e Liberazione, Davide Prosperi, duke kujtuar temën e Shtegtimit  - takimi me një vështrim dashurie të pastër, një vështrim që pohon të mirën e të tjerëve, është ngjarje e jashtëzakonshme: vetëm kur dikush është objekt i një vështrimi të tillë, shpresa rishfaqet dhe paqja lulëzon.

Prandaj, kontributi më i madh që ne, si të krishterë, jemi të thirrur ta japim sot, është të ndërtojmë Kishën duke ndjekur Papën, në mënyrë që shikimi i Krishtit, i cili na arriti dhe na tërhoqi përmes shoqërimit tonë, të mund të takohet edhe nga të tjerët. Për këtë arsye, kontributi më i madh që ne, si të krishterë, jemi të thirrur të japim sot është të ndërtojmë Kishën duke ndjekur Papën, në mënyrë që shikimi i Krishtit, i cili na ka arritur dhe na ka tërhequr nëpërmjet shoqërisë sonë, të mund të takohet edhe nga të tjerët”.

15 qershor 2026, 11:40