Papa në Barcelonë: jini dëshmitarë dhe profetë të bashkimit, mikpritjes, harmonisë dhe paqes
R.SH. / Vatikan
Leoni XIV, sapo mbërriti në qytetin katalanas të Barcelonës në ditën e katërt të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, udhëhoqi Lutjen e Orës së Mesditës në Katedralen e qytetit. Papa fjalimin e tij të parë në Barcelonë, e nisi me disa fjalë përshëndetjeje në katalanisht dhe më pas vazhdoi në spanjisht.
Në një botë të përçarë nga luftërat dhe ndarjet, në një shoqëri gjithnjë e më të fragmentuar dhe individualiste, ne duam të jemi “dëshmitarë” (martirë) dhe profetë të bashkimit, të mirëpritjes, të harmonisë dhe të paqes, madje edhe me çmimin e sakrificave dhe të dorëheqjeve.
E gjithë homelia që Leoni XIV mbajti sot, më 9 qershor në orën 13:00, gjatë Lutjes së Mesditës në Katedralen e Barcelonës – kushtuar Kryqit të Shenjtë dhe Shën Eulalisë – ishte një thirrje e fortë për harmoni në Kishë dhe një ftesë për të orientuar karizmat e ndryshme të secilit drejt të njëjtave synime. Papa, si shtegtar në Spanjë, ndodhet në ditën e katërt të udhëtimit të katërt apostolik të Pontifikatit të tij.
Kisha është Nusja, Trupi është Krishti
Liturgjia e lutjes së Orëve të ditës së sotme sapo kishte shpallur në gjuhën katalanase një “lexim të shkurtër” shkëputur nga Letra e Parë e Shën Palit drejtuar Korintasve (1Kor 12, 13). Në të, Apostulli i Popujve, duke e krahasuar Kishën me trupin e njeriut, u bën thirrje anëtarëve të bashkësisë së Korintit që të ndihen të gjithë pjesë e një organizmi të vetëm: “Sepse, sikurse trupi është një dhe ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, ndonëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu edhe ne në Krishtin” (1 Korintasve 12,12).
Papa përdori imazhin e Nuses dhe të Trupit e tha se Kisha është një “Nuse e Dashur”. Në këtë pikë, Leoni XIV nënvizoi se zgjedhja e Zotit nuk është e rastësishme, pasi pikërisht në këtë ditë Ai i thirri dhe i zgjodhi besimtarët për të përfaqësuar “Bashkësinë e Shenjtorëve që ndodhet në Barcelonë”.
Kisha është fryt i një akti dashurie që vjen nga Zoti dhe që i paraprin asaj; ajo rritet para së gjithash duke u lënë të duhet prej Tij, prej Zotit, e bashkuar, me zemër të thjeshtë e mirënjohëse. Sepse vetëm ai që lejon të duhet nga Zoti, mund të ndërtojë, së bashku me të tjerët, veprat e dashurisë.
Frymë bashkimi në çdo marrëdhënie
Leoni XIV citoi paraardhësin e tij, Papën Bergoglio i cili, pikërisht me rastin e përurimit të Kullës së Virgjrës Mari në Bazilikën e Sagrada Familia më 8 dhjetor 2021, përmes një videomesazhi inkurajonte bashkësinë që “të nisej nga takimi me Krishtin” për “të u rritur në vëllazëri dhe në Shpalljen e Lajmit të Mirë të Ungjillit”. Leoni XIV vuri në dukje se Papa Françesku dëshironte të sugjeronte një frymë që duhet të udhëheqë të gjitha marrëdhëniet tona, qofshin ato profesionale, njerëzore apo kishtare.
Fjalët e tij tregojnë atmosferën që jemi të thirrur të përhapim në mjediset tona: në familje, në famulli, në vendet e punës e të shkollimit, në zyrat e Kuries dhe në çdo fushë tjetër të jetës. Një frymë familjare ku jetohet së bashku, duke kujtuar se jemi bij të të njëjtit Atë dhe kemi të njëjtën thirrje; të solidarizuar, të hapur, të aftë për mëshirë, sakrificë, vëmendje të ndërsjellë dhe falje.
Kjo ndjesi bashkësie – kujtoi Ati i Shenjtë Prevost – u lëvdua edhe nga Papa Shën Gjon Pali II, i cili, duke lutur Engjëllin e Tënzot këtu në Barcelonë, më 7 nëntor 1982, vuri në dukje aftësinë e “barcelonasve dhe katalanasve për të bashkëndarë bujarisht qytetarinë njerëzore dhe të krishterë me popuj të panumërt”.
