Papa në fluturimin drejt Spanjës: thirrje për paqe dhe afërsi me viktimat e abuzimeve
R.SH. / Vatikan
Gjatë fluturimit nga Roma drejt Madridit, më 6 qershor, Papa Leoni XIV zhvilloi takimin tradicional me gazetarët që e shoqëronin në udhëtimin e tij apostolik në Spanjë. Me një përshëndetje të ngrohtë në gjuhën spanjolle, Ati i Shenjtë Prevost shprehu gëzimin e tij për këtë vizitë, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Kishën në Spanjë, por edhe për mbarë shoqërinë.
Papa theksoi se qëllimi kryesor i këtij udhëtimi është takimi me besimtarët, kremtimi i fesë dhe shpallja e Ungjillit të Jezu Krishtit. Megjithatë, Leoni XIV nënvizoi se mesazhi i Kishës nuk u drejtohet vetëm katolikëve, por çdo njeriu pa dallim. “Kisha ka një mesazh për të gjithë”, tha Papa, duke kujtuar se Ungjilli i Krishtit është lajm shprese, paqeje dhe dashurie për të gjithë popujt.
Duke folur për pritjen që e pret në Spanjë, Papa Leoni XIV u ndal veçanërisht te të rinjtë, të cilët pritet të marrin pjesë në numër të madh në takimet me të. Ai shprehu besimin se gëzimi, energjia dhe entuziazmi i tyre do të jenë një dëshmi e bukur e fesë së gjallë. Sipas Papës, të rinjtë janë të thirrur të bëhen lajmëtarë të dashurisë së Hyjit, të solidaritetit dhe të respektit për dinjitetin e çdo personi.
Një nga temat më delikate që u trajtuan gjatë bisedës me gazetarët ishte ajo e abuzimeve të kryera nga pjesëtarë të klerit. Papa pranoi se kjo mbetet një plagë e dhimbshme dhe ende e hapur në jetën e Kishës. Ati i Shenjtë konfirmoi se gjatë vizitës do të takohet me disa viktima dhe ritheksoi angazhimin e tij personal, si edhe të mbarë Kishës, për të dëgjuar, mbështetur dhe mbrojtur viktimat, si dhe për të luftuar me vendosmëri çdo formë abuzimi.
Një pjesë e rëndësishme e fjalëve të Papës iu kushtua situatës ndërkombëtare dhe konflikteve që vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje në shumë vende të botës. Duke folur për luftën në Ukrainë, Papa ripohoi thirrjen e tij për dialog, negociata dhe ndërtimin e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme. Leoni XIV nënvizoi se rruga e paqes mbetet gjithmonë e mundur dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë gjithçka për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve.
Ati i Shenjtë Prevost shprehu gjithashtu edhe afërsinë e tij me popullin e Libanit, duke siguruar se Selia e Shenjtë vazhdon ta ndjekë me vëmendje gjendjen e vendit dhe të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kishtare e fetare atje.
Duke reflektuar mbi realitetin e luftës në kohët tona, Papa Leoni XIV u ndal në rrezikun e madh që paraqesin armët moderne. Ai vuri në dukje se fuqia shkatërruese e teknologjive ushtarake të sotme ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si duhet të mendohet për konfliktet e armatosura. Për këtë arsye, Papa la të kuptohet se koncepti tradicional i “luftës së drejtë” bëhet gjithnjë e më problematik përballë armëve që mund të shkaktojnë shkatërrime të pallogaritshme dhe vuajtje masive për popullsitë civile.
Një moment veçanërisht domethënës dhe prekës i këtij udhëtimi erdhi nga bashkësitë e murgeshave klauzurore në Spanjë. Disa manastire vendosën ta shoqërojnë shpirtërisht vizitën e Papës duke u lutur me nga një rruzare për secilin gazetar që ndodhej në avionin papnor. Përveç kësaj, secilit prej tyre iu dhurua një kurorë rruzareje e punuar nga vetë motrat kontemplative. Ky gjest i thjeshtë, por plot kuptim, bashkoi në mënyrë simbolike botën e informacionit me jetën e heshtur të lutjes, duke kujtuar se edhe puna e gazetarëve mund të bëhet shërbim ndaj së vërtetës dhe së mirës.
Ndërkohë, në Madrid kambanat e Kishave të kryeqytetit spanjoll përshëndetnin ardhjen e Pasardhësit të Shën Pjetrit. Vizita e Papa Leonit XIV po përjetohet me gëzim të madh nga besimtarët dhe nga mbarë vendi. Që në orët e para të udhëtimit, mes thirrjeve për paqe, kujdesit për viktimat e padrejtësive dhe dëshirës për të shpallur dashurinë e Zotit, është bërë e qartë se kjo vizitë apostolike synon të sjellë një mesazh shprese, pajtimi dhe vëllazërimi për Kishën dhe për botën mbarë.
