Kërko

Papa Leoni XIV me shoqatat e studentëve katolikë gjermanë Papa Leoni XIV me shoqatat e studentëve katolikë gjermanë

Papa: përballë asaj që çnjerëzon, dëshmoni humanizmin e krishterë

Duke u takuar me shoqatat katolike të studentëve gjermanë, mbledhur në Cartellversammlung, Papa Leoni XIV kujtoi se "misioni kulturor i të krishterëve konsiston në orientimin e shoqërisë dhe të historisë" drejt "një jete të përqendruar te Zoti". Përballë sfidave të revolucionit teknologjik, i fton t'i përkushtohen studimit dhe "njerëzimit tonë të përbashkët"

R.SH. – Vatikan

"Edhe njeriu e ka një natyrë, që duhet respektuar", pohonte Benedikti XVI, ish-anëtar i shoqatave të studentëve katolikë gjermanë. Duke i pritur në audiencë, sot paradite, më 5 qershor, në Sallën Pali VI, në Vatikan, Leoni XIV i rikujtoi këto fjalë, duke i ftuar të rinjtë ta mishërojnë e ta nxisin "njerëzimin tonë të përbashkët" përmes "ungjillëzimit të kulturës", pa bërë kompromis me modat kalimtare dhe duke u nisur nga ato mjedise universitare që, në të kaluarën, përmes fesë, ishin fortesë e vërtetë kundër despotizmit dhe ideologjive.

"Herzlich willkommen!"

"Herzlich willkommen!", "Mirë se vini!": është përshëndetja në gjermanisht - temë e përsëritur gjatë gjithë fjalimit - drejtuar nga Papa më shumë se një mijë studentëve katolikë gjermanë të mbledhur për Cartellversammlung, konferencë e përbashkët që, për herë të parë, mbahet jashtë Gjermanisë.

Vendimi juaj për të ardhur këtu në Romë, ad Petri Sedem, është i motivuar nga feja katolike që ju përcakton, nga bashkimi që na lidh si dishepuj të Jezusit dhe nga aktivitetet kulturore që ndërmerrni.

Feja, përtej fasadave dhe etiketave

Papa Leoni XIV, më pas, përqendrohet në vlerën e identitetit katolik, të kuptuar si angazhim i vendosur ndaj fesë, që pasqyrohet në katër parimet udhëzuese të shoqatës: feja, shkenca, miqësia e atdheu.

Përballë despotizmit dhe ideologjive të së kaluarës, feja katolike nuk ka qenë kurrë thjesht fasadë ose etiketë, por më tepër, mënyrë jetese që duhet ndarë në mjediset universitare dhe të punës. Ashtu si mbrumja e Ungjillit, vëllazëria juaj vazhdon të rritet si në sferat shkencore, ashtu edhe në ato politike, si dhe brenda qarqeve të ndryshme akademike, profesionale dhe shoqërore.

Studimi dhe vëllazëria për t'u përballur me revolucionin teknologjik

Leoni XIV nënvizoi përfitimet e kësaj "përmase komunitare" jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë Evropën, në të cilën vendi zë pozicion qendror. Kujton edhe rëndësinë kulturore të njeriut, krijesë e Zotit e krijues i jetës së tij.

Përballë sfidave të revolucionit teknologjik, duhet t'i kushtoni vëmendje të veçantë studimit dhe njerëzimit tonë të përbashkët. Në shprehjen e tij të pareduktueshme si mashkull a si femër, personi njerëzor është gjithmonë relacional dhe i kufizuar, e për këtë arsye, i thirrur të bëhet angazhim ndaj vetes, e dhuratë për të tjerët.

Ta ndash dijen me respekt të ndërsjellë

Arsyeja dhe feja janë dritat që ndriçojnë premtimet dhe mashtrimet e së tashmes, vazhdon Papa Leoni XIV, duke i ftuar të gjithë të kontribuojnë në ndërtimin e  shoqërisë paqësore. Një bashkësi qëllimesh, që gjen shprehje në moton e shoqatës: "In necessariis unitas, in dubiis libertas, in omnibus caritas" ("Në gjërat e nevojshme, unitet; në gjërat e dyshimta, liri; në të gjitha, bamirësi").

