Kërko

Papa në audiencë me pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Veprave Papnore Misionare Papa në audiencë me pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Veprave Papnore Misionare

Papa: mes konflikteve e luftërave, duhet një Kishë misionare për të shëruar njerëzimin

Në audiencë me pjesëmarrësit e Asamblesë së Veprave Papnore Misionare, Leoni nënvizon urgjencën e kërkimit të përbashkët të rrugëve për të çuar përpara misionin e nisur nga Jezusi dhe u bën thirrje të gjithëve të angazhohen “me gëzim dhe zell të përtërirë”. Papa kujton, gjithashtu, themelimin, njëqind vjet më parë, të Ditës Botërore Misionare, dhe lumturimin, më 24 shtatorin e ardhshëm, të Fulton J. Sheen, “një fener feje, shprese dhe dashurie” përmes mjeteve të radios e televizionit

R.SH. – Vatikan

Në një botë gjithnjë e më shumë të shënjuar nga përçarja, lufta dhe konflikti mes kombeve e popujve, të katër Veprat Papnore Misionare, të besuara Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta, kryejnë një shërbim të çmuar për misionin e Kishës në shpalljen e Krishtit, Princit të Paqes si dhe të dëftimit të mishëruar të Dashurisë Hyjnore për njerëzimin.

Në Sallën Klementina të Pallatit Apostolik, në Vatikan, Leoni XIV nënvizon, me këto fjalë, para pjesëmarrësve të Asamblesë së Përgjithshme të Veprave Papnore Misionare, të pritur në audiencë sot paradite, 1 qershor, se cili është roli i rrjetit botëror që mbështet shpalljen e Ungjillit dhe Kishat e reja përmes lutjes dhe dashurisë bamirëse të krishterë.

Është urgjente një kthim misionar i vazhdueshëm

Duke ripohuar se Kisha “gjatë shtegtimit të saj mbi tokë është nga vetë natyra e saj misionare” meqenëse e ka zanafillën nga misioni i Jezusit dhe i Shpirtit Shenjt, siç “ka kujtuar edhe” Koncili II i Vatikanit në Dekretin mbi aktivitetin misionar të Kishës Ad gentes, në fjalimin e tij, të mbajtur në gjuhën angleze, Papa Leoni XIV u bën thirrje të gjithëve të angazhohen “me gëzim dhe zell të përtërirë”.

Ju ftoj të gjithëve të kuptoni urgjencën e ndërmarrjes së një kthimi misionar të vazhdueshëm dhe të kërkoni së bashku mënyra për të qenë një Kishë misionare për të shëruar botën tonë, kaq të mbushur me tensione, konflikte dhe lufta. Në këtë detyrë të rëndësishme, puna e Veprave Papnore Misionare mbetet thelbësore.

Dhe në çdo gjë që bëhet “për veprën e ungjillëzimit”, Leoni kërkon që të vendoset gjithmonë “Jezu Krishti në qendër, duke përqafuar parimin e bukur ungjillor të shprehur nga Gjon Pagëzuesi: ‘Ai duhet të rritet; unë, përkundrazi, të zvogëlohem’”.

Përvjetorët e Veprave Pontifikale Misionare

Takimi me Veprat Papnore Misionare është një mundësi për Leoni XIV që të kujtojë se këtë vit mbushen dy përvjetorë: njëqindvjetori i parë i Ditës Botërore Misionare dhe 110-vjetori i themelimit të Unionit Papnor Misionar.

