Kërko

Papa: në një botë ku rritja është vetëm ekonomike, jini "tharm bujarie"

Duke u takuar me një grup vullnetarësh në IFEMA Madrid, ndalesa e fundit në kryeqytetin spanjoll të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, Leoni XIV theksoi nevojën për të menduar dhe për të jetuar sipas logjikës së zhvillimit të plotë njerëzor. "Ndoshta statistikat nuk e pasqyrojnë këtë," pranoi Papa, "por ne e dimë se në ditët e fundit, falë edhe jush, ky qytet është rritur, është më afër Mbretërisë së Hyjit".

R.SH. / Vatikan

Një lamtumirë shumë shpesh nënkupton një peng mirënjohjeje. Në një botë ku "rritja" përmendet vetëm në çështjet ekonomike dhe ku edhe një "faleminderit" ka një çmim, Papa Leoni XIV i paraqet mendimet e tij qytetit të Madridit, i cili e mirëpriti kur filloi shtegtimi apostolik në Spanjë. Në fjalët e Papës vërehet qartë një logjikë kundër rrymës që është "bujaria", shprehja më e pastër e së cilës janë vullnetarët që Papa takoi në konsorciumin «IFEMA» këtë mëngjes, më 9 qershor.

Një faleminderim shumë i veçantë

Ipeshkvi i Romës, së bashku me kryeipeshkvin, kardinalin metropolit të Madridit, José Cobo Cano, arritën në Pavijonin 3 të njërit prej pesë institucioneve më të rëndësishme të panairit tregtar në Evropë, më i madhi në Spanjë, pasi hipën në një makinë golfi përgjatë një rruge midis vullnetarëve me uniformat e tyre portokalli. Kështu, në heshtje, u vu re puna e mbarë që kryen vullnetarët gjatë ditëve të Leonit në Madrid.

Ky takim është i fundit i ndalesës në Madridit të udhëtimit tim apostolik, por jam shumë i lumtur që po bëhet me ju, vullnetarë nga Madridi dhe nga kaq shumë pjesë të tjera të Spanjës! Ju meritoni një falenderim shumë të veçantë sepse dhuruat praninë dhe shërbimin tuaj, dhe e keni bërë këtë nga dashuria për Zotin, Kishën dhe Papën. Faleminderit nga thellësia e zemrës sime!

"Zemër, duar, ide, zotësi, buzëqeshje"

Papa i falënderoi vullnetarët për dëshmitë dhe punën e mirë që bënë këto ditë si edhe theksoi vlerën e kohës që dhuruan vullnetarët, të cilët u përshkruan në një video të projektuar gjatë takimit si "ushtria e heshtur". Këta vullnetarë sakrifikuan ditët e pushimeve dhe u përkushtuan me mish e me shpirt për shtegtimin apostolik të Papës, por mbi të gjitha, dhanë veten e tyre.

Zemër, duar, ide, aftësi, buzëqeshje. Zoti ua shpërbleftë ashtu siç mundet vetëm Ai!

Të jetosh sipas parimeve të rritjes së gjithanshme njerëzore

Prandaj, Papa i nxit të gjithë të krishterët, si të pranishmit, të jenë "tharmi i bujarisë", të frymëzuar nga fjalët e Ungjillit të Mateut, ku Mbretëria e Qiellit paraqitet si tharmi "që gruaja e mori dhe e përzieu me tre masa mielli, derisa i gjithë brumi u tharm". Të japësh diçka pa pritur asgjë në këmbim ndihmon në aspektin njerëzor, etik dhe shpirtëror të shoqërisë njerëzore. Në thelb, është një "tipar tipik i Qytetit të Hyjitt".

Aq më tepër, në një botë të ndikuar vazhdimisht nga logjika e interesit vetjak dhe e përfitimit, ku fjala "rritje" thjeshtohet vetëm në rritje ekonomike-financiare, ekziston nevoja për të menduar dhe për të jetuar sipas logjikës më të vërtetë, asaj të rritjes së gjithanshme njerëzore. Është logjika e Ungjillit, i cili thotë: "Nëse u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? […] Dhe nëse u jepni hua atyre prej të cilëve shpresoni të merrni diçka, çfarë merite keni?"

Rritje që nuk regjistrohen por janë të gjalla

Ashtu si gruaja e përmendur në Ungjill, vazhdoi Papa, Jezusi përzieu tharmin qiellor me brumin "e njerëzimit tonë të sëmurë për ta shëruar atë nga brenda". Dhe pasi u ngjall së vdekurish, Jezusi dërgoi apostujt e tij nëpër botë, për të predikuar, por mbi të gjitha për të përhapur në të gjithë botën "një stil jetese, një mënyrë të menduari dhe të sjelluri". Pikërisht, bujarinë.

Faleminderit që e dëshmuat këtë këto ditë, këtu në Madrid! Ndoshta statistikat nuk do ta regjistrojnë, por ne e dimë se këto ditë, falë edhe jush, ky qytet është rritur, është më afër Mbretërisë së Hyut. A është kjo meritë e jona? Jo! I ​​gjithi është hiri i Tij! Ky është sekreti: dashuria e Hyut, e cila lëviz diellin dhe yjet dhe lëviz zemrat e atyre që kanë takuar Zotin Jezus, i cili "tha: Është më lumturi të japësh sesa të marrësh!"

Madridi ndjehet "më shumë popull", falë Papës

Falënderimet janë të ndërsjella, dhe përfaqësohen edhe nga kupa e artë që Papa i dhuroi kardinalit Cobo Cano dhe nga fjalët e lamtumirës së këtij të fundit. Kardinali kujtoi "fytyrat e mallëngjyera, të rinjtë që kërkonin kuptim, familjet që luteshin së bashku, meshtarët e përkushtuar, vullnetarët e lumtur nga agimi deri në fund të çdo dite" – të gjitha karakterizonin ditët e Leonit XIV në Madrid. E gjithë kjo shërbeu për të kuptuar se Kisha "jeton kur u shërben njerëzve", e frymëzuar nga Maria e Nazaretit, e cila punoi "në heshtje, pa kërkuar mirënjohje, por duke e bërë të mundur mrekullinë e takimit". Udhëtimi vazhdon, shikimi mbetet lart, përfundoi kardinali Cobo Cano, dhe Madridi, pas këtyre ditëve, ndjehet "më popull", falë vizitës së Papës.

09 qershor 2026, 12:35