Papa: paqja nuk mund të arrihet pa mëshirë
R.SH. / Vatikan
Sa po bërtet bota jonë duke kërkuar mëshirë në të katër anët!
Papa Leoni e përcakton mëshirën si "gurrë të madhe gëzimi e shprese të vërtetë", trajtim që e shndërron jetën e për këtë arsye, shoqërinë, duke e bërë "më mikpritëse e më të mëshirshme". Këtë e shkroi në videomesazhin e tij anglisht, dërguar në Vilnius të Lituanisë, ku Kongresi VI Botëror Apostolik mbi Mëshirën, organizuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Ungjillëzim, në bashkëpunim me kryedioqezën lokale, po mbahet që dje, 7 qershor, e do të vijojë deri më 12. Ishte një takim, me pjesëmarrje afërsisht 5,000 besimtarë nga mbarë bota, i përqendruar në temën: "Ta ndërtojmë qytetin e mëshirës".
Në këtë ngjarje merrte pjesë edhe Patriarku ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu I, praninë e të cilit Papa, në video, e falënderoi përzemërsisht për praninë e tij.
Hapja rrugën dashurisë
Shikimi i Papës zhvendoset në mënyrë të pashmangshme te plagët e botës, duke kujtuar atë që shkroi Shën Augustini në Rrëfimet, kur i vinte shpresën dhe besimin "në madhështinë e pamasë të mëshirës së Zotit".
Mes vorbullës së dhunës, që helmon marrëdhëniet dhe shkatërron jetët, mëshira e Zotit kërkon të hyjë në zemrat tona me ripërtëritjen e saj të jashtëzakonshme. Kjo mëshirë është e aftë ta shndërrojë jetën tonë, duke hapur rrugën drejt dashurisë e faljes, si tipare dalluese të fytyrës së Zotit, të zbuluara përmes nesh.
Të ndërtohet një shoqëri mikpritëse
"Zoti - pohoi Papa - nuk lodhet kurrë s’e treguari mëshirën e tij. Dashuria e tij, siç e thotë Psalmisti, është përgjithmonë e jetës", e vetëm në faljen e tij mund të gjindet paqja.
Ta bashkojmë besimin në mëshirën e pafundme të Zotit me angazhimin tonë personal, për të ndërtuar një shoqëri më mikpritëse e më mëshirëplote, duke nisur nga familjet tona. Së fundmi, Papa uron që ditët e Vilnius të jetohen aq intensivisht, sa ta mbartim në shtëpi pasurinë e asaj që jetuam në këtë takim ndërkombëtar. "Nga thellësia e zemrës sime, ua jap Bekimin Apostolik të Zotit të mëshirshëm secilit prej jush dhe familjeve tuaja".
