Kërko

Audienca e Papës me pjesëmarrësit e asamblesë plenare të ROACO-s Audienca e Papës me pjesëmarrësit e asamblesë plenare të ROACO-s

Papa ROACO-s: Kisha ndërton të ardhmen; lufta shkatërron të tashmen

Gjatë audiencës me anëtarët e Roaco-s — organizmi që mbledh bashkë veprat e ndihmës për Kishat Orientale Katolike — Papa Leone XIV ngriti sërish zërin për të ftuar të gjithë të reflektojnë mbi pasojat afatgjata të konflikteve të armatosura.

Vatican News

Gjatë audiencës së sotme me anëtarët e Roaco-s — organizmi që mbledh bashkë veprat e ndihmës për Kishat Orientale Katolike — Papa Leone XIV ngriti sërish zërin për të ftuar të gjithë të reflektojnë mbi pasojat afatgjata të konflikteve të armatosura.

Pasoja që, sipas fjalëve të tij, shkojnë shumë përtej heshtjes së armëve: nga puna e pasigurt tek shërbimi shëndetësor i copëzuar dhe i paqëndrueshëm, të gjitha këto, tha Papa, "e hanë shpresën dhe pengojnë ndërtimin e së ardhmes" — duke ushqyer kështu një pasojë të rëndë dhe shpesh të heshtur: largimin e njerëzve, ikjen e të rinjve, zbrazjen e vendeve dhe bashkësive të tëra.

Është një thirrje kjo që Papa e ka bërë të vetën me këmbëngulje: të mos shohim luftën vetëm si një ngjarje me fillim e fund, por si një plagë që vazhdon të gjakojë edhe kur armët heshtin — në trupat e lodhur, në ëndrrat e braktisura, në popuj që zgjedhin të largohen sepse nuk shohin më asgjë për të cilën ia vlen të qëndrojnë në vendin e tyre.

Në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Roaco-s, Papa vlerësoi temën e takimit mbi nevojën për të mbështetur formimin e meshtarëve dhe murgjve në seminarët lindorë. Ati i Shenjtë tha se Kishat Katolike Lindore kanë një dhuratë të madhe pasurish shpirtërore për të bashkëndarë me Kishën universale, duke vënë në dukje se formimi i shërbëtorëve të Zotit mbetet thelbësor për rritjen.

“Nëna jonë, Kisha, është prandaj e bashkuar, por nuk është uniforme,” tha Papa. “Gjiri i saj i frytshëm ka lindur tradita të ndryshme shpirtërore dhe teologjike, si dhe rite liturgjike e disiplina të ndryshme, të cilat pasurojnë njëra-tjetrën.”

Kishat Lindore i udhëheqin katolikët drejt origjinës së fesë, pasi liturgjitë e tyre bëjnë që drita e hirit të Zotit të shndrijë udhën përpara, shtoi Papa. Megjithatë, tha Leoni XIV, Lindja e krishterë mund të ruhet vetëm nëse kuptohet, gjë që kërkon investim në formim, duke shprehur mbështetjen e tij për vendimin e ROACO-s  (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore) për të ndihmuar në financimin e kostove të formimit të meshtarëve dhe diakonëve të ardhshëm.

“Kjo lidhje midis dijes dhe dashurisë bamirëse, midis mendjeve të hapura dhe duarve punëtore, kërkon gjithashtu, megjithatë, edhe një përmasë shpirtërore: një zemër që nuk është vetëm bujare, por edhe e mbushur me hirin e Zotit dhe e ndezur flakë nga Shpirti Shenjt”, tha Ati i Shenjtë.

Plaga e paqëndrueshmërisë

Leoni XIV u ndal më pas te barra e rëndë e luftës dhe paqëndrueshmërisë e sjellë nga “aq shumë njerëz që nxisin luftëra.”. “Ndërsa ju gjeneroni jetë, ata mbjellin vdekje”, tha Papa. “Ndërsa ju zgjasni dorën ndaj vëllait tuaj, ata kërkojnë armiq për t'i shtypur; ndërsa ju krijoni dialog, ata kërkojnë monologë; ndërsa ju hapni rrugë shprese, ata i mbyllin njerëzit në frikë; ndërsa ju ndërtoni të ardhmen, ata shkatërrojnë të tashmen”.

Ky kontrast nxjerr në pah se burimet kanalizohen tek ata që kanë nevojë, ndërsa të tjera çohen dëm për të vrarë, tha Papa dhe kujtoi “eksodin e dhimbshëm të të krishterëve lindorë nga vendet e tyre, të shkaktuar mbi të gjitha nga lufta”, gjë që krijon vetëm tragjedi të harruara nga bota.

“Ka një plagë, një fatkeqësi që ka lindur nga lufta, për të cilën do të dëshiroja të flisja sot, një plagë që vazhdon të thajë gjakun e jetës veçanërisht të Kishave Lindore”, tha Papa. “Unë e përkufizoj atë me një fjalë të vetme: paqëndrueshmëri”.

Edhe pasi një luftë ka përfunduar, vuri në dukje Leoni XIV, shoqëritë mbeten të vrarë (me shenja të pasojave të tmerrshme e shkatërrimtare) nga e kaluara përmes pranisë së bandave të armatosura, institucioneve të dobësuara dhe ndikimeve të jashtme manipulative.

“Një sistem i tillë nuk vepron lirisht, por përkundrazi lundron në një labirint nënshkresash, marrëveshjesh të fshehta dhe interesash partiake”, tha Leoni XIV. “Si rezultat, krijohet një cikël i përhershëm paqëndrueshmërie, duke mbytur mundësitë për zhvillim dhe duke rënduar gjithmonë më rëndë mbi më të varfrit”.

Papa Leoni shtoi se kjo situatë i lë njerëzit në pozita të pasigurta punësimi, gjë që peshon më shumë mbi familjet e thjeshta dhe të rinjtë.

Së fundi, Papa bëri apel që të gjithë të reflektojnë mbi pasojat e mëdha të luftës dhe paqëndrueshmërisë, përfshirë mënyrën se si dhuna shpesh kthehet si boomerang ndaj atyre që e ushtrojnë atë. “Le t'i lutemi Jezusit, Zotit të paqes”, tha Leoni XIV “dhe t'i bëjmë thirrje ndërgjegjes së njerëzve që të preken nga indinjata; që respekti për njerëzimin dhe ndjenja e duhur e qytetërimit të rivendosen!”

18 qershor 2026, 16:14