Kërko

Papa në Pavia: Shën Augustini, udhërrëfyes për kohën tonë

Papa Leoni viziton Kishën ku është varrosur Shën Augustini, në Pavia, duke reflektuar mbi pesimizmin, brendësinë dhe nevojën për të “lexuar shenjat e kohërave me sytë e fesë”. Në gjurmët e Shën Augustinit, të rizbulojmë jetën e brendshme, në Zotin.

Vatican News

Gjatë vizitës së tij baritore në Pavia, në veri të Italisë, Papa Leoni XIV ndaloi fillimisht në Bazilikën e shekullit VIII të Shën Pjetrit në Qiellin e Artë, (Basilica di San Pietro in Ciel d’Oro), vendi ku ruhen reliket e Shën Augustini. I rrethuar nga besimtarë, meshtarë, seminaristë dhe ipeshkvij të ardhur nga e gjithë Lombardia, Ati i Shenjtë Prevost u lut pranë varrit të shenjtit të Hiponës, Augustinit dhe më pas ndau një reflektim të thellë mbi fenë, shpresën dhe jetën e brendshme.

Papa vlerësoi Kishën e Pavias si një bashkësi me rrënjë të lashta, e cila megjithatë di të përballet me sfidat e kohës së sotme e theksoi se vetëm ai që e sheh realitetin me sytë e fesë arrin ta kuptojë atë më thellë dhe të mos dorëzohet përballë vështirësive. Feja, tha Leoni XIV, nuk e largon njeriun nga problemet e jetës, por e ndihmon t’i përballojë ato me shpresë dhe besim.

Duke sjellë në kujtesë shembullin e Jezu Krishtit, Papa kujtoi se edhe në momentet më të vështira Ai dinte të shihte praninë e Hyjit në gjërat më të thjeshta të krijimit, te zogjtë e qiellit dhe te lulet e fushës. Kjo aftësi për të zbuluar veprimin e Zotit në jetën e përditshme, sipas tij, është një mësim i vlefshëm edhe për të krishterët e sotëm.

Më pas, Papa u ndal te jeta e Kishës lokale, duke pranuar se famullitë kishtare përballen me shumë detyra dhe përgjegjësi. Megjithatë, Leoni XIV kujtoi se çdo veprim kishtar duhet të ketë në qendër Krishtin. Pa këtë themel, paralajmëroi ai, ekziston rreziku që aktivitetet të humbasin drejtimin e tyre dhe të përqendrohen më shumë te organizimi sesa te misioni ungjillor.

Në këtë kontekst, Ati i Shenjtë theksoi se ndonjëherë është e nevojshme të hiqet dorë nga disa struktura apo siguri të së kaluarës për të rizbuluar thelbin e fesë. Kisha, tha Papa, duhet të ruajë me kujdes trashëgiminë e saj më të mirë, por edhe të jetë e hapur ndaj rrugëve të reja të bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes.

Figura që ndriçoi të gjithë këtë reflektim ishte ajo e Shën Augustinit. Papa e paraqiti shenjtin e madh si një udhërrëfyes të veçantë për kohën tonë, sidomos për mësimin e tij mbi rëndësinë e jetës së shpirtërore. Duke cituar fjalët e njohura të Augustinit: “Mos dil jashtë vetes; kthehu brenda vetes. E vërteta banon në njeriun e brendshëm”, Papa ftoi të gjithë të rizbulojnë vlerën e heshtjes, reflektimit dhe kërkimit të së vërtetës në thellësinë e zemrës.

Sipas Leonit XIV, ky mesazh është më aktual se kurrë. Në një botë ku njeriu shpesh humbet mes zhurmës, nxitimit dhe shpërqendrimeve të pafundme, ekziston një nevojë e madhe për t’u kthyer brenda vetes, për të mos humbur identitetin dhe për të gjetur kuptimin që i jep drejtim e domethënie jetës. Pikërisht në këtë udhëtim shpirtëror, të brendshëm, përfundoi Papa, mësimi i Shën Augustinit vazhdon të mbetet një dritë e sigurt për çdo njeri që kërkon të vërtetën dhe shpresën.

20 qershor 2026, 21:23