Kërko

Audienca e Papës Leoni XIV me anëtarët e Shoqatës Italiane të Udhëzuesve dhe Skautëve Katolikë të Evropës Audienca e Papës Leoni XIV me anëtarët e Shoqatës Italiane të Udhëzuesve dhe Skautëve Katolikë të Evropës

Papa skautëve: përhapni gjuhën e bamirësisë, mikpritjes dhe paqes

Leoni XIV takon sot paradite, në Sallën Pali VI, në Vatikan, më shumë se 3 mijë anëtarë të Shoqatës Italiane të Udhërrëfyesve dhe Skautëve të Evropës Katolike, e cila mbush 50 vjet, dhe kujton se shërbimi është zemra e mendimit edukativ të themeluesit Baden Powell dhe “na çliron nga prirja për të qenë të përqendruar te vetvetja”. Papa vlerëson angazhimin pro-evropian dhe shoqërimin e djemve dhe vajzave drejt takimit me Jezusin që bëjnë eprorët dhe drejtuesit e Skautëve

R.SH. / Vatikan

Shërbimi është forca që bashkon të gjithë elementët e metodës skautiste, "zemra e mendimit edukativ" të themeluesit, lordit Baden Powell. Dhe të shërbesh "do të thotë të vësh aftësitë dhe kohën tënde në dispozicion të të tjerëve, plotësisht falas, pa pritur asgjë në këmbim". Për më tepër, "na çliron nga prirja për t'u përqendruar te vetvetja". Këtë ua kujton Papa Leoni XIV skautëve të Shoqatës Italiane të Udhërrëfyesve dhe Skautëve të Evropës Katolike, të njohur si Skautët e Evropës FSE, të takuar sot, më 1 qershor, në Sallën Pali VI, me rastin e 50-vjetorit të shoqatës. Rreth 3 mijë krerëve skautë dhe udhërrëfyesve të mbledhur, ai u uron që Shpirti i Shenjtë "të shumëfishojë mes jush dhuratat e tij, në mënyrë që të dini të flisni dhe të përhapni gjuhën e bamirësisë, të mikpritjes dhe të paqes".

Duke u shoqëruar në takim me Jezusin

E bëri këtë, kujtoi Papa, disa ditë pas Rrëshajëve, duke uruar që ky përvjetor të ishte për shoqatën "si Rrëshajë të reja", ku dhurata e Shpirtit "ndez jetën dhe hap rrugën drejt misionit".

Gjatë këtyre pesëdhjetë viteve, Shoqata Italiane e Udhëzuesve dhe Skautëve Katolikë të Evropës konsolidoi një stil specifik edukativ për të shprehur dëshminë e fesë. Duke përdorur mjetet e zhvilluara sipas intuitës së Baden-Powell, ju shoqëroni djem dhe vajza në takim me Jezusin, Mësuesin e jetës së mirë, Mikun besnik, Udhërrëfyesin e drejtë dhe të fortë për udhëtimin tonë.

Bashkimi i librit të natyrës me Fjalën e Zotit

Papa kujtoi se "jeta në ajër të hapur dhe kontakti me natyrën, janë dimensione themelore të aktiviteteve tuaja, të cilat flasin për mirësinë e Zotit përmes gjurmëve që vetë Krijuesi i ka lënë në krijim". E edhe se në këto aktivitete, Skautët me mençuri e kombinojnë Fjalën e Zotit "me librin e natyrës".

Si burim uji të freskët, ju ftoj të merrni nga Shkrimet Shenjte për të ndriçuar e për të mbështetur përvojat tuaja të rritjes njerëzore dhe shpirtërore, si personalisht ashtu edhe bashkësisht.

Në thellësi me Krishtin

Këtu Ati i Shenjtë Prevost citoi fjalët e Papës Françesku në takimin me Unionin Ndërkombëtar të Udhëzuesve dhe Skautëve të Evropës, në gusht 2019: "Ju ftoj të mbani gjithmonë me vete, si navigatorin tuaj, Ungjillin - hartën e vërtetë të jetës - dhe ta hapni atë çdo ditë". Një Ungjill që, kujton Leoni XIV, është personi i vetë Krishtit, "lajm i mirë për njerëzimin e hutuar", i cili "shuan etjen tonë për drejtësi dhe të vërtetë e na jep guximin të këmbëngulim në mirësi dhe të vendosemi në shërbim të të tjerëve". Për këtë angazhim, theksoi Papa, ju jeni dëshmitarë të të rinjve që ju janë besuar.

Koherenca e jetës suaj dhe pjekuria e zgjedhjeve tuaja janë, në sytë e tyre, një shembull shumë i rëndësishëm që i ndihmon  të rriten. Së bashku me ta, pra, përjetoni bukurinë e besimit në gjestet e përditshme dhe lutjen e përbashkët, në Sakramentet dhe në dallimin e thirrjes së secilit: përgjigjuni bujarisht thirrjes së Krishtit, i cili ju fton të ngjiteni në majë, të dilni në thellësi, të ecni së bashku në rrugën e virtytit.

Zgjedhja pedagogjike e seksioneve të ndara mashkullore dhe femërore

Papa kujton se meshtarët që janë asistentë kishtarë të Skautëve të Evropës "janë garanci e lidhjes ndërmjet Kishës dhe Shoqatës suaj" dhe se metoda Skautiste "e vë personin në qendër, duke u kujdesur për të gjitha aspektet relacionale dhe për pasurinë njerëzore". Thekson se veprimtaria pedagogjike e shoqatës parashikon edukimin "në seksione të ndara mashkullore dhe femërore, për t'u kushtuar djemve dhe vajzave vëmendje të veçantë". Kështu, "eksplorimi në këtë mënyrë i karakteristikave themelore të të qenit grua dhe burrë" bëhet "dinamikë përgatitore" për takimin me të tjerët, për pjekuri të ndërsjellë.

Formimi i të krishterëve të mirë dhe qytetarëve të mirë është qëllimi i metodës skautiste, i arritur përmes mirëkuptimit pedagogjik të udhëheqësve me secilën vajzë a djalë, në fazat e ndryshme të udhëtimit.

Shërbimi dhe vlera e europianizmit

Leoni XIV vlerëson vendimin e Skautëve Italianë të Europës për të kultivuar dimensionin e europianizmit në një nivel kulturor, "duke ripërtërirë angazhimin e tyre për të ndërtuar një Europë popujsh, jo vetëm biznesi, të bashkuar nga vlerat më të larta të humanizmit të krishterë". Më pas Papa kujton se nëpërmjet shërbimit, zemra e filozofisë edukative të Baden-Powell, "altruizmi, solidariteti, shqetësimi për të tjerët dhe ndjenja e përgjegjësisë sociale zhvillohen dhe ndihmojnë edukimin e të rinjve".

I jetuar në fe, shërbimi na çliron nga prirja për të qenë egoistë, indiferentë dhe të mbyllur, duke na mësuar përvojën e komunitetit dhe të një ndjenje përgjegjësie: nga gjërat e vogla të bëra mirë - deri te kujdesi i ndërsjellë. Aventura e skautizmit na ndihmon të zbulojmë se si njerëzimi ynë ndriçohet dhe angazhohet nga vepra e Zotit, edukatorit të vërtetë të të gjithëve.

01 qershor 2026, 12:30