Dita Botërore Misionare

Lidhur me Ditën Botërore Misionare, të themeluar nga Papa Pio XI të dielën e parafundit të tetorit me kërkesë të Veprës Papnore për Përhapjen e Fesë, një nismë “kushtuar lutjes, reflektimit dhe kontributit për misionin e ungjillëzimit të Kishës” dhe që nxit të gjitha komunitetet katolike “të luten dhe të ofrojnë sakrifica shpirtërore e materiale për angazhimin misionar në zonat e ungjillëzimit të parë dhe për të mbështetur Kishat e reja”, Papa Leoni falënderon të gjithë ata që përpiqen për organizimin dhe promovimin e saj në të pesë kontinentet dhe duke folur hapur shtoi se “një nga qëllimet specifike të Ditës Botërore Misionare është t'u kujtojë besimtarëve të Kishave të konsoliduara” rëndësinë e bashkimit “me shpirtin misionar të mbarë Kishës”.

Leoni XIV shpjegon, gjithashtu, se me “fondet e mbledhura në të Dielën Misionare Botërore, Vepra Papnore për Përhapjen e Fesë” u ofron “mbi 1.130 zonave kishtare (dioqezave) që varen nga Dikasteri ti Vatikanit për Ungjillëzimin, Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta”, ndihmë për “infrastrukturën” dhe për “iniciativa të ndryshme misionare”, mbështet “administrimin e pesë kolegjeve në Romë për formimin e përhershëm të meshtarëve dhe burrave e grave të jetës rregulltare” – “burime të çmuara” për “Kishat lokale, në të cilat ata kthehen sapo të kenë përfunduar studimet” – si dhe shumë projekte të tjera misionare.

Tema e të Dielës Misionare Botërore të këtij viti – Një në Krishtin, të bashkuar në mision – vë në dukje unitetin e besimtarëve dhe shënon 100-vjetorin e këtij kremtimi global. Ajo fton të gjithë anëtarët e Kishës në një bashkësi më të thellë në Krishtin dhe në një unitet më të plotë në misionin e Tij hyjnor të dashurisë.

Dhe pikërisht duke u nisur nga tema e të Dielës Misionare Botërore të ardhshme, Papa uron “një përtëritje misionare në Kishë” dhe “një spiritualitet autentik uniteti e bashkësie të përqendruar te Krishti”, i cili të promovohet edhe në “aktivitetet mes besimtarëve”.

Unioni Papnor Misionar

Lidhur me Unionin Papnor Misionar, të themeluar nga i lumi Paolo Manna dhe “të shpallur Papnore nga Pio XII", Leoni XIV sjell ndërmend se Palo VI e ka përcaktuar atë si “‘shpirtin’ e Veprave të tjera Papnore Misionare” dhe inkurajon “të merret pjesë në misionin e tij për të promovuar mes të gjithë të pagëzuarve një spiritualitet misionar gjithnjë e më të zjarrtë dhe një angazhim gjithnjë e më të thellë në misionin universal të ungjillëzimit të Kishës në këtë kohë të re misionare”.

Shembulli i Fulton J. Sheen, në shtator i lum

Përveç përvjetorëve që kremtojnë Veprat Papnore Misionare, Leoni XIV kujton një tjetër ngjarje të rëndësishme të këtij viti: lumturimin më 24 shtator të ardhshëm, në St. Louis të Misurit (Missouri), të një prej Drejtorëve kombëtarë më të famshëm, të të nderuarit Fulton J. Sheen, “një fener i fesë, shpresës dhe dashurisë” i cili “për dekada me radhë shkëlqeu përmes mjeteve të radios dhe televizionit”.

“Unë vetë kam qenë dëshmitar i veprës së tij të ungjillëzimit gjatë fëmijërisë sime”, thotë Papa Prevost, duke vënë në dukje se me emisionet e tij kryeipeshkvit Sheen arriti te “miliona njerëz me shpresën e Ungjillit” dhe se nismat e tij “kanë sjellë një ndihmë të jashtëzakonshme shpirtërore dhe materiale për Kishat në zonat e ungjillëzimit të parë”. Prandaj, ai është “një shembull për të gjithë Drejtorët Kombëtarë dhe Dioqezanë të Veprave Papnore Misionare në mbarë botën”.

01 qershor 2026, 13:19