Papa në Pavia: nuk ka arsye pa fe, „jo” logjikës së fitimit dhe dominimit
Vatican News
Në vizitën e tij në qytetin e Pavias, Papa Leoni XIV u prit me entuziazëm nga mijëra besimtarë të mbledhur në Sheshin e Fitores. Pas ndalesës në Katedralen e qytetit, Ati i Shenjtë iu drejtua qytetarëve me një mesazh të përqendruar te bashkëjetesa, solidariteti dhe lidhja e pandashme mes fesë dhe arsyes.
Papa e përshkroi Pavian si një qytet të pasur jo vetëm me të mira materiale, por edhe me virtyte njerëzore e shoqërore. Leoni XIV theksoi se një qytet i fortë ndërtohet mbi harmoninë, dialogun dhe takimin mes njerëzve, duke i ftuar të gjithë të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën qytetare. Sipas Prevost, sheshet, parqet dhe rrugët nuk janë thjesht hapësira publike, por vende ku ndërtohen marrëdhëniet njerëzore dhe ku kultivohet ndjenja e përkatësisë ndaj komunitetit.
Duke folur për sfidat e kohës sonë, Papa nënvizoi nevojën për të luftuar indiferencën, degradimin shoqëror dhe mungesën e përgjegjësisë qytetare dhe i nxiti banorët të kujdesen për vendin ku jetojnë, për shëndetin e njerëzve dhe për mjedisin natyror, duke e konsideruar këtë kujdes si një shprehje konkrete të dashurisë ndaj të afërmit.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua marrëdhënies mes fesë dhe arsyes. Duke iu referuar traditës së madhe intelektuale të qytetit dhe figurës së Shën Augustinit, Papa Leoni XIV theksoi se feja dhe arsyeja nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, por plotësojnë dhe ndriçojnë njëra-tjetrën. Ai deklaroi se njeriu nuk mund të besojë pa menduar dhe se pyetjet më të thella të arsyes gjejnë dritë dhe kuptim përmes fesë.
Në këtë kuadër, Leoni XIV kritikoi një kulturë që udhëhiqet vetëm nga fitimi dhe dëshira për dominim. Sipas Papës, arsyeja njerëzore nuk duhet të mbyllet brenda logjikës së interesit ekonomik apo të pushtetit, por duhet të kërkojë vazhdimisht mënyra të reja për t’u kujdesur për njeriun dhe për botën. Vetëm kështu, tha ai, zhvillimi mund të jetë vërtet në shërbim të dinjitetit njerëzor.
Papa kujtoi gjithashtu se feja i jep njeriut shpresë përtej kufijve të ekzistencës tokësore. Ajo e ndihmon atë të mos dorëzohet përballë vdekjes apo pasigurisë së jetës, por të besojë se jeta ka një kuptim më të thellë dhe se Zoti është krijuesi dhe shpëtimtari i saj.
Në përfundim, Leoni XIV iu drejtua Kishës së Pavias, duke e ftuar të vazhdojë misionin e saj si një vatër besimi, feje dhe një shtëpi bamirësie. Papa theksoi se Kisha duhet të jetë pranë më të varfërve, të moshuarve, të vetmuarve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Vetëm përmes bashkëpunimit mes qytetarëve, institucioneve, brezave dhe kulturave të ndryshme, përfundoi ai, mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më solidare dhe më njerëzore.
