Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa mirëpret marrëveshjen SHBA-Iran. Mjaft më luftë në Ukrainë!

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Leoni XIV shpreh shpresat e tij për paqe në Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA-ja dhe Irani bëhen gati të nënshkruajnë një marrëveshje, si dhe bën thirrje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Vatican News

Kënaqësi dhe mirënjohje, nga njëra anë, për Marrëveshjen ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ashtuquajturin "Memorandumi i Islamabadit", i quajtur kështu për shkak të ndërmjetësimit pakistanez, i cili mund të kontribuojë në "sigurinë" dhe "stabilitetin" në Lindjen e Mesme.

Dhimbje dhe ankth, nga ana tjetër, e luftë - në Ukrainë - që vazhdon të përhapet, duke shkaktuar më shumë viktima dhe duke ndezur jo vetëm flakët fizike që shkatërrojnë kishat dhe vendet historike, por edhe flakët e urrejtjes. Papa Leoni XIV shqyrton dy konfliktet që po e shkatërrojnë këtë epokë dhe bashkëndan mendimet, thirrjet dhe ndjenjat e tij me mijëra besimtarët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit , në Vatikan, për audiencën e sotme të përgjithshme të së mërkurës.

Puna e dialogut

Para përshëndetjeve në italisht, Papa shprehu kënaqësinë e tij për Marrëveshjen ndërmjet SHBA-së e Iranit, që do të nënshkruhet të premten, më 19 qershor, në një ceremoni  e cila, sipas qeverisë zvicerane, do të organizohet në një hotel në Burgenstock, mal me pamje nga Liqeni i Lucernës, i vështirë për t'u arritur. Papa pohon se këtë memorandum mirëkuptimi e mirëpret "me kënaqësi","si rezultat inkurajues" të punës durimtare të dialogut e të negociatave".

U shpreh mirënjohje vendeve që kanë punuar për të lehtësuar takimin ndërmjet palëve dhe për ta bërë të mundur këtë marrëveshje.

Siguria dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme

Që dje, në Castel Gandolfo, i pyetur për Memorandumin dhe punën e G7, që vijon të zhvillohet deri më sot në Evian të Francës, Leoni XIV komentoi: "Falë Zotit, kjo marrëveshje ekziston". E uroi që kjo të mund të përfaqësonte "një zgjidhje të vërtetë për luftën, që lufta të ketë mbaruar vërtet dhe që ne të mund të ecim përpara për të mirën e të gjithëve. Zhdukja e armëve bërthamore, kjo thotë po, të kërkosh të mirën e gjithë popujve, të kërkosh mënyrat për të zgjidhur problemet, duke përfshirë ato ekonomike dhe sociale, që lindën në këtë kohë". Edhe sot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni rikujtoi shpresën se kjo marrëveshje do të ishte hapi i parë, por jo i fundit, drejt një zgjidhjeje përfundimtare paqësore.

Dëshiroj që kjo marrëveshje të kontribuojë për forcimin e besimit reciprok, sigurisë dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, duke hapur rrugë dialogu e bashkëpunimi ndërmjet popujve.

Dhimbja për Ukrainën

Ndërsa perspektiva ndryshon, ndryshon edhe shikimi. Perspektiva e Papës errësohet nga "lajmet e dhimbshme" që mbërritën së fundi për luftën në Ukrainë. Një luftë që, pas katër vitesh, "vazhdon të zgjerohet". Provë për këtë, ndër shumë të tjera, është sulmi rus me raketa natën e 14-15 qershorit, që vrau të paktën 11 persona dhe shkaktoi një zjarr të rëndë, që shkatërroi çatinë e Katedrales së Fjetjes së Zojës a Zojës së Madhe në Kiev, një nga simbolet më të rëndësishme fetare të vendit dhe Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shumë viktima të pafajshme, shpëtimtarë të vrarë, kisha dhe vise të trashëgimisë kulturore të shkatërruara nga flakët.

Të hapen rrugët e dialogut

Papa Leoni u shprehu "afërsinë" e tij "atyre që vajtojnë të dashurit", "të plagosurit"  e edhe "atyre që, në mes të dhunës, vazhdojnë t'i shërbejnë me guxim jetës". Prej këndej, një thirrje e qartë e  një lutje drejtuar Zotit:

I ftoj të gjithë të luten që kjo luftë të përfundojë. Le t'i kërkojmë Zotit të hapë rrugë për dialog, të shuajë urrejtjen dhe të bëjë të mundur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

17 qershor 2026, 12:52