Kërko

Papa: Sagrada Familia, më e larta në botë për të udhëhequr popullin e Zotit

“Bukuria e këtij tempulli na nxitët që të mësojmë gjithnjë e më shumë të jetojmë sipas Ungjillit. Le të dëshmojmë kështu se Sagrada Familia është Kisha më e lartë, jo për të kryesuar në renditjet e kësaj bote, por për të udhëhequr hapat e popullit të Zotit”. Kështu tha Papa Leoni XIV gjatë Meshës së Shenjtë të kremtuar në Bazilikën Sagrada Familia, në Barcelonë.

R.SH. / Vatikan

Nuk mund të besojmë në Jezusin dhe të bëjmë luftë. Nuk mund të besojmë në Jezusin dhe të vrasim të pafajshmit. Nuk mund të besojmë në Jezusi dhe të braktisim atë që vuan, atë që qan apo atë që ikën nga skandali i varfërisë”. Lartësia e kullës së Jezusit dhe kryqi që qëndron mbi Bazilikën Sagrada Familia — përurimi i të cilit u kremtua nga Papa — u bënë shkak për Atin e Shenjtë Leonin XIV për të ripërcaktuar konceptin e së lartës dhe së ultës në gramatikën e krishterë.

Përpara familjes mbretërore të Spanjës, Filipit dhe Letizias, kryeministrit Pedro Sanchez dhe qindra besimtarëve në Bazilikë — por në mënyrë ideale, përmes ekraneve gjigante dhe transmetimeve direkte, përpara mbarë Spanjës dhe botës mbarë — Papa në homelinë e Meshës solemne kremtuar në Sagrada Familia artikuloi fjalë të prera: “Kryqi i Krishtit, i vendosur në majë të kësaj bazilike Sagrada Familia, është kryqi i të fundmëve që bëhen të parët, i mëkatarëve që bëhen shenjtorë, i të vdekurve që do të ringjallen”.

Ky është kulmi i ditës së Papa Leonit në Barcelonë, ndalesa e dytë e udhëtimit të tij në Spanjë, ku edhe një herë bëri të jehojnë thirrjet për paqe, harmoni dhe tejkalim të ndarjeve.

“Le të heqim dorë nga fyerjet, gjykimet e nxituara, shpifjet dhe thashethemet, edhe në rrjetet sociale”, tha Papa gjatë paradites në Abacinë e Montseratit. Dhe menjëherë shtoi: “Të dorëzojmë mburojat që pak nga pak na kanë ngurtësuar zemrën”. Jezusi “nuk mban armatime, ndaj le t'i rikthehemi rrugës së mëshirës, pajtimit dhe së vërtetës”. “Në të njëjtën kohë”, Jezusi “zhvesh dhunën që mund të fshihet në fjalët dhe qëndrimet tona: kritikën që përul, dënimin që shkatërron dhe agresivitetin që ndan”. Kjo “dhunë e fshehur shpesh mund të vishet me armatura të dukshme, me të cilat përpiqemi të mbrojmë plagët tona”.

“Dinjiteti i njeriut nuk varet nga pasuritë që grumbullon”, tha Papa më pas gjatë pasdites, teksa u takua me shtresat më të margjinalizuara të kryeqytetit katalanas në lagjen karakteristike dhe të vështirë të Ravalit, në Barcelonë. I nxitur nga pyetjet e një fëmije vetëm 6 vjeç me emrin Renzo, Ati i Shenjtë Leoni XIV rrëfeu se “nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej Papë” dhe shfrytëzoi rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit që fillon nesër për të përcjellë një mesazh të ri:

Futbolli na kujton diçka që nuk duhet ta harrojmë: jeta nuk është një garë për t'u rënë në sy të tjerëve i vetëm, por një rrugëtim që mësojmë ta bëjmë së bashku. Kush nuk di të pasojë topin, edhe nëse ka talent, nuk e ka kuptuar ende lojën. Dhe kush nuk di të jetojë me të tjerët e për të tjerët, nuk e ka kuptuar ende jetën”.

 

10 qershor 2026, 21:07