Një harmoni talentesh e krijuar nga Shpirti Shenjt
Kjo gjë, nënvizoi Leoni XIV, na çon te shtylla e dytë e këtij imazhi të dyfishtë: trupi. Krishti është “Kreu” me të cilin të krishterët janë të bashkuar, si gjymtyrë të “një organizmi të vetëm, në shërbim të njëri-tjetrit. E kjo tregon një metodë pune për bashkësitë kishtare: “Për ne, të punuarit së bashku nuk është thjesht një zgjedhje ‘stili’, por një nevojë jetësore”.
Në këtë plotësim të gjymtyrëve të trupit, Shpirti Shenjt – shtoi Papa – “na nxit jo vetëm të dhurojmë veten, por ta bëjmë këtë sipas planeve të Zotit”. Bashkimi, bujaria për t'u ofruar të tjerëve dhuratat e marra dhe harmonia mes talenteve të ndryshme janë vepër e Shpirtit Shenjt. Falë kësaj pasurie dhuratash, ne jemi të fortë sepse jemi të bashkuar, dhe jemi të bashkuar sepse udhëhiqemi nga i njëjti Shpirt – Shpirti i Krishtit – që është Shpirt bashkimi për shpëtimin e të gjithëve. Nga kjo dhuratë e bashkimit buron edhe misioni që duhet të përmbushim çdo ditë. Prandaj, është rëndësishme që askush prej nesh të mos lejojë asgjë që të shkatërrojë bashkimin në të cilin Zoti na ka krijuar.
Thirrje Kishës së Barcelonës për të qenë "ndërtuese e bashkimit"
Pasi ngriti vështrimin drejt veprës së Shpirtit Shenjt – duke ndjekur edhe moton e këtij udhëtimi të katërt apostolik – Leoni XIV e ktheu vëmendjen horizontalisht, drejt bashkësisë së krishterë të kësaj Kishe kryedioqezane dhe përmendi titullin “Casal de Catalunya” që tradita ia faturon Barcelonës, duke theksuar se kjo është një thirrje e qartë “për t'u bërë, me ndihmën e Zotit, ndërtues të bashkimit”.
Së fundi, Ati i Shenjtë Leoni XIV kujtoi se pas pak minutash do të zbriste në kriptën e Katedrales, ku prehen mbetjet mortore të Shën Eulalisë. Ajo ishte një vajzë e re që zgjodhi martirizimin para se të mohonte fenë e saj në Krishtin, duke u kthyer në një nga simbolet fetare dhe pajtore qiellore e Barcelonës. Ajo dhe dëshmitarët e tjerë të fesë së krishterë na ftojnë të themi edhe ne “po-në” tonë, të gatshëm për të hequr dorë nga e tepërta dhe për të ndërtuar mbi atë që është thelbësore dhe zgjat përgjithmonë.
Në mbyllje të homelisë, Liturgjia e Orëve u gërshetua simbolikisht me lutjen e fundit të Krishtit gjatë Darkës së Mbrame: një thirrje për të mbetur “unë në ta dhe Ti në Mua”, që “të jenë të përsosur në bashkim”.
Paqe dhe bashkim në përshëndetjen e kryeipeshkvit
E Katedralja e Barcelonës ofroi vërtet një shembull të tillë bashkimi. Kryeipeshkvi metropolit, kardinali Juan José Omella Omella, gjatë fjalës së tij të mirëseardhjes, tregoi se në këtë lutje ishin të pranishëm ipeshkvijtë ndihmës, kanonikët, anëtarët e kuries dioqezane, seminaristët, punonjësit dhe vullnetarët.
Lutja e kryeipeshkvit të Barcelonës ishte në përkim të plotë me fjalët e Papës: “Do t'i lartësojmë lavdet dhe lutjet tona Zotit për të gjithë bashkësinë e krishterë, për Ju, Shenjtëri, si Atë dhe Bari i Kishës universale, dhe për mbarë botën. Zoti na dhashtë paqen dhe bashkimin që të jemi mbjellës të shpresës në botën tonë dhe, veçanërisht, në këtë kryedioqezë që ju pret me shumë entuziazëm”.
Lutja te Shën Eulalia në kriptën e Katedrales
Pas përfundimit të Lutjes së Orës së Mesditës, Papa u ndal për pak minuta në lutje në kriptë, përpara varrit të Shën Eulalisë, një prej shenjtoreve më të dashura të qytetit. Ajo jetoi në shekullin III dhe, kur ishte ende fëmijë (vetëm 13 vjeçe), guxoi të kundërshtonte përndjekjet ndaj të krishterëve gjatë sundimit të perandorit Dioklecian. U arrestua për fenë e saj në Krishtin dhe, pavarësisht torturave të shumta, refuzoi ta mohonte Krishtin, duke zgjedhur vdekjen si martire rreth vitit 304 pas Krishtit
