Kërko

Papa Kishës së Ishujve Kanarie: „mikpritje dhe kujdes për më të brishtët“

Papa kujtoi se jeta është një udhëtim i mbushur me sfida, sprova dhe stuhi. Në këtë udhëtim, kryqi nuk është një barrë që pengon, por mjeti që i ndihmon besimtarët të kalojnë detin e kësaj bote dhe të arrijnë në atdheun qiellor.

R.SH. / Vatikan

Sot më 11 qershor 2026, në Katedralen e Shën Anës në Las Palmas de Gran Canaria, Papa Leoni XIV u takua me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët, rregulltaret, seminaristët dhe bashkëpunëtorët pastoralë të Kishës në Ishujt Kanarie.

Në një atmosferë vëllazërore dhe lutjeje, Papa shprehu mirënjohjen për shërbimin dhe dëshminë e tyre, duke i cilësuar si shenjë të një Kishe të gjallë, e cila merr pjesë në gëzimet dhe shpresat, por edhe në vuajtjet dhe shqetësimet e njerëzve të kohës sonë.

Leoni XIV kujtoi se të gjithë të krishterët janë të thirrur të ndërtojnë Kishën mbi Krishtin, gurin e themelit, duke vënë në shërbim të bashkësisë dhuntitë dhe thirrjet e ndryshme që secili ka marrë dhe i ftoi të pranishmit të jetojnë në bashkim, duke harmonizuar tiparet, dallimet dhe duke punuar së bashku për të mirën e të gjithëve.

Në reflektimin e tij, Ati i Shenjtë Leoni XIV u ndal veçanërisht në dy qëndrime themelore të jetës së krishterë. Së pari, ai theksoi rëndësinë e përqafimit të kryqit të Krishtit. Duke u nisur nga imazhi i detit, kaq i dashur për banorët e Ishujve Kanarie, Papa kujtoi se jeta është një udhëtim i mbushur me sfida, sprova dhe stuhi. Në këtë udhëtim, kryqi nuk është një barrë që pengon, por mjeti që i ndihmon besimtarët të kalojnë detin e kësaj bote dhe të arrijnë në atdheun qiellor. Si shembull të kësaj rruge besnikërie, Ati i Shenjtë përmendi të nderuarin Antonio Vicente González, i njohur si “Bariu i Mirë Kanarian”, jeta e të cilit mbeti një dëshmi e gjallë e shenjtërisë dhe e përkushtimit ndaj Ungjillit.

Në vazhdim të fjalës Papa falënderoi veçanërisht të gjithë ata që, në shërbimin e tyre të përditshëm, qëndrojnë pranë njerëzve të plagosur nga vuajtjet dhe vështirësitë e jetës, duke i ndihmuar të mbajnë kryqin e tyre me dinjitet dhe shpresë.

Më pas Leoni XIV ndaloi te rëndësia e kultivimit të një spiritualiteti të thellë eukaristik. Duke iu referuar traditës së bukur të Katedrales, ku gjatë festës së Ngjitjes së Krishtit në Qiell hidhen petale lulesh para të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, Papa theksoi se Eukaristia është qendra e jetës së krishterë, burimi nga i cili rrjedh forca shpirtërore dhe kulmi drejt të cilit drejtohet e gjithë jeta e Kishës.

Ati i Shenjtë Prevost nënvizoi se bashkimi me Krishtin në Eukaristi çon natyrshëm në bashkimin me vëllezërit dhe motrat. Për këtë arsye, feja dhe spiritualiteti i vërtetë duhet të shprehet në dashuri konkrete, solidaritet dhe shërbim ndaj më të dobëtëve. Papa i nxiti të gjithë të vazhdojnë të jenë shenja të dashurisë së Zotit përmes mikpritjes, dëgjimit, afërsisë dhe kujdesit ndaj të varfërve, të sëmurëve, të huajve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për mbështetje.

Në përfundim, Ati i Shenjtë Leoni XIV i inkurajoi besimtarët e Kishës në Ishujt Kanarie të vazhdojnë rrugën e tyre me guxim dhe besim, të rrënjosur fort në Krishtin dhe të bashkuar në fe, shpresë dhe dashuri dhe kujtoi se këto tri virtyte janë si yje që ndriçojnë udhën e besimtarit dhe e drejtojnë udhës së përditshme drejt Zotit.

Duke e mbyllur fjalimin e tij me një ton shprese dhe besimi, Papa ia besoi Kishën dhe misionin e saj Virgjërës Mari, Yllit të Detit (Stella Maris), duke u lutur që ajo ta udhëheqë popullin e Zotit në udhëtimin e jetës dhe ta çojë drejt portit të sigurt të takimit të përjetshëm me Birin e saj, Jezu Krishtin.



11 qershor 2026, 10:40