Këto fjalë dëshmojnë për themelet e vërteta, dialogun kritik dhe përkushtimin e vazhdueshëm që karakterizojnë shoqatën tuaj. Marrëdhënia ndërmjet anëtarëve të shumë shoqatave nuk kufizohet vetëm në ndarjen e njohurive, por bëhet respekt i ndërsjellë. Nuk kufizohet vetëm në ide, por bëhet praktikë bashkëpunuese.

Të nxitet "ungjillizimi i kulturës"

Vlerat katolike, shpjegon Papa, duhet të sillen në shoqëri jo si "mbartëse të standardeve partiake", por duke e nxitur të mirën e përbashkët, duke forcuar bashkëpunimin pa bërë kompromis me modat kalimtare ose duke vendosur preferencat individualiste, mbi traditën e përbashkët të Kishës.

Në gëzimin e vëllazërisë, ju inkurajoj ta nxisni ungjillëzimin e kulturës: organizatat tuaja universitare tërheqin vazhdimisht të rinj, sepse ata dëshmojnë pasionin, kompetencën dhe miqësinë e vërtetë të krishterë.

Të dëshmohet "humanizmi i krishterë"

Papa Leoni XIV nënvizon se studimi nuk është thjesht përgatitje për praktikimin e një profesioni (Beruf), por përgjigje ndaj një thirrjeje (Berufung). Kërkimi i së vërtetës është me të vërtetë një e mirë "që ia vlen të dëshirohet e edhe të transmetohet" e që nuk e redukton asnjë fushë të dijes "thjesht në spekulim", por e fisnikëron të mësuarit si angazhim që kërkon vetëdisiplinë dhe kthesë, duke shkuar përtej ushtrimit të thjeshtë të intelektit.

Duke bërë çka është më e mirë, shndërrohemi në kujdestarë të përgjegjshëm të shoqërisë, pa u joshur nga karriera të përqendruara te paratë. Përkundrazi, ne e pranojmë se kultura është e mira e njerëzimit: e vërteta na bën të lirë, ndërsa gënjeshtra shtrembëron emrat dhe gjërat. Përballë asaj që i çnjerëzon njerëzit - veçanërisht të vegjlit, të varfrit ose të sëmurët - ju kërkoj të jeni dëshmitarë të humanizmit të krishterë.

"Nuk jemi agregatë grimcash të rastit"

Ndërsa Benedikti XVI foli për "ekologjinë njerëzore" gjatë vizitës në Parlamentin e Reichstagut në Berlin, në shtator 2011, Papa Françesku, në vend të saj, kujtoi konceptin e "ekologjisë integrale", duke theksuar se bota është "plot kuptim dhe jo entitet inert, që mund të formohet sipas dëshirës, ose për hir të pushtetit".

Ne nuk jemi koleksion i rastësishëm grimcash, por trupa të hapur ndaj transcendencës: duke drejtuar etjen tonë për jetë dhe drejtësi, për mençuri dhe dashuri, e zbulojmë së bashku të vërtetën duke njohur, duke bërë e duke besuar!

"Përmes" marrëdhënies

Nuk është, pra, "i pavarur" aktiviteti i njeriut, por "përmes" tij zhvillohet marrëdhënia me Zotin, përfundoi Papa Leoni XIV.

Po, misioni kulturor i të krishterëve konsiston në orientimin e shoqërisë dhe të historisë drejt kulmit të një jete të përqendruar te Zoti. Me ndërmjetësimin e Shën Bonifacit, ungjillëzues i Gjermanisë, qofshi dëshmitarë të kësaj mençurie të Ungjillit në shoqërinë gjermane dhe evropiane.

05 qershor 2026, 13:41