Kërko

Papa përfundon udhëtimin në Spanjë me thirrjen për të “ngritur shikimin”

Në përfundim të Udhëtimit të tij Apostolik në Spanjë, Papa Leoni XIV falënderoi popullin spanjoll për mikpritjen dhe i bëri thirrje botës që të “ngrejë shikimin”.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV e përmbylli të premten Udhëtimin e tij Apostolik në Spanjë me disa fjalë në Portin e Santa Cruz de Tenerife, në mbarim të Meshës së fundit. Në fjalimin e tij të shkurtër, Ati i Shenjtë falënderoi popullin spanjoll për mikpritjen dhe u la një ftesë të fundit: “Ngritni shikimin tuaj”.

Duke folur pas kremtimit përmbyllës të Eukaristisë, Papa reflektoi mbi udhëtimin gjashtëditor, i cili e çoi në Madrid, Barcelonë, Montserrat dhe Ishujt Kanarie.

“Kthehem në Romë thellësisht i prekur nga dashuria e madhe që kam marrë”, tha ai, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e vizitës dhe për besimtarët që morën pjesë në ngjarjet e ndryshme.

Papa vlerësoi gjithashtu edhe atë që e quajti identiteti i qëndrueshëm katolik i Spanjës, duke thënë se ishte ngushëlluar nga shumë “dëshmi feje dhe dashurie për Kishën” që kishte hasur në mbarë vendin.

Duke e kthyer shikimin te Krishti

Duke folur në qytetin portual të Santa Cruz de Tenerife, emri i të cilit do të thotë “Kryqi i Shenjtë”, Papa Leoni i drejtoi mendimet e tij “mbarë botës dhe plagëve të saj, të cilat bëjnë që popullsi të tëra të vuajnë”, tha Papa e më pas kujtoi motos së udhëtimit: “Ngritni shikimin”.

“Le t’i drejtojmë sytë te Krishti i Kryqëzuar”, nxiti Papa, duke e përshkruar Zemrën e Krishtit si “burimin e mëshirës, e vetmja që mund ta shpëtojë njerëzimin”.

Një thirrje për paqe

Papa vazhdoi duke thënë se njerëzimi ka nevojë për “falje dhe pajtim” për të arritur “paqen e vërtetë dhe të qëndrueshme”, përpara se t’ia besonte ata që vuajnë kujdesit të Virgjrës Mari.

“Le të ngremë sytë tanë, ashtu si bëri Maria, Nëna e të gjithë atyre që vuajnë”, shtoi ai.

Të bashkuar në lutje

Duke e përmbyllur fjalimin e tij, Papa falënderoi edhe një herë popullin e Spanjës dhe i ftoi ata të mbeten të bashkuar në fe.

“Ju falënderoj nga thellësia e zemrës”, e shtoi “le të mbetemi të bashkuar në lutje dhe në bashkim me Krishtin dhe me Kishën e Shenjtë”.



12 qershor 2026, 20:55