Kërko

2026.06.08 BARCELONA  në pritje të Papës 2026.06.08 BARCELONA në pritje të Papës

Papa në Sagrada Família: tempulli i Gaudí-së që bashkon qiellin me tokën

Barcelona përgatitet për një ngjarje historike: më 10 qershor Papa Leoni XIV do të kremtojë Meshën në Sagrada Família, në 100-vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudí. Bazilika, e vizituar nga mbi pesë milionë njerëz çdo vit, do të mirëpresë Papën e saj të tretë të historisë. Në tempullin më të famshëm të papërfunduar në botë, feja, arkitektura dhe bukuria bashkohen në një mesazh që shikon përtej gurit: të lartojë shikimin e njeriut drejt Zotit.

R.SH. / Vatikan

Vizita e Papës Leoni XIV në Sagrada Família, me rastin e në 100-vjetorit  të vdekjes së Gaudí, është më shumë sesa thjesht ngjarje fetare. Është gjest përplot me kujtesë, simbolikë dhe vazhdimësi kishtare. Papa do të mbërrijë në Barcelonë më 10 qershor, në njëqindvjetorin e vdekjes së Antoni Gaudí-t, arkitektit që i kushtoi mbi dyzet vjet të jetës së tij Templo Expiatorio de la Sagrada Familia dhe i cili, në vitet e tij të fundit, jetoi pothuajse ekskluzivisht për të çuar përpara vizionin e tij.

Me një lartësi mbi 167 metra, Kulla e Jezu Krishtit në Templo Expiatorio de la Sagrada Familia tani e kurorëzon Bazilikën e Familjes Shenjte, duke e bërë simbolin e krishterë të parashikuar nga Gaudí edhe më të dukshëm në horizontin urban të Barcelonës. Bekimi i kullës nga Papa Leoni XIV do të jetë një nga çastet më të pritura të vizitës apostolike në Spanjë. Sipas rektorit të Bazilikës, Josep Maria Turull i Garriga, kjo ngjarje përfaqëson "një ndjenjë vazhdimësie" pas shenjtërimit nga Benedikti XVI, i cili e njohu Sagrada Família-n si "kryevepër, vepër arti që mishëron atë, e cila tradicionalisht është quajtur rruga e bukurisë drejt Zotit".

Bazilika Sagrada Familia, e cila tani vizitohet nga mbi pesë milionë njerëz çdo vit, vazhdon t'u flasë besimtarëve dhe jobesimtarëve njësoj. "Duke hyrë në Sagrada Família, njerëzit mbeten pa frymë nga një bukuri e tillë, dhe pasi mbeten pa frymë,  përfundojnë duke ia hapur zemrat, pavarësisht se sa të mbyllura mund të jenë, Krijuesit të kësaj bukurie", vëren Turull.

Sagrada Família, një katekezë e gdhendur në gur

Për të kuptuar fuqinë e Sagrada Família, duhet të nisemi nga qëllimi më i thellë i Gaudí-së. Jordi Faulí, arkitekti kryesor i bazilikës që nga viti 2012 dhe udhëheqësi i fazës aktuale përfundimtare të ndërtimit, e thotë qartë: "Sagrada Família është, mbi të gjitha, shprehje e fesë së krishterë. Çdo element i Sagrada Família-s është shprehje e besimit". Prandaj nuk është vepër e projektuar thjesht për të mahnitur, por një katekezë e vërtetë arkitekturore. Kolonat e pjerrëta, si pemë, e transformojnë brendësinë në një "pyll guri"; dritaret e mëdha dhe afërsisht 300 dritare çatie lejojnë që drita intensive të hyjë brenda; fasadat rrëfejnë historinë e shpëtimit përmes formave, skulpturave dhe simboleve.

Faulí shpjegon se "e gjithë kjo është projektuar për të udhëhequr shikimin tonë lart, drejt Zotit". Fasada e Lindjes shpreh gëzimin e jetës dhe të lindjes së Krishtit; Fasada e Mundimeve të Jezusit komunikon dhimbjen, ankthin dhe vuajtjet e Kryqit; Fasada e Lavdisë të së ardhmes konceptohet si lartim i madh drejt Zotit.

Gaudí donte që bukuria të mos mbetej jashtë njeriut, por të hynte në zemër. "Donte t'i prekte njerëzit", kujton Faulí. "E donte që e gjithë kjo bukuri të prekte zemrën e të gjithëve, në mënyrë që njerëzit të reflektonin mbi jetën e Krishtit dhe mbi jetën e tyre. Dhe që kjo t'i bënte ata të ndiheshin të dashur, të mirëpritur e të etur për t’i dashur të tjerët".

Gaudi, arkitekti ‘i ndërtuar’ nga vepra e tij

Historia e Sagrada Família është e pandashme nga jeta shpirtërore e Gaudit. Arkitektja dhe studiuesja Chiara Curti thekson se te Gaudi, jeta dhe vepra e tij duken thellësisht të ndërthurura. "Ka diçka shumë të veçantë tek Gaudi: të gjithë ata që punuan me të, bashkëpunëtorët, kur shkruajnë për arkitekturën e tij, nuk mund të mos flasin për të si person". Një nga dishepujt kujtoi një frazë veçanërisht zbuluese: Gaudi tha se "nuk ishte ai që ndërtoi Sagrada Família, por përkundrazi ishte Sagrada Família, që e ndërtoi atë". Ky është çelës themelor për të kuptuar transformimin e brendshëm të arkitektit, i cili gjatë 12 ose 14 viteve të fundit të jetës së tij punoi vazhdimisht në tempull, duke jetuar në varfëri, me besim dhe shpresë për të ardhmen.

Si fëmijë, i prekur nga një sëmundje që ia vështirësonte ecjen, Gaudi lidhi  marrëdhënie intensive me natyrën. Curti kujton se nuk e përjetoi atë brishtësi si kufizim, por "si mundësi për të zhvilluar dashuri më të thellë për natyrën". E quajti "vëzhgim i vëmendshëm". Prej andej, do të lindte një gjuhë arkitekturore në të cilën krijimi bëhet mjeshtër dhe guri duket se rritet si organizëm i gjallë.

Një Bazilikë ndërmjet kujtesës, kundërshtimit dhe shenjtërisë

Sagrada Família është burim krenarie për Barcelonën sot, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Atë Luís Bonet, ish-rektor i famullisë,  94 vjeç, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Bazilikë. Babai i tij, Lluís Bonet i Garí, ishte dishepull i Gaudisë dhe punoi në ndërtimin e Kishës duke filluar nga viti 1952. "E gjithë familja ime ishte e përfshirë", thotë Atë Bonet. "E kur edhe disa njerëz kundërshtuan ndërtimin e saj, të gjithë në familje ranë dakord se duhej të vazhdonte".

Bonet ruan një kujtim personal të famës së shenjtërisë që rrethonte Gaudinë. Kur u pyet se çfarë kujtonte i ati për arkitektin, u përgjigj: "Ai ishte shumë i përkushtuar ndaj tij, gjë që do të thoshte se ia njihte mirë shenjtërinë. Sigurisht, shenjtor! Këtë e thanë të gjithë ata që e njihnin, për shkak të mënyrës së tij dhe të mënyrës se si kujdesej për të gjithë".

Tema e kanonizimit të Antoni Gaudí është e përhapur sot nga Kishe e Barcelonës. Atë Bruno Bèrchez, famullitar i San Miguel de Sants, pohon se Gaudí nuk ishte vetëm "arkitekt i shkëlqyer", por edhe "shenjtor i shkëlqyer". Ai shton: "Takimi me Jezusin ia ndryshoi jetën dhe e transformoi punën e tij nga diçka e bërë për veten dhe egon e tij - në një shërbim ndaj Zotit. Vetëm një shenjtor mund ta thoshte dhe ta jetonte një gjë të tillë".

Rilindja e besimit në hijen e Sagrada Família

Vizita e Papës Leoni XIV është pjesë e një konteksti kishtar në ndryshim. Në Barcelonë, në një qytet të shënuar për dekada nga Kisha gjithnjë e më të zbrazëta, po duken shenja të reja. Sipas Kryeipeshkvnisë, pjesëmarrja në Meshë e të rinjve është dyfishuar që nga viti 2020.

Atë Bèrchez sheh "rilindjen e fesë" në famullinë e tij. Ai e sfidon stereotipin se të rinjtë nuk janë të interesuar për Kishën: "Kam parë qindra të rinj që vijnë në Kishë me shumë pyetje, duke kërkuar diçka, që nuk mund ta gjejnë". Shumë, thotë ai, arrijnë pasi kërkojnë botën, pa gjetur atë që zemrat e tyre e dëshirojnë vërtet.

Sagrada Família gjithashtu ushtron edhe një forcë të heshtur. Për Bèrchez, me kryqin e ndriçuar në kullë, "e gjithë Barcelona - nëse do - do të jetë në gjendje të shikojë lart dhe të shohë se atje ka një kryq, një kryq të ndriçuar ditë e natë".

Një tempull, që të fton të shikosh lart 

Kripta e Sagrada Família, ku është varrosur Gaudí, mbetet zemra shpirtërore e Bazilikës. Ishte një nga pjesët e pakta që arkitekti pa të përfunduara. Turull kujton se vetë ndërtimi e transformoi Gaudí-në "në njeri që e jetoi fenë e tij me intensitet gjithnjë e më të madh".

Për këtë Kulla e Jezu Krishtit në Sagrada Família nuk është primat i thjeshtë arkitektonik. "Qëllimi i tij nuk synonte të ishte më e madhja", shpjegon rektori, "por më tepër të sigurohej që kjo Bazilikë pasqyron se si, në një farë mënyre, bashkon qiellin dhe tokën dhe na fton t’i lartojmë sytë tonë drejt kryqit të Krishtit".

Është në këtë perspektivë që vizita e Papës Leoni XIV në Sagrada Família ka kuptimin e saj më të thellë. Në njëqindvjetorin e vdekjes së Gaudí-së, Barcelona do të shohë bekimin e një kulle që nuk kërkon ta dominojë qytetin, por të tregojë rrugën. Një tempull i mbështetur jo vetëm nga guri, por sidomos nga një fe e aftë ta kapërcejë kohën, t'i flasë botës dhe t’ia hapë edhe sot zemrën njerëzore bukurisë së Zotit.

08 qershor 2026, 18:23