Papa: „marrëveshja SHBA-Iran t'i japë fund luftës; të eliminohen armët bërthamore”
Vatican News
Një bilanc për udhëtimin e tij të fundit apostolik në Spanjë, i cili e ka lënë „jashtëzakonisht të lumtur”, shoqëruar me një thirrje të fortë për emigrantët dhe dëbimin e tyre: „Të thuash 'po i largojmë që të lajmë duart nga ky problem', nuk më duket një përgjigje e krishterë”, pohoi Papa, duke ndjekur të njëjtën linjë me fjalët e shqiptuara në Ishujt Kanarie. Më pas, një vështrim mbi aktualitetin: atë të Kishës, rreth çështjes së lefebvrianëve para shugurimeve të reja episkopale të paralajmëruara për në korrik, të cilat rrezikojnë të shkaktojnë një skizmë, si dhe aktualitetin botëror, me marrëveshjen e fundit mes SHBA-së dhe Iranit. Ky reflektim u shoqërua me urimin e Leonit që kjo dakordësi të jetë vërtet „një zgjidhje për luftën, që lufta të ketë përfunduar një herë e mirë dhe të mund të ecim përpara për të mirën e të gjithëve”.
Në Castel Gandolfo, jashtë rezidencës „Villa Barberini”, ku kaloi ditën e tij të zakonshme të pushimit dhe punës, Papa Leoni XIV ndalon me gazetarët që e presin prej orësh pas barrierave, së bashku me një grup besimtarësh, kryesisht polakë, të cilët kanë kënduar për orë të tëra këngë kushtuar Shën Marisë. Pasi kalon portën e hekurt, Papa drejtohet nga kronistët e korrespondentët dhe u përgjigjet pyetjeve të tyre, duke filluar nga ato të mediave spanjolle, të cilat ishin përgatitur për konferencën e shtypit gjatë fluturimit të kthimit nga Tenerife, por që mbetën pa përgjigje për shkak të një defekti teknik që e detyroi Leonin të kthehej me avionin „Falcon” të vënë në dispozicion nga mbreti i Spanjës.
Udhëtimi „i mrekullueshëm” në Spanjë
Papa kujton ditët e kaluara në Spanjë, nga Madridi në Barcelonë e deri në Ishujt Kanarie, dhe veçanërisht „përgjigjen entuziaste të aq shumë njerëzve në çdo vend”. „ Vërtet ishte diçka e mrekullueshme”. „Çdo moment – thotë Papa Leoni në spanjisht – u përgatit mjaft mirë. Duhet thënë gjithashtu se puna e ipeshkvijve, bashkë me shumë laikë e vullnetarë në çdo vend për të përgatitur gjithçka, ishte thjesht e mrekullueshme”. Nga sa mundi të vëzhgonte, Leoni XIV thotë me bindje se njerëzit ishin „shumë të lumtur”.
Të lumtur ishin edhe politikanët, gjë që u dëshmua nga duartrokitjet 8-minutëshe në parlament (Cortes). Për politikën spanjolle nuk është një moment i lehtë, vëren një kroniste. „Unë nuk dua të hyj në politikën e Spanjës, ashtu si në asnjë vend tjetër, por thirrja ime është për dialog, ftesë për të dëgjuar njëri-tjetrin, dhe jo gjithmonë të kritikohet e të fyehet opozita pa arritur marrëveshje për të mirën e përbashkët”, përgjigjet Papa. Ati i Shenjtë thekson thirrjen e bërë që në Kongresin e Madridit për respektimin e „dinjitetit njerëzor” dhe „të çdo personi”: „Shpresoj që kjo të mos vonojë shumë”.
Thirrja për emigrantët: „Të trajtohen të gjithë me respekt”
Në të njëjtën frymë, Papa rikthehet te çështja e emigrantëve, një temë e prekur disa herë gjatë udhëtimit, veçanërisht në Gran Canaria dhe Tenerife, pas hyrjes në fuqi të Paktit të BE-së për Emigrimin dhe Azilin. Leoni bën thirrje sërish për „respektin ndaj personit”: „Shpeshherë ne nuk i njohim arsyet pse këta njerëz janë detyruar të largohen nga vendet e tyre. Ka shumë arsye: dhunë, luftë, konflikte. Prandaj, të thuash thjesht 'po i dëbojmë që të lajmë duart nga ky problem', nuk më duket përgjigja më e krishterë. Duhen respektuar vërtet njerëzit – theksoi Papa – duhen parë rastet individuale dhe, mbi të gjitha, njerëzit duhen trajtuar me respekt, si qenie njerëzore”.
Shpresa për paqe
Leoni XIV nuk i shmanget as pyetjes mbi punimet e G7-ës, që bën bashkë krerët e shteteve dhe të qeverive në Evian të Francës, si dhe mbi marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, e njohur si „Memorandumi i Islamabadit”, pas ndërmjetësimit pakistanez. „Negociatat, falë Zotit, të paktën sollën këtë Memorandum që do ta nënshkruajnë zyrtarisht të premten, siç po thuhet”, komenton Papa. „Do të ketë ende disa pika për t'u përcaktuar, por është gjithmonë më mirë të veprohet me dialog e negociata sesa të kthehemi te lufta”. Urimi është që kjo „të jetë vërtet një zgjidhje për luftën, që lufta të ketë marrë fund dhe të mund të ecim përpara për të mirën e të gjithëve. Të eliminohen armët bërthamore, po, kjo po, të kërkohet e mira e të gjithë popujve dhe të gjenden mënyra se si të zgjidhen problemet ekonomike dhe sociale që janë krijuar gjatë kësaj kohe”.
Dhimbja për përçarjet në Kishë
Papës i drejtohet edhe një pyetje mbi rastin e Vëllazërisë Shën Piu X (lefebvrianët), e cila më 1 korrik në Ecône do të procedojë me katër shugurime ipeshkëvore pa mandatin papnor, pavarësisht paralajmërimit të Selisë së Shenjtë për rrezikun e një skizme. Lidhur me këtë, Leoni XIV kujton kontaktet e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë me Vëllazërinë Shën Piu X: „Po shqyrtojmë mundësinë për t'u bërë edhe një thirrje tjetër, për t'u thënë 'mos e bëni këtë, le të përpiqemi të jetojmë bashkimin në Kishë'. Por kjo është zgjedhja e tyre. Duhet kuptuar se çfarë do të thotë kjo për ata dhe për Kishën. Sigurisht, përçarja mes të krishterëve është gjithmonë një pikë e dhimbshme, por ata refuzojnë të pranojnë disa elemente themelore të Kishës, duke filluar nga disa pika të Koncilit II të Vatikanit. Nëse bëjnë atë zgjedhje, më vjen keq, por ne duhet të ecim përpara”, përfundon Leoni.
Pushimet dhe udhëtimet e ardhshme
Në fund, një pyetje përmbyllëse dhe më personale: se kur do t'i fillojë pushimet e verës dhe si do t'i kalojë ato. „Pak pushim, shumë lexim, meditim dhe përgatitje për atë që vjen më pas. Punë ka gjithmonë, gjithashtu...”. Por, a do të pushojë? „Të shpresojmë!”. Dhe „të shpresojmë” është edhe përgjigjja e shkurtër e Papës, e shoqëruar me një buzëqeshje, për mundësinë e udhëtimeve të ardhshme në Meksikë dhe Peru – vendi ku shërbeu si misionar për më shumë se njëzet vjet: „Do të shohim”.
