Kërko

Papa në audiencë me Federatën e Nju Jorkut United Jewish Appeal Papa në audiencë me Federatën e Nju Jorkut United Jewish Appeal

Papa: shërbimi ndaj të varfërve e ripërtërin shoqërinë; bota ka nevojë për paqe

Duke pritur delegacionin e United Jewish Appeal të Nju Jorkut, Papa Leoni XIV kujtoi rëndësinë e dokumentit Nostra Aetate e cila, deklaroi ai, "na thirri të shkojmë përtej keqkuptimeve të së kaluarës, drejt bashkëpunimit për të mirën e përbashkët". Ftoi, më pas, të forcojnë misionin e organizatës duke përballuar urrejtjen dhe intolerancën e duke vijuar dialogun për ndërtimin e një bote më të mirë, për të gjithë.

Vatican News

Një punë që është shprehje e "njohjes së qartë të dinjitetit njerëzor dhe vëllazërisë", e një mision që mund të "kontribuojë për paqen, për të cilën bota ka kaq shumë nevojë". Kështu Papa Leoni e sintetizoi në anglisht punën e Federatës së Nju Jorkut United Jewish Appeal pritur sot, 15 qershor, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan. Papa kujtoi se organizata, "mjet i filantropisë globale hebraike", ofron "ndihmë humanitare themelore dhe shërbime sociale për popullatat - për shembull, ata që jetojnë në varfëri, refugjatët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara - në Nju Jork, Shtetin e Izraelit dhe në më shumë se shtatëdhjetë vende të tjera". Këto vepra janë në harmoni, pohoi Papa, me "angazhimin e vetë Kishës katolike për zhvillimin e gjithashëm njerëzor dhe thirrjen për ta dashur të afërmin".

"Shërbimi ndaj të varfërve dhe të përjashtuarve nga shoqëria", theksoi më pas, "është  mënyrë për të takuar të shenjtën".

Siç na e kujton Isaia profet, kur ndajmë bukën tonë me të uriturit dhe kujdesemi për ata që kanë nevojë, "drita e Zotit do të shpërthejë si agimi". Kjo dritë na fton ta shohim shërbimin ndaj më të ligshtëve si rrugë që hap zemrat e ripërtërin shoqërinë.

Rrënjë të përbashkëta

Në reflektimin e Leonit XIV, është edhe një thirrje për historinë tonë të përbashkët. Na kujton takimin e Papës Gjoni XXIII me një delegacion të United Jewish Appeal, në të cilin Papa rikujton njerëzimin e tyre të përbashkët dhe prejardhjen e përbashkët shpirtërore nga Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Jozefi. Prej andej lindi një traktat, që e përshkruan marrëdhënien e re ndërmjet Kishës Katolike dhe Judaizmit e që u bë "zemra dhe bërthama krijuese" e Nostra Aetate, Deklaratës së Koncilit II të Vatikanit mbi Marrëdhënien e Kishës me fetë jo-të krishtera.

Bashkëpunim për të mirën e përbashkët

Një dokument historik Nostra Aetate, gjashtëdhjetëvjetorin e të cilit Kisha e kremtoi vitin e kaluar, që mbolli "një farë shprese e cila u bë pemë e fuqishme", e aftë të japë frytet e "mirëkuptimit, të miqësisë, të bashkëpunimit e të paqes". "Duke njohur dinjitetin e brendshëm të të gjithë burrave dhe grave", theksoi Papa Leoni XIV, "Nostra Aetate mbajti një qëndrim të vendosur kundër antisemitizmit dhe deklaroi se Kisha hedh poshtë çdo formë diskriminimi ose persekutimi bazuar mbi racën, ngjyrën, gjendjen shoqërore ose fenë".

Në një botë ende të plagosur nga përçarjet dhe konfliktet, na bëri thirrje të shkojmë përtej keqkuptimeve të së kaluarës, drejt bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.

Një mision për të kontribuar për paqen

Një rrugë që sjell vëmendje drejtë të varfërve, zemër e Nxitjes Apostolike Dilexi Te, përmes së cilës Zoti vazhdon të na flasë.

Ju shpreh vlerësimin tim për përkushtimin me të cilin ju ndihmoni të varfrit dhe nevojtarët, përballeni me urrejtjen dhe intolerancën dhe punoni për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë. Le të forcojë misioni juaj dialogun, të thellojë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të kontribuojë për paqen, për të cilën bota jonë ka kaq shumë nevojë.

15 qershor 2026, 13:02