Kërko

Apeli i Papës: kurrë mos e lidhni emrin e Zotit me luftën

Duke iu përgjigjur një letre botuar në revistën "Piazza San Pietro", Papa LEONI XIV thekson se misioni i Kishës është të lutet për paqen dhe t’i denoncojë me forcë ata që e shfrytëzojnë fenë për qëllimet e tyre. "Për fat të keq, ky tundim për të përlyer emrin e Zotit prek edhe ata që pretendojnë se janë krishterë".

R.SH. / Vatikan

Këto janë "pamje poetike", siç i quan Papa Leoni XIV, që Raffaele da Catania, Itali, i kujton në letrën e tij drejtuar revistës "Piazza San Pietro". Në tekst, lexuesi pyet: "Si mund të derdhet gjak i pafajshëm, duke thirrur Zotin? Si mund të shndërrohet një emër që duhet të bashkojë, në instrument përçarjeje dhe vdekjeje?". Pyetje, që kërkojnë përgjigjen e mëtejshme pas kësaj: “Pse njeriu zgjedh urrejtjen e jo dashurinë?”.

 Leoni XIV përgjigjet duke kujtuar viktimat e pafajshme të shkaktuara nga raketat, dronët dhe armët në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe pjesë të tjera të botës. “Që nga fillimi i shërbesës sime”, thekson Papa, jam lutur e kam thirrur dhuratën e një paqeje që është ‘e çarmatosur dhe çarmatosëse, të përvuajtur dhe të qëndrueshme’”. Paqen që lind nga Krishti dhe që duhet të dëshmohet sepse “Kisha është e përkushtuar të predikojë dialogun. Nuk mund të jetë ndryshe, veçse kështu”.

Tundimi për të dhunuar emrin e Zotit

“Ndonjë njeriu të fuqishëm të kësaj bote - lexohet në tekst të Papës - mund të mos i pëlqejë kjo. Do të përpiqet të bëjë dallime, t’i mbulojë qëllimet e veta luftënxitëse me justifikime fetare... Me misionin e Kishës, misionin e Pasardhësit të Pjetrit, që nuk mund të bëjë tjetër gjë, veçse të bëjë thirrje për paqen”. Por edhe “t’i denoncojë me forcë ata që guxojnë ta shoqërojnë emrin e Zotit me akte lufte”, të cilat nuk mund të “dhunohen nga dëshira për sundim, nga arroganca dhe nga diskriminimi; mbi të gjitha, nuk duhet të thirren kurrë për të justifikuar zgjedhjet dhe veprimet e vdekjes”. “Për fat të keq, vazhdon Papa, ky tundim për të dhunuar emrin e Zotit i godet edhe ata që pretendojnë se janë të krishterë”.

Duke ndjekur udhët e paqes

Së fundmi, Leoni XIV, duke ndjekur udhëzimin për t’i  çarmatosur fjalët, i nxit të krishterët të veprojnë për ta shmangur që pikërisht fjalët e fesë të zvarriten "në luftën politike", në "bekimin e nacionalizmit dhe justifikimin fetar të dhunës e të luftës së armatosur". Ftesa e Paës është t’i shikojmë lutjen, përshpirtërinë, dialogun ekumenik dhe ndërfetar si rrugë paqeje e gjuhë takimi ndërmjet traditave dhe kulturave". "Ky është angazhim i pashmangshëm për të gjithë ne të krishterët!".

16 qershor 2026, 10:51