Kërko

Day for life- Dita për jetën è promosso dagli episcopati di Inghilterra, Scozia, Galles e Irlanda Day for life- Dita për jetën è promosso dagli episcopati di Inghilterra, Scozia, Galles e Irlanda

Papa lutet për të gjithë prindërit, që humbën një foshnje

Me rastin e Ditës Botërore për Jetën, e cila do të kremtohet në Angli, Uells, Skoci dhe Irlandë të dielën, më 21 qershor, Papa Leoni XIV i siguroi ipeshkvijtë e këtyre kombeve se do të lutet "për të gjithë prindërit që vajtojnë humbjen e një fëmije, veçanërisht të një të porsalinduri".

VAtican News

Papa Leoni XIV iu drejtua ipeshkvijve të këtyre kombeve me rastin e Ditës Botërore për Jetën, me një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në të cilin lutet që prindërit "të gjejnë ngushëllim dhe paqe në vetëdijen e dashurisë së Zotit për ta" dhe për fëmijën që humbën. "Kjo dashuri hyjnore e mbush jetën e çdo personi me kuptim dhe, larg nga përfundimi me vdekjen, na fton në një plotësi të re në përjetësi", deklaron Papa.

Sipas një deklarate nga Konferenca e Ipeshkvijve Irlandezë, Papa Leoni XIV u dërgoi gjithashtu urimet e përzemërta dhe lutjet e tij të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë ditë, e cila përqendrohet në "mahnitjen për njerëzimin e plotë të fëmijës në barkun e nënës", si dhe në përpjekjet e bëra për të mbështetur nënat dhe baballarët, që kanë përjetuar humbjen e një fëmije. Gjithashtu, uron, që këta prindër të mund të gjejnë mbështetjen, e cila u nevojitet në bashkësinë kishtare, "veçanërisht përmes një jete të ushqyer nga lutja dhe sakramentet".

"Mahnitje për fëmijën në barkun e nënës"

E quajtur "Mahnitje për fëmijën në barkun e nënës", dita botërore synon të kujtojë se çdo qenie njerëzore është e pajisur me dinjitet të pafund që nga çasti i zënies, "thjesht sepse ekziston, sepse u krijua dhe u desh nga Zoti", siç kujton Papa në enciklikën e tij të fundit Magnifica Humanitas.

Konferencat Ipeshkvnore të Anglisë, Uellsit, Skocisë dhe Irlandës kujtojnë se të jesh prind "është thirrje e mbushur me gëzim e shpresë, por edhe me vuajtje e shqetësime".

Për këtë arsye, këtë vit ata dëshirojnë të njohin në veçanti dhimbjen e prindërve që kanë humbur një fëmijë para lindjes ose gjatë fëmijërisë, duke u ofruar atyre një mesazh shprese dhe ngushëllimi: plotësi në përjetësi.

Kjo ditë, e cila përkon me kremtimin e Ditës të Atit, synon të përqendrojë vëmendjen te vuajtja e prindërve, e cila sjell pasoja fizike dhe psikologjike, si dhe te ndjenja e pafuqisë për shkak se nuk dinë si ta mbështesin familjen e tyre, ose si ta shprehin pikëllimin e tyre. Prandaj, Kisha dëshiron të jetë veçanërisht pranë këtyre prindërve, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes shpirtërore dhe baritore. Ipeshkvijtë kujtojnë gjithashtu se "Zoti e krijoi, e dëshiroi dhe e deshi thellësisht çdo fëmijë që nga amshimi, përfshirë ata që humbasin jetën para ose pak pas lindjes".

Ipeshkvijtë e Anglisë, Uellsit, Skocisë dhe Irlandës theksojnë se Fjala e Zotit "zbulon njerëzimin e shenjtë të fëmijës së palindur" dhe se, për këtë arsye, prindërit e kuptojnë se sa i çmuar dhe unik është fëmija që kanë humbur: "Ata e dinë se asnjë fëmijë tjetër nuk mund ta zëvendësojë kurrë atë", deklarojnë. Nga kjo perspektivë, ata denoncojnë mospërputhjen e përshkrimit të jetës në barkun e nënës si koleksion i thjeshtë qelizash. "Si mund të jetë ajo jetë kaq e dashur dhe e çmuar për prindërit e, në të njëjtën kohë, të konsiderohet e pavlerë dhe e shpenzueshme?" pyesin ata.  Gjithashtu këmbëngulin që shkenca është e qartë në pohimin se jeta fillon me fekondimin. "Sa më shumë që mësojmë nga shkenca, aq më shumë e kuptojmë mësimin e Kishës mbi vlerën unike të fëmijës së palindur", theksojnë ata.

Ata gjithashtu nënvizojnë se çdo qenie njerëzore nuk është vetëm trup, "por edhe shpirt i pavdekshëm, me një marrëdhënie unike dhe të përjetshme me Zotin, Krijuesin tonë"; prandaj, fëmija i palindur "meriton mbrojtjen e plotë të ligjit".

Së fundmi, ata përsërisin se Kisha "gjithmonë e ka refuzuar abortin vullnetar" dhe angazhohen të "punojnë dhe të luten në mënyrë që shoqëria jonë ta njohë vlerën e jetës së çdo fëmije", veçanërisht në fazat e hershme të ekzistencës njerëzore.

20 qershor 2026, 